Ligji për Shërbimin e Jashtëm/ Bushati: Hoqëm qarkoret që nxisnin diplomatët kundër opozitës

21 Maj 2015, 15:45Politika TEMA

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha në parlament se ligji “për shërbimin e jashtëm” vendos kritere për zgjedhjen e ambasadorëve.

Gjatë diskutimit në seancë të dekretit të presidentit që kthen ligjin “Për shërbimin e jashtëm”, ministri Bushati vuri në dukje përpjekjet për depolitizimin e shërbimit diplomatik shqiptar.

“Që nga 15 shtatori 2013 kur erdhi në pushtet kjo qeveri, nuk ka asnjë qarkore apo instruksion që nxit shërbimin e jashtëm që të merret me politikë apo të hedhë baltë mbi institucione të caktuara”, tha Bushati.

Me ligjin e ri, vijoi ai, tashmë ka procedura të qarta për zgjedhjen e trupës diplomatike të Shqipërisë.

“Në të shkuarën ambasadat shqiptare kishin frikë të prisnin apo t’i zgjasnin dorën kreut të opozitës, ndërsa që nga 2013, kryetari i opozitës pritet me të njëjtin protokoll si ai i një ministri”, tha Bushati.

Kreu i diplomacisë ka hedhur akuza të rënda për paraardhësit e tij në ministri.

Bushati tha se ai ka gjetur një sërë qarkoresh të firmosura nga ish-ministri i jashtëm në të cilat i bëhej një interpretim punës së Arben Ristanit se si duhet të numëroheshin votat që gjendeshin në kuti të gabuara.

Ristani ishte kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor në zgjedhjet vendore të vitit 2011, që korrespondon edhe me zgjedhjet në të cilat u shpall fitues për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha.

Kam mbajtur shënime sot dhe kam mësuar shumë gjëra që nuk i dija se paska diplomaci territoriale, shëndetësore, thashethemore. Do kisha preferuar qe sot të kishim një debat por diplomacinë energjetike aq më tepër kur rryma e jugut është mbyllur dhe sot TAP ka një rëndësi edhe me të madhe. Do kisha dashur të flisnim dhe për diplomacinë e aktorëve të tretë në rajon, për vijat e kuqe që duhet të kemi.

Po opozita jonë nuk do që të flasë për këto gjëra. Kur unë kam ardhur në zyrën e ministrit të Jashtëm kam gjetur një sërë qarkoresh për diplomatët tanë që shërbenin në vende të ndryshme të BE. kishte qarkore pafund për të gjithë ata që ka mburrur Berisha se i ka zgjedhur vetë. 

Kam gjetur edhe qarkore ku ndërtoheshin procese gjyqësore se si dhe kujt duhej t’i vihej faji, kam gjetur qarkore ku i bëhej një interpretim punës së Arben Ristani, se si duhet numëruar vota në kutinë e gabuar.

Kam gjetur qarkore ku tentohej që të transformohej një sallë gjyqi ku secili bën akuza dhe askush si merr mbrapsht“, tha ai.

Kreu i diplomacisë akuzoi opozitën se nuk ka kontribuar në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet Shqipëri-SHBA-së, ministri i Jashtëm tha se Shtetet e Bashkuara e njohin vendin tonë si partner strategjik.

Lidhur me zhvillimet në Maqedoni, Bushati theksoi se kemi kërkuar transparencë për ngjarjet në Kumanovë dhe se marrëveshja e Ohrit po lexohet si mosmarrëveshje. “Ne duam stabilitet dhe një Maqedoni multietnike,” deklaroi Bushati.

Gjatë debatit në seancë për dekretin e Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për shërbimin e jashtëm’, deputeti socialist, Ben Blushi vërejti se shërbimi i jashtëm shqiptar nuk ka funksionuar siç duhet në këto 20 vitet e fundit.

“Ishte e domosdoshme të kishte një ligj ‘për shërbimin e jashtëm’, pasi shërbimi ynë diplomatik nuk ka funksionuar siç duhet në këto 20 vjet. Besoj se kthimi nga Presidenti mund të shërbente për të arritur një ekulibër mes pikëpamjeve të ndryshme. Kam parë diplomatë që nuk meritojnë të ishin ambasadorë dhe i kemi kaluar. Theksoj se kur ligji i jep mundësi qeverisë të fusë në shërbimin diplomatik gjithkënd që ajo mendon se e meriton, ky vullnet i lihet qeverisë. Por, kjo na vë në dyshim se qeveria, duke patur hapësirë 100 për qind, mund të na sjellë prapë raste të tilla. Personalisht, kam shumë dyshime për ambasadorët se jo gjithmonë janë njerëz që përmbushin kriteret e meritokracisë”, theksoi deputeti Blushi.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla vlerësoi punën e Ministrisë së Jashtme për institucionalizimin e diplomacisë shqiptare.

Deputeti Balla tha se gjatë qeverisjes së djathtë diplomacia shqiptare ishte e mbushur me militantë politikë. Por, ne nuk mund të pranonim që diplomacia të familjarizohej, ndaj sot MPJ meriton gjithë vlerësimin për gjithshka ka bërë për t’i dhënë fund praktikave korruptive në selitë tona diplomatike jashtë vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje