Kapiteni i Përfaqësueses të Ishujve Faroe, Frodi Benjamin do të mungojë në ndeshjen eliminatore për “Euro 2016” kundër Rumanisë, pasi ka nisur punën si roje burgu në fillim të kësaj jave.
Ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Ishujve Faroe, zhvillohet të dielën (18:00) në kuadër të Grupit F eliminator.
Mungesën e kapitenit Benjaminsen e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Ishujve Faroe, transmeton koha.net.
“Frodi është përgatitur për këtë punë për një kohë shumë të gjatë. Ai ka kaluar nëpër një program të stërvitjeve intensive dhe ia ka dalë mbanë të punësohet.
Ai nuk do të luajë kundër Rumanisë për shkak se nuk mund të mungojë në ditët e para të punës”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Ishujve Faroe, Kristin Dam Ziska.
Mesfushori Benjaminsen është njëri prej futbollistëve më me përvojë te Përfaqësuesja e Ishujve Faroe.
37-vjeçari, i cili është pjesë e skuadrës HB Torshavn deri më tani ka regjistruar 83 paraqitje për Ishujt Faroe, që kur debutoi më 1999.