Llalla-Glover: Prokuroria po monitoron fushatën, stop krimeve elektorale

23 Maj 2015, 15:35Kronika TEMA

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka garantuar se institucioni i drejtuar prej tij ka marrë masat për monitorimin e fushatës elektorale për pushtetin lokal, sidomos ditën e zgjedhjeve, me qëllim për të evidentuar dhe ndjekur penalisht rastet e mundshme të krimeve elektorale.

Deklarata e Kryeprokurorit erdhi gjatë takimit që ai pati me Ambasadoren e ODIHR-it, Audrey Glover, e cila kryeson misionin e vëzhguesve në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Sipas Llallës, prokuroria shqiptare ka krijuar një traditë lidhur me monitorimin e proçesit zgjedhor, duke sjellë si shembull masat e marra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, gjatë të cilave Prokuroria e Përgjithshme nxorri një udhëzim për të gjitha prokuroritë lokale për gatishmërinë në ditën e zgjedhjeve.

Një praktikë e tillë, sipas tij, do të vijojë të ndiqet edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Një zyrë e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, e administruar nga Drejtoria e Hetimit, do të koordinojë dhe do të konsultojë prokuroritë lokale për çdo rast dyshimi të krimeve elektorale.

Sa u përket nismave për monitorimin e zgjedhjeve të qershorit 2015, Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar se “janë fuqizuar mekanizmat e bashkëpunimit, sidomos me Policinë e Shtetit dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Madje, me këtë të fundit, vetëm pak ditë më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të të cilës Prokuroria merr përsipër që të trajnojë komisionet zgjedhore lokale dhe numëruesit mbi rastet e shkeljeve penale”.

Llalla gjithashtu i ka shprehur Ambasadores Glover se Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë lokale do të jenë të gatshëm të mbajnë kontakte të vazhdueshme me vëzhguesit ndërkombëtarë për çdo rast parregullsie që mund të konstatojnë gjatë fushatës ose në ditën e zgjedhjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje