Fjalimi i Ramës në Durrës: Jam zotuar t'i çoj në fund premtimet e 23 qershori

20 Qershor 2015, 00:00Politika TEMA

Nga Edi Rama

Dy vjet më parë, ky shesh ishte fytyra e rrënimit, plot pluhur dhe e harresës prej një qeverie, e cila i braktisi qytetet. Ndërsa tek ato shkallë ku sot janë mbledhur aq shumë njerëz dhe ku çdo natë ulen dhe kalojnë pjesë të kohës së lirë, banorët e këtij qyteti, zhvillohej një betejë mes kryetarit të bashkisë Vangjush Dako dhe trupave të policëve dhe të inspektorëve të ardhur nga Tirana. Vangjushi kishte guxuar të niste me kursimet e buxhetit të mjeruar të qytetit, projektin e këtij sheshi që kemi sot. Ndërsa Saliu ishte i vendosur ta mbante Durrësin, me çdo kusht, jo vetëm të rrethuar, pa asnjë furnizim me para nga buxheti i qeverisë, por edhe të bllokuar në çdo hapësira ku Vangjush Dako përpiqej t’i hapte rrugët e frymëmarrjes këtij qyteti.

Të rrethuar në fakt ishin të gjithë, pa përjashtim, edhe banorët e zonës së Durrësit të Ri, siç e quajmë ne, ose të Kënetës, siç vazhdon ta quajë Partia Demokratike edhe sot e gjithë ditën. Pavarësisht se ata votonin Partinë Demokratike, ishin viktima të rrethimit bllokues njësoj si të tjerët, sepse ishin fajtorë njësoj si gjithë demokratët e tjerë nëpër Shqipëri, që kishin fatkeqësinë të jetonin në kështjellat ku drejtonin socialistët.

Por jo vetëm kaq. Njësoj si vetë Shqipëria patëm fatkeqësinë të gjithë ne, për vite të tëra të ishim viktimë e pushtetit më antiurban, më antimjedis, më antisocial, që ka pasur ndonjëherë ky vend. Një pushtet që nuk urrente thjesht Durrësin, apo qytetet me shumicë socialiste dhe progresiste, por urrente trupin e qytetit dhe çdo formë urbanizimi që mund t’i jepte qytetit shqiptar tipare europiane, ngjyrë dhe aromë bashkëkohore.

Ai pushtet nuk ishte thjesht ajo qeveria që kishim në Tiranë, por ishte një verbëri në marrëdhëniet me trupin e vendjetesës tonë, një shurdhëri në marrëdhëniet me nevojat e shpirtit të njerëzve që jetojnë trupin e qytetit. Një pushtet sakat në zemër dhe bosh në kokë, që ikte dhe vinte nëpër botë nga aeroporti i Rinasit dhe nuk i bënte asnjë përshtypje rruga hyrëse e Shqipërisë, e mbushur me ferra, me hekurishte, me tela e me plehra. Sepse ai ishte jo thjeshtë një pushtet njerëzish indiferentë përballë shëmtisë, papastërtisë, rrëmujës, batërdisë, por ishte më shumë se kaq, ishte pushteti i varfërisë së aspiratave, që mjaftohej me asfaltin e hedhur nëpër rrugët pa standarde, në shkollat e rindërtuara pa cilësi, në ujësjellësit dhe kanalizimet e investuara pa plan dhe krenohej me riparime pa asnjë shije të re të një Shqipërie që zhvillohej në vite duke u rrënuar, të një Shqipërie që hante veten në rrugën e një zhvillimi kaotik, ku ne humbën qindra mijëra hektarë tokë buke, sipërfaqe të pafundme pyjesh, mijëra kilometra linearë kanalesh ujitëse dhe kulluese, humbën thuajse të gjitha hapësirat e sigurisë në anët e rrugëve kombëtare dhe me radhë, për të mos i numëruar të gjitha. Por ku ne humbën padyshim, kohë të artë mundësish përgjatë të cilës, në vend që ta çonin zhvillimin e qytetit shqiptar në drejtimin e duhur, duke filluar nga qendrat drejt periferive dhe duke ruajtur kurorat e gjelbra, u gjendëm nën bombardimin e një zhvillimi kanceroz, që shpërtheu ku mundi nëpër trupin e Shqipërisë, çibanët e një shëmtimi të turpshëm.

Dhe nuk ishte halli se në vitet e shumta që humbëm, pushteti nuk i ndali dot ndërtimet pa leje, nuk ndali dot pushtimin e rrugëve kombëtare me ndërtime kërcënuese për sigurinë e jetës, nuk ndali dot shkatërrimin e ullishtave për të ndërtuar pallate. Pallate mbi pallate. Pallate mostra, si këto që janë përgjatë gjithë vijës që lidh Durrësin me Kavajën. Zhdukjen e pyjeve dhe sakatimin e shtretërve të lumenjve. Masakrimin e tokës së bukës dhe të natyrës përreth. Nuk ishte ky halli më i madh, nuk ishte ky mëkat më i madh dhe më i kushtueshëm për brezat, por halli më i madh dhe mëkati më i madh ishte se atij pushteti, e gjitha kjo i pëlqente. I gjithë ky përçudnim i bukurisë së këtij vendi, të cilit Zoti apo natyra, për ata që nuk besojnë në Zot, i ka falur gjithçka i duhet, i dukej zhvillim; I gjithë ky dështim epokal, që do të shënohet në historinë e Shqipërisë si një periudhë marrëzie me vetveten, i dukej sukses historik.

Atyre që nuk ia vranë kurrë syrin, as hundën, ujërat e zeza që derdheshin në det, ia bëjnë mishin kokërr, palmat që mbjell Vangjush Dako. Kulla e bukur turistike e Korçës i tmerron, njëlloj siç tmerrohen talebanët nga bukuria e artit. Ndërsa ndërtimet e tmerrshme, pa leje, mbi trotuare, apo ngrehinat e shëmtuara në anët e rrugës kombëtare i japin krahë që të fluturojnë nga kënaqësia. Ju vjen plasja me sistemin e ri të Beratit, por meazallah se ja vriste sytë errësira dhe zbrazëtia e shesheve të qyteteve tona, që nga ky shesh këtu, si të gjitha sheshet e tjera të Shqipërisë, të kthyera në parkingje dhe të vetmin shesh që nuk e kishin ndërtuar arkitektët dhe urbanistët komunistë, por e kishin ndërtuar arkitektët e mëdhenj fiorentinë në Tiranë, e kthyen edhe atë, në një kartodrom, e zhdukën. Asnjë përshtypje nuk ju bënin delet që kullosnin mes plehrave rreth memorialit të Skënderbeut, në Lezhë, sot janë gati të vënë kujën pse janë harxhuar para që Lezhës rikthehet një shesh  qendror, ku fryn erë Europë. E lanë skuadrën tonë kombëtare në pikën që të emigronte jashtë për të luajtur ndeshjet në shtëpi, sepse nuk kishte më stadium që ta pranonte UEFA dhe nuk ju skuqet faqja, kur hidhen përpjetë kundër, sipas tyre, parave të shpenzuara për luks të Elbasan Arenës.

Janë pa fund të gjitha ato që mund të tregohen për çfarë i bënë ata trupit të qytetit shqiptar dhe trupit të një Shqipërie, që sot është i mbushur me plagë. Koha e tyre mbaroi në 23 qershor, por plagët e hapura prej barbarisë më antiurbane që ka njohur trupi i Shqipërisë nga një pushtet në Tiranë janë ende kudo, para syve tanë. Do të duhet kohë, do të duhet shumë mund, do të duhen jo pak sakrifica për t’i çuar bashkitë tona të reja në destinacionin e duhur. Ashtu siç do të duhet kohë dhe durim i jashtëzakonshëm për të përballuar vështirësitë që ta çojmë Shqipërinë në destinacionin e duhur. Por nuk ka asnjë pikë dyshimi se sot jemi duke përjetuar si në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, momentin historik të kthesës në drejtimin e duhur.

Një nga momentet më të bukura të kësaj fushate ka qenë kur së bashku me Vangjushin po ecnim për të parë si po shkonin punët përfundimtare të sheshit. E kemi parë këtë shesh shpeshherë. E kemi parë dhe natën kur të gjithë flinin, me merakun e madh që çdo detaj të ishte në vendin e vet dhe që në këtë shesh çdo durrsak të ndjehej krenar për shtëpinë e gjyshërve dhe stërgjyshërve të vet. Momenti ka qenë kur aty mbrapa bashkisë, takuam një çift durrsakësh të gjeneratës së babait tim dhe zonja tha, – kurrë nuk e kam parë Durrësin më mirë se sa sot.

E pra në 18 muajt e bilancit tonë të parë qeverisë, Durrësi, ashtu si Lezha, Korça, Fieri, Elbasani, Berati, Burreli, Lushnja e me radhë, ka filluar të përjetojë ndjesinë e një ndryshimi rrënjësor. Është ajo ndjesia që prek shpirtin, që lidh njeriun me qytetin, shpirtin që e bën qytetin dhe njeriun të ndjehen pjese e së njëjtës energji, shpirtin që preket pikërisht nga ato gjëra që talebanët i konsiderojnë, luks, i konsiderojnë  tepri, i konsiderojnë zbukurime dhe fasadë. Po a ju ka zënë syri gjëkundi jashtë kufijve të këtij vendi, ndonjë vendbanim ku të ketë shëmti dhe mirëqenie?! Nuk ekziston. Nuk ka mirëqenie në shëmti. Nuk ka mirëqenie në kaos, nuk ka mirëqenie aty ku është vrarë bukuria, është vrarë hijeshia, është vrarë dëshira për të parë bukur dhe për tu ndjerë bukur.

Kjo është ajo që po ndodh, kjo është kryevepra e Vangjush Dakos, e gjithë atyre projekteve që në pamje të parë mund të duken të vogla, por në përmbajtje janë katalizatorë të një energjie të jashtëzakonshme që e ka marrë Durrësin dhe që do ta çojë aq përpara sa ne sot e kemi vështirë ta imagjinojmë, në 4 vitet e ardhshme.

Nuk ka dyshim se Durrësi nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sa sot, ashtu siç tha ajo zonjë e nderuar, por unë për vete nuk kam po ashtu asnjë dyshim se Durrësi që meritojnë banorët e bashkisë së re duhet të jetë shumë më tepër se kaq.

Durrësi që meritojnë fëmijët e bashkisë së re, nuk duhet të jetë Durrësi me të cilin ngushëllohet zonja e gjeneratës së babait tim, por duhet të  jetë Durrësi me të cilin ata të krenohen si qytetarë të barabartë të familjes evropiane.

Këto 18 muaj kanë dhënë shenjat e qarta të mundësisë së Shqipërisë, për tu ribërë  e bukur, të mundësisë së Shqipërisë për të rizbuluar trupin e humbur përmes plagëve të tmerrshme të një kanceri që mori përpara gjithçka, në emër të zhvillimit dhe që u zhvillua duke tjetërsuar territore të tëra, hapësira të tëra, marrëdhënie të tëra të Shqipërisë që ka provuar në këto 18 muaj se nuk është vendi ku ndryshimi rrënjësor mbetet  gjithmonë një ëndërr e parealizuar, por është vendi kur ëndrra për ndryshim mund të bëhet realitet.

Këto 18 muaj kanë treguar pa asnjë dyshim se Shqipëria bëhet. Gjithë ai tmerr i brendshëm shpirtëror që i bëri shqiptarët për shumë vite që të bashkoheshin në konkluzionin se “nuk bwhet ky vend” nuk ishte as më shumë, as më pak, rezultat i dëshpërimit nga drobitja që ju bë gjithë trupit të vendit tonë dhe nga gjithë energjia negative që prodhoi në shpirtin e njerëzve, zhvillimi përmes shëmtimit, jo përmes fuqizimit të bukurisë.

Këto 18 muaj kanë treguar pa asnjë dyshim, se Shqipëria bëhet, siç kanë treguar se Shqipërinë  mund ta bëjmë vetëm ne, Aleanca për Shqipërinë Europiane. Por këta 18 muaj që me siguri mjaftojnë për ta ndjerë në ajër dhe për ta kuptuar sensin dhe natyrën e ndryshimit që duam si një ndryshim të mundshëm, nuk kanë mjaftuar që ende shumë njerëz, – zgjedhës tanët besimplotë në 23 qershor, të dy viteve më parë, – të ndjejnë ndonjë ndryshim në jetën  e tyre.

Prandaj unë tani dua që në orët e fundit të kësaj fushate të flas, jo sesa shumë kemi bërë në 18 muaj, por se çfarë ne nuk kemi arritur të bëjmë. E ti përdor këto minuta për t’ju drejtuar me dorën në zemër e përulësisht pikërisht atyre shqiptarëve, atyre familjeve, të cilat në këto momente që më dëgjojnë mua, me plot të drejtë mund të thonë: “po unë, po ne këtu në shtëpinë tonë, çfarë ka ndryshuar për ne, në këta 18 muaj, pasi ju dhamë besimin, pasi ta dhamë votën në 23 qershor”. E dua ti drejtohem kujt nuk ishte në punë dhe vazhdon të jetë pa punë, duke i thënë që dua sinqerisht, vëllazërisht të më besosh se e di shumë mirë se çfarë ndjen, duke numëruar ditët që ikin pa rrugë dalje për ty. Pezmatimi yt prej gjendjes së padurueshme të papunësisë, të siguroj se mua nuk më lë të harrohem pas arritjeve tona.

Janë 106123 vende pune të shtuara në regjistrin e të punësuarve të këtij vendi, në vetëm 18 muaj.  Por nuk më mjaftojnë mua për ta pasur shpirtin në paqe, kur imagjinoj qoftë dhe njërin prej jush, që zgjohet në mëngjes dhe ka një trishtim mbytës se nuk ikën dot në punë pasi nuk ka punë. Unë nuk jam magjistar, por s’do  të kursehem asnjë çast në mundimet e mia dhe ju siguroj se nuk do të kursehemi asnjë çast të gjithë së bashku që të çlirojmë sa më shumë prej jush nga ferri i padurueshëm i papunësisë.

Unë dua t’i drejtohem familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar në shtëpi. Jetojnë me ndihmë ekonomike apo me mbështetje nga të afërmit në emigracion dhe dua tu them se ne thuajse e kemi trefishuar ndihmën ekonomike, por unë e di shumë mirë se thuajse trefishimi i ndihmës ekonomike, krahasuar me 18 muaj më parë, mund të jetë një shifër kuptimplotë për ne që e themi, po jo për ju që e keni. E di se sa më e vështirë është bërë jeta juaj, tani që të afërmit në emigracion e kanë shumë më të vështirë t’ju çojnë para si më përpara, sepse janë në Greqi, janë në Itali, janë të përfshirë edhe ata në vorbullën e krizës së madhe financiare.

Por besomëni se jo vetëm e di, por dhe e ndjej. E ndjej si një peng, këtu, se çfarë mund të ndjeni ju, kur nuk dini si ta gëzoni djalin apo vajzën, ditën e ditëlindjes, sepse nuk keni më shumë sesa të mbani frymën gjallë. Unë nuk jam i mbinatyrshëm, jam thjesht një si ju. Por nuk do të lë asgjë pa bërë dhe ne nuk do të lëmë asgjë pa bërë, që të çlirojmë sa më shumë si ju nga ferri i padurueshëm i varfërisë.

Dua shumë sinqerisht t’i drejtohem kujtdo që në derën e shtetit ka ndeshur edhe mbasi ka votuar në 23 qershor, surratin e neveritshëm të korrupsionit dhe ka mbetur pa e marrë atë që i takon, ose më keq akoma, ka paguar për të marrë qoftë dhe një vërtetim të rëndomtë. 18 muaj janë shumë pak, për të shfarosur një sëmundje që ka hyrë kaq thellë, të cilën ne jemi të vendosur ta shfarosim me vendosmëri, duke i shkuar deri në fund modernizimit të sistemeve dhe duke e bërë gjithmonë e më të pafuqishëm zyrtarin e shtetit, përmes forcimit të shtetit si mekanizëm.

Por nga ana tjetër ju siguroj se duke e ditur shumë mirë që unë nuk jam në këtë detyrë se jam më i mirë se ju, apo se jam më i zoti se ju, por sepse ju më keni zgjedhur, jam i betuar që deri ditën e fundit të kontratës me ju ta luftoj bashkë me të gjithë ata që kanë të njëjtën aspiratë, korrupsionin si një të keqe që nuk duhet të prekë asnjërin prej jush.

Unë e di shumë mirë që ka familje, të cilat nuk kanë para të paguajnë dritat, nuk kanë para të kapërcejnë malin e borxheve që kanë akumuluar prej shumë kohësh. Por unë di edhe një gjë tjetër, që, nëse ne sot bëhemi të butë, nuk bëjmë asgjë tjetër, veçse marrim borxh të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të shtyrë të sotmen. E kemi bërë këtë 25 vjet dhe unë do ta quaja tradhti edhe ndaj jush, që sot mbase më shikoni si njeriun që nuk ka shpirt dhe nuk kupton dhimbjen tuaj. Nuk ka problem. Por jam i vendosur dhe i sigurt për një gjë, që e ardhmja e fëmijëve tuaj të jetë e ardhmja e tyre dhe jo borxhi i marrë prej jush, në kurrizin e tyre.

Unë e di shumë mirë që ka njerëz, të cilët kanë humbur punën. Të vetmen punë që kishin se është prishur ndërtimi pa leje, në mes të rrugës, mbi trotuar, aty ku një projekt më i rëndësishëm është dashur të bëhet. E di që nuk është e lehtë, madje ju siguroj se e di që është më shumë sesa e rëndë. Por e bëmë 25 vjet këtë gjë. E bëmë 25 vjet, duke bërë përshesh tokën që nuk e kemi amanet nga të parët tanë, por e kemi marrë borxh përkohësisht nga fëmijët tanë. E duke i mirëkuptuar të gjithë ata që edhe mund të më mallkojnë për këtë, unë jam shumë i vendosur që në këtë histori, ne të jemi sëbashku, për të mos marrë më borxh të ardhmen e fëmijëve dhe për të mos jetuar më në kurrizin e tyre.

Janë shumë familje që humbën investimet e tyre, duke i çuar fëmijët në universitetet private të Saliut. Në universitetet fantazmë, që njësoj si piramidat e Sudes thithën para duke shitur iluzione. Por më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund. Tmerrin pa fund e kemi parë 25 vjet. Dhe pas fundit të tmerrshëm jam i sigurt se edhe për ata të rinj hapet një perspektivë e re, sepse një eksperiencë jete e nevojshme është fituar tanimë. Por nga ana tjetër nuk do të ketë më prindër, të cilët të investojnë gjakun, djersën, ëndrrat e tyre në universitete piramida dhe në vend se të shohin në fund, dritën e syve të tyre të shkëlqejë si mjek, si inxhinier, si ekonomist, të ketë në shtëpi një të papunë, me diplomë pa asnjë vlerë. Kjo nuk do të ndodhë më.

Ne në 21 qershor duhet të jemi të gjithë shumë krenarë.  Sigurisht, unë jam krenar për Vangjush Dakon dhe e konsideroj veten të privilegjuar që kam një mik dhe një bashkëpunëtor me vizionin dhe me fuqinë realizuese të Vangjush Dakos. Siç jam krenar dhe për shumë të tjerë. Por ne të gjithë sëbashku duhet të jemi krenar, pasi në 21 qershor, me votë ne do të vulosim atë çka është sot në letër, një nga reformat më të rëndësishme për të riorganizuar shtetin shqiptar dhe për të vazhduar në rrugën e modernizimit të shtetit shqiptar.

Mbështetja juaj sot për Vangjushin dhe gjithë kjo prani e jashtëzakonshme në këtë shesh, – që duke qeshur me Vangjushin sa herë e shikonim, thoshim gjithçka në rregull, vetëm se duhet të gjejmë një vend tjetër për të bërë mitingje, se këtë nuk e mbushim dot, po praktikisht, këtu ka njerëz që janë dhe në dy anët mbrapa sheshit, – është një mbështetje plotësisht e merituar. Por është edhe një prezencë që flet, të paktën mua më flet për diçka tjetër. Flet për besimin dhe pritshmërinë që ju keni për atë që vjen nesër. Jam i bindur që nuk keni ardhur në këtë shesh, me kaq shumë entuziazëm, se ne kemi bërë ndonjë mrekulli këto 18 muaj. Por keni ardhur me kaq entuziazëm, sepse keni besim se ajo që vjen, është ende më e mirë se ajo që kemi parë në 18 muajt e bilancit tonë të parë.

Unë me Vangjushin do të bëjmë çmos, ashtu si me gjithë kryetarët dhe kryetaret e bashkive që do të dalin fitues nga 21 qershori, që këtë pritshmëri të mos e tradhtojmë. Nuk jemi të mbinatyrshëm. Nuk kemi fuqi magjike. Nuk mund të zhbëjmë sa hap e mbyll sytë, atë që është bërë mbrapsht në gati çerek shekulli. Por kemi vendosmërinë që të jemi ju dhe për ju dhe kur të largohemi nga këto detyra, të mos na vijë turp përpara jush. Të mos na duhet të fshihemi apo t’i fshihemi realitetit, siç bën dikush që deri dje kishte mundësinë historike të modernizonte Shqipërinë. E la të rrënuar dhe sot jeton në mohim të realitetit, se në fakt është e vetmja mënyrë. Në rast se ai do të hapte sytë, të shikonte se çfarë ka bërë, do të ndërtonte me sytë e vet ferrin e tij. Kështu që, kjo është kostoja që paguan gjithkush që detyrën për të shërbyer e merr sikur e ka privilegj nga Zoti dhe jo sikur e ka privilegj dhe nder nga njerëzit e zakonshëm të vendit, të cilëve i shërben.

21 qershori është historik, jo se do fitojmë ne. Ne do të fitojmë, por kjo është pak. 21 qershori është historik, sepse do të fitojnë gratë dhe vajzat. Atë të cilën rrezikonim që ta shihnim të rrokullisej si të gjitha të tjerat, pasi sot në Shqipëri ka realitete shumë të bukura, si këtu në qendër të Durrësit, por mos harroni se ka realitete ku vajzat nuk i lënë të dalin nga shtëpia, nuk i lënë të shkojnë në shkollë, nuk i lënë të jenë njësoj si djemtë që kur janë të vogla dhe në 21 qershor duhet të shkoni të votoni edhe për ato vajza, edhe për ato gra. Sepse ne nuk mund të pranojmë që në shekullin e XXI, në mes të Europës, në Shqipëri të ketë qoftë dhe një vajzë që nuk e lënë të dalë nga shtëpia, të ketë qoftë edhe një grua që nuk e lënë të punojë, sepse e konsiderojnë si kafshë pune.

Aq më tepër që kemi edhe një interes shumë të madh që gratë dhe vajzat të votojnë, sepse gratë dhe vajzat kanë të paktën që në kohën e Çajupit që janë shumë përpara burrave. Burrat i kanë lënë mbrapa në këto 20 vjet, duke shfrytëzuar brutalitetin e një politike që u burrërua aq shumë, sa humbi çdo burrëri, u burrërua aq shumë sa humbi fytyrën. Ndërkohë që unë besoj shumë tek ajo që thotë Margaret Theacher, në qoftë se do të dish si ta thuash një gjë, këshillohu me një burrë, por në qoftë se do të dish sesi ta bësh sa më mirë një gjë, këshillohu me një grua.

Sfida jonë e 21 qershorit është një sfidë që më shumë se kurrë është sfida e fshatit. Fshati ka votuar edhe në të kaluarën, por ka votuar për kryetarë komunash si Ceni i Rrashbullit, që, në qoftë se do të ishim në kushtet e një vendi që nuk do ta kishte humbur kaq shumë sensin e trupit të qytetit, duhet të gjykohej në Hagë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, me ato tmerr që ka bërë në kodrat dhe në ullishtat e Rashbullit. Po sikur të ishte vetëm Ceni, do thoshin “çdo ven e ka një Cen”. Po nuk është vetëm Ceni, është një histori Cenash dhe cenesh, që në 21 qershor mbaron, sepse nuk kemi bërë një bashkim mekanik njësish vendore, por kemi bërë ndërtimin e 61 njësi ekonomike të zhvillimit, ku fshati, siç e patë edhe në programin e Vangjushit, është në zemër të zhvillimit.

Sigurisht që gjithçka që u tha, gjithçka që u prezantua e gjithçka që kemi thënë në këtë fushatë është aspiratë. Po nga aspirata tek realizimi, rruga do të jetë e vështirë dhe do të ketë mund dhe sakrifica. Nuk do ta harroj kurrë akoma sot, një nga gjerat që është pengu i këtyre 18 muajve. Është fakti se ka fshatra në Shqipëri që janë shumë të izoluar dhe në ato fshatra ku unë kam rastisur të shkoj, unë kam takuar njerëz që nuk kanë asgjë, nuk kanë rrugë, nuk kanë mundësi ta nxjerrin prodhimin në treg dhe nuk kanë iluzione. E vetmja gjë që kërkojnë, e di çfarë është, duan një mësues anglishteje në shkollën e fshatit. Dhe e duan mësuesin e anglishtes në shkollën e fshatit, sepse anglishtja, në përfytyrimin e tyre plotësisht të drejtë si prindër, ju jep fëmijëve krahë të fluturojnë dhe të ikin nga fshati, pa pasur frikë se në qytet do të mbeten lypsar, për mungesë të prindërve dhe të njohjeve.

Ne, sot, akoma nuk e kemi garantuar që të kemi mësues anglishteje kudo ku ka një shkollë dhe t’ju mësojmë anglishten fëmijëve në çdo shkollë, që nga qendra deri në fshatin më të largët. Por lajmi i mire është që me heqjen e ditëve të pushimit që paguheshin, kur binte festa ndryshe dhe paguhesh dita tjetër, ne kemi kursyer 6 milionë dollarë, të cilat do t’i investojmë për mësuesit e anglishtes, për mësuesit e nevojshëm edhe në fshatrat më të largët dhe për mjekët aty ku mungojnë, apo për specialistët që kanë filluar të braktisin spitalet e periferive. Bashkitë e reja do të jenë krahu ynë. Vangjushi do të jetë krahu ynë, që shkollat në Bashkinë e re të Durrësit mos të kenë dallim, si shkolla në qendër të Durrësit apo shkolla ku shkojnë ata, të cilët janë në periferinë më të skajshme.

Mesazhin e fundit e kam jo për demokratët, se është fjalë e madhe dhe ne demokratët i kemi në koalicion, por e kam për anëtarët e Partisë Demokratike të Durrësit, të cilëve duhet t’ju them vetëm kaq: Stërgjyshi im la Beratin dhe erdhi në Durrës për të hapur shkolla. Stërgjyshërit tuaj bënë edhe ata kontributin e tyre, secili në rrugën e  vet, për të krijuar një qytet, i cili ka qenë qysh në krye të herës, qyteti i kulturës qytetare, i bashkëjetesës qytetare dhe i vlerësimit qytetar të njëri-tjetrit. Prandaj, anëtarët e Partisë Demokratike të Durrësit kanë një mundësi të artë në 21 qershor, që të bëjnë atë që do të kishin bërë stërgjyshit e tyre, – të cilët do kishin fatin që nuk e kishin njohur Saliun dhe nuk do të kishin ndonjë problem që ta linin Saliun në ferrin e të kaluarës së vet, – të votojnë Vangjush Dakon. Sepse programi i Vangjush Dakos është programi i familjes së tyre, është programi që bën që çdo familje ku ka anëtarë të Partisë Demokratike, kur hap derën e shtëpisë të gjejë qytetin që i duhet, të gjejë rrugën e shtruar pa gropa, të gjejë rrugën e pastruar pa plehra, të gjejë çerdhen, kopshtin dhe shkollën ku do të çojë fëmijën e vet. E sigurisht s’mund të jua bëjë SHQUP-i, as çerdhen, as kopshtin, as shkollën. Si dhe të gjejë të gjitha hapësirat që i kanë munguar deri dje. Ndërkohë le të vazhdojë të rrijë anëtar i Partisë Demokratike. PD është pasuri kombëtare, që për momentin ka  rënë në duar të gabuara, është në drejtim të paditur dhe kush do ta ndihmojë Partinë Demokratike realisht, duhet ta kundërvotojë në 21 qershor, që mbase kush e di, e zgjon nga gjumi me gërhima  dhe e bën të kthehet të realit dhe të kuptojë që shqiptarët nuk janë më ata që shkonin mbas Sudes, mbas Xhaferit, mbas Vehbiut, mbas Saliut.

Shqiptarët sot kanë ambicie, duan cilësi jete dhe duan të jetojnë në qytete europiane, pavarësisht se janë në qendër të qytetit apo në fshatin më të largët.

Kam një amanet dhe dua ta plotësoj. Dje në takimin e Tiranës solla një shprehje të një burri të vjetër, që foli në takimin e Himarës. Ai ishte shumë i acaruar me sloganin “Punë dhe Dinjitet” dhe më tha se Saliu është punë pa dinjitet, Luli është dinjitet pa punë. Kur unë e risolla këtë shprehje,  një tjetër më i acaruar më tha, çfarë është “punë pa dinjitet e dinjitet pa punë”, duhet ta korrigjosh. Të lutem, më tha, thuaje siç po ta them unë: “Këta janë të tërë punë për lumë, dinjitet vetëm në gjumë.”

Ju faleminderit dhe shkoni të votoni në 21 qershor, për të marrë kënaqësinë e të qenit pjesë në një moment historik.

25 komente në “Fjalimi i Ramës në Durrës: Jam zotuar t’i çoj në fund premtimet e 23 qershori”

  1. ALEX says:

    Nji fjalim shum i rendesishem!Ngelin akoma 30muaj per perfundimin e macit 4 vjecar! Shpresoj qe fjalimi i rradhes te jete me optimist pera shqiptaret!Zoti ne krah iu qendrofte!

    1. fjalimi says:

      keryeministri edi rama kur erdhi ne pushtet u zotua per disa reforma te thella per te lindiur vendit. deri tani nje pjese nga ato premptime jane tashme te kryera sic eshte edhe reforma teritoriale. ne kete gjysem te dyte te mandatit socialist, reformat e mbetura si ajo ne drejtesi do marrin jete!!

      1. Agamemnoni says:

        Vazhdoni rrugen e nisur ke mbeshtetjen e popullit. Reformat e nisura te dergohen deri ne fund. Shqiptaret sot po vuajne ende pasojat e keqqeverisjes tete vjecare te Partise Demokratike. Gropa e madhe e krijuar, borxhet, korrupsioni i larte ishin gjendje e trasheguar prej 23 vitesh. Pra kjo qeveri po mbulon problemet e shkaktuara ne keto 23 vite. Me keto hapa padyshim qe do progresojme e do ecim perpara, drejt zhvillimit.

        1. teona says:

          Edi Rama ben diferencen me gjithe politikanet e tjere shqiptare, nuk flet kot per te mbushur radhet e fjalimeve, se nuk ka ca thote, i mendon mire fjalet dhe ka vendosmerine per te permbushur premtimet. Ai i ve ne rresht te gjithe anetaret e kabinetit qeveritar per te mbajtur premtimet e per t’iu perligjur besimit te dhene nga qytetaret, andaj nuk ka pike medyshje, qe po do te behet edhe Shqiperia nen drejtimin e Edi Rames.

          1. zafir says:

            E dime sa te veshtire e ke zoti Rama me drejtu kete vend qe eshte shkaterru deri ne palce, nga hajdutet ma te mdhenj qe ka njoft historia. Reformat qe ke nis, sado te dhimbshme e qe nuk u pelqejne shqiptareve, jane vendimtare per te bere shtet, se te gjithe duam Shqiperi si Europa, po ne Europe ka ligje qe i zbatojne te gjithe pa dallim, shqiptaret qe jane mesu au iu, u duket e zorshme me zbatu ligjet. Vazhdo ne kete rruge, se je mire e ke per ta pas gjithmone besimin tone.

            1. stinela says:

              Po le gjurme ne historine e Shqiperise, solle nje fryme politike ndryshe, i dhe mundesine te rinjve te spikatur qe te kontribuojne ne politike, per te ardhmen e ketij vendi, e zgjerove dhe e hape partine per te gjithe, per te mos ricikluar me te njejtet njerez, solle risi ne fushate, plot ngjyra e pozitivitet, gare te vertet me alternativa duke hapur rrugen per nje vend te vertete demokratik.

              1. olta says:

                Sot, pas 2 vitesh pune te kesaj qeverie, dhe pas 1 muaj fushate, ka dy alternativa, e majta qe punon e i pergjigjet qytetareve, qe po ndryshon politiken po e con ne drejtimin e duhur, ka njerez te afte e kompetente, dhe ka nje te djathte qe vetem paraziton, ka vetem histori skandalesh e precedente kriminale, qe perpiqet me menyrat nga me te pisetat per te ardhur ne pushtet. Ne sot e kemi te qarte, qe alternativa qe duam per te ardhmen tone eshte vetem e majta me ne krye Edi Ramen.

    2. mario says:

      Puna e qeverise ne 18 muaj ka treguar qe po rilind edhe po e con shqiperine ne drejtimin e duhur. reforamt qe kjo qeveri po ndermerr po tregon nje nga nje se kjo qeveri eshte per qytetaret edhe jo per pushtetaret. me 21 qershor do vertetohet akoma edhe me shume mbeshtetja e popullit per aleancen e shqiperise europiane!

      1. liza says:

        Me ne fund shteti i eshte kthyer qytetarve duke ju sherbyer atyre nje nga nje. kjo gje shihet shume qarte ne kto 18 muaj nga investimet qe qeveria po ndermerr sidomos ne ato te rilindjes te zonave urbane si nje nga pjeset kryesore te rritjes se imazhit te vendit tone!

    3. Ymer says:

      Bilanci i qeverise qendrore behet pas kater viesh. Qeveria ne kete nje vit e gjysme ka arritur te kryeje nje sere reformash e te ndermarre nje mori masash. Reforma ne pensione, kthimi i rendit ne vend, reforma ne sistemin energjitik, stopimi i ndertimeve pa kriter, prishja e ndertimeve pa leje, permiresimi i imazhit ne arenen nderkombetare, jane nje sere reformash te ndermarra. Ka ende shume per te bere por e rendesishme eshte qe jemi ne rruge te mbare.

    4. Falmerajer says:

      Lokomotiva e nje vendi eshte ekonomia, ajo eshte futur ne shina. Situata ekonomike nuk eshte optimale por nuk duhet harruar se ne cgjendje u katandis vendi nga qeverisja e dobet e te djathtes por duhet pasur parasysh edhe situata globale. Reformat pothuajse ne te gjithe sektoret, lehtesirat fiskale qe u krijohen investitoreve te huaj, dhenia fund e abuzimit me TVSH, permiresimi i imazhit te vendit qe sjell ardhjen e investitoreve te huaj, etj, jane pune te bera ne kete nje vit e gjysme.

    5. rezart says:

      Zoti Rama!
      Ti zotohu sa te duash se ate pune ke,por VILEN E MADHE ne Surel nuk besoj se e bere me leket e rroges mujore!
      Ke bere plot gjera te mira,por i ke bere sipas RADHES TENDE DEMAGOGJIKE!
      Edhe MARKSI qe ishte armik i KAPITALIZMIT ka thene:
      -“Njeiut para se t’i kerkosh te merret me politike duhet t’i sigurosh PUNE(LEKE-LEKE e jo pallavra) dhe STREHIM”!!!
      Ne ish ushtarakeve sado te kesh bere rruge,qendra qytetesh,falje borxhesh per bizneset,legalizime falas per GRABITESIT E TROJEVE DHE SHKELESIT E LIGJIT,falje te gjobave te Berishes etj NUK NA HYNE NE PUNE se mua me duhet qe ti te me jepje PENSIONIN QE ME TAKON sipas ligjeve dhe qe prej 23 vitesh qeverite barbare(si kjo e jotja per keto dy vjet) na e kane ulur 50% masen e pensionit!
      Ke patur mundesi ta SHFUQIZOJE Aktin Normativ nr.5/2009 ANTIKUSHTETUES dhe te zbatoje Vendimin nr.33/2010 te Gjykates Kushtetuese qe na jep te derejten ne ish ushtarakeve!
      Te shfuqizoje SHPALLJEN DEBITORE,se kjo mase eshte jo vetem ANTI KUSHTETUESE,por edhe thellesisht KRIMINALE!!!
      Dhe ne fund te fundit,ne se keto NUKI MUND T’i beje dot,te pakten te dilje burrerisht e te na jepje sqarime ligjore se PSE NUK NA E JEP TE DREJTEN!!!
      Po milionat e burgut te ish te perndjekurve,me cfare Vendimi Gjyqesor ua jep,kurse ne ish ushtaraket po rropatemi vite te tera neper gjykata???
      Ja pra,zoti kryeminister dhe kryetar bi PARTISE VTIN|ME se ti je MASHTRUES DHE PS-ne e ke SHKATERRUAR MORALISHT DHE IDEALISHT!!!
      Familjarisht NUK TE VOTOJ NESER dhe te konsideroj po aq ARMIK NDAJ USHTARAKEVE SA EDHE FASHISTI SALI BERISHA!!!
      Nuk ka me INTERES TE PERGJITHSHEM,o zoti kryeminister,por ka INTERES PERSONAL!!!
      Ti nuki je kryetar i8 te VARFERVE,por i te PASURVE,prandaj i jap te drejte Ben Blushit se ti PS-je e ke PRIVATIZUAR me keq se Berisha PD-ne!
      HARRAM I PAC VOTAT TONA!!!

  2. Pelasgian says:

    Sa bukur i trumbeton premtimet (RRENAT) para zgjedhjeve .

    Bilbil bilbil boheni kur ka zgjedhje….

    Dy vjet nuk te mjaftun per me majt premtimet me te rencishme?

    Talluni talluni me delet!

  3. BillNY says:

    You are great, smart and even Noli should be proud of you!

  4. Sit back.. and .....relaks says:

    Dmth tani arritem ne piken ku premtojm qe do mbajm premtimet, pas dy vjetesh te tjere do premtoje qe do mbaje premtimin per te mbajtur premtimin e keshtu me rradhe. Po mire o Mero, po sikur zoti vete ta kishte shkruajtur kete fjalim ska burre nene te kete durim ta degjoje pa le ta lexoje. Ti je gazetar profesionist dhe si i tille tek lexuesi duhet te sillje thelbin, koncentratin e fjalimit se keshtu si e ke bere qe ke paragrafi i dyte njerezit fillojne tja varin. Ky fjalim i rames eshte si puna e kastravecit 90% uje e 10% brum. Pa folur psh qe si media e “pavarur” qe je duhet te jepje edhe fjalimin e Bashes, apo do te kompensosh faktin qe basha e mbajti fjalimin dhe mitingun permbylles i fundit dhe ketej jep 7 qillo leng fjalim te rames. Nga gjithe referati i gjatoshit te krijohet sikur rama eshte ne opozite dhe sozia i tij ne pushtet. Votojini o popull dhe pini supe me premtime per 4 vitet ne vazhdim. Supa me premtime ne ndryshim nga supa me perime eshte akoma dhe me dietike.

  5. meckojati says:

    I dashur kryeminister! A do te jesh ti ai qe do mbetet ne histori per rilindjen e shtetit,te popullit. Une them se po: atehere mos lejo anje te prishe rrugen e nisur drejt nje te ardhme te begate. Urime te sinqerta.

  6. faro says:

    I persosur! Je i vetmi drejtues qe te ofron besim! Fjalen e ke pune!
    Faleminderit!

  7. Socialisti bythpambuk says:

    Je kokrra e mashtruesit .

  8. Petro says:

    Nje mMsolin dhe asgje tjeter.Do t ia shohi shume shpejt hajrin populli.Demagog dhe genjeshtar.Fasade.Se fundi edhe arkitekt dhe urbanist i rafinuar.Durresi kokfortesisht mbuluar me beton.Edhe nje shi veror e permbyti para dy ditesh.Asnje fjale per te.Genjeshtrat e Dakos i ktheu ne legjenda.Me se fundi iu drejtua te varferve per durim.Pashallaret e kuq ne veprim.

  9. dr says:

    E verteta eshte qe Dako ka bere me shume investime ne keto 18 muaj ,dhe padyshim te gjitha planet qe ai ka per te rregulluar qytetin tone shume te dashur ,me mbeshtetjen e kesaj qeverie jane shume te besueshme .Durresi cdo vit po RILIND .
    Partise demokratike ju zhdukt fara ,nuk duhet te ekzistoje me ajo trup kllauesh te cirkut ,qe per vite me radhe vetem e shkataruan ,jo vetem Durresin por gjithe Shqiperine .
    Sot po ndricohen dhe shume qytete te cilat ishin lene pas dore prej vitesh dhe qe po rrenoheshin ,si Korca .
    Korca sot po ndryshon ne cdo rruge dhe rrugice cdo park dhe fasadat e qytetit po rindertohen .
    Bravooooo Rama !!!!!!!

  10. eri says:

    Nuk besoj qe rama te mbaje premtimet. deri tani ka mbajtur vetem nje premtim: ka rritur taksat. Rama eshte frikacak: me gjasme kunder korrupsioni (tani eshte me i dukshem e me agresiv), coi ne gjykate kryetarin e vlores, te fierit, te gjirokastres, te gjithe te partise se tij, asnje te krahut tjeter. Edhe ate miziun e kamzes, beri sikur e coi. Shikoni harten e mbledhjes se dritave, vetem ne pjesen tirane e posht ne lug jane mbledhe e futur ne burg, ne veri nuk ja mbane; premtoi se lungomaren do ta ndertonte brenda vitit te pare te mandatti, deri tani vetem ka shkaterruar disa ndertime, duke lene me dhjetra e dhjetra familje pa pune e te ardhura dhe ka shtruar vetem balte ne plazh dhe asgje me teper. Ai di qe vlonjatet nuk flasin dhe ja japin voten vetem te majtes. Elektoratin e majte e la rrugeve ( a thua qe ata kane votuar qe rama te krekoset e te dale tu bej karshillek), nuk i futi ne pune. Administrata eshte e mbushur me te korruptuarut dhe te pa aftet e berishes. Shikoni si i sillet i.metes, lepe peqe,sikur ai te ishte ne vend te tije, i trembet deri ne vdekje. Tani gjasme se kercenon organet e drejtesise: keni per ta pare, asgje ska per te bere. Rama behet trim vetem kur del ne TV, atje ben sikur do bej namin. Shikoni, asnje reforme deri tani nuk ka cuar deri ne fund. I ka nisur me buje e nuk i ka bitisur.
    Keshtu ka per te ndodhur me te, deri ne diten qe dote mbylletne kullen e tij ne surrel.

  11. fshatari says:

    Ky e ve ne maje te K…it Sali kurven

  12. shkodrani says:

    Te kena kujtu burre me dy rr te forta, por paske ken nji rrenacak I poshten.
    Heren e pare na rejte, bravo te kjofte.
    Po na rrejte heren e dyte haram na kjofte.
    Ke me mare 1.5 million shuplaka o rrenacak.
    Ti ke rejt shoket e tu, ki ke rejt mbeshtetesit e tu, e tash qi po te duhen votat, na del e na ban premtime.
    Pac faqen e zeze, ene nuk ke sy e faqe me ju dal para socialisteve qi te e kan besue thythen tande prej pederasti.

  13. A says:

    Mender EDI RAMA, si RILINDES i PJERDHUR, te dhame NJEMIJELION VOTA me 23 QERSHOR qe te shkulesh nga themelet gjithcka te ndertuar keq ne te gjitha fushat. Por, deri tani shume fjale dhe brockulla. Nuk kemi pare qe te zberthesh GERDECIN, RRUGEN e KOMBIT, 11 JANARIT i ke harruar 4-ter te VRARET etj, etj. Mbi te gjitha shperdorimet marramendese dhe stronomike te qeverise se kaluar me Krietar SALI BERISHEN.
    Sa erdhe ne fuqi fillove dhe vazhdon vetem ngritje taksash, tarifash, akcizash per shumicen e popullsise, kurse atyre qe shperdorojne, qe vjedhin dhe grabisin per dite taksa paguesin shqiptare, deri tani i ke lemuar dhe i ke ngrene mune. Prandaj ke shume fjale dhe brockulla, demagoxhi e gjalle.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje