Një vullnetare italiane e Karitasit, e cila ndihmonte në rritjen e dy fëmijëve të Arta Kacabunit, shqiptares 41 vjecare, tezja e muhaxhedinit Aldo Kobuzi në Siri, e arrestuar në Itali me akuzën e terrorrizmit ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Martesa”, ka përcjellë sot në media detaje nga jeta e shqiptares së arrestuar.
“Arta deri në fund të gushtit të 2013, ishte një grua normale, i pëlqente të trukohej, madje hante dhe salçiçen e derrit të ndaluar nga Kurani”, tregon vullnetarja e Karitasit.
“Pas udhëtimit në Shqipëri, kthehet në Itali e mbuluar kokë e këmbë.
E motra Donika Çoku e kishte bindur të përdorte veshjet myslimane.
Madje e motra nuk e lejonte të punonte as në vreshtat e të mblidhte rrushin pasi me të bëhej verë e konsiderohej mëkat nga Kurani.”
Kujtojmë se Donika Cako, e motra e Arta Kacabunit dhe e Baki Çokut, 37 vjeçarit të arrestuar në Shqipëri, ndodhet në Siri së bashku me djalin e saj Aldo Kobuzin e bashkëshorten e tij Fatima az-Zahra (Maria Giullia Sergio) si dhe me vajzën Seriola Kobuzi, me fëmijën e lindur nga martesa me Maringlen Dervishllari, pogradecari i vrarë pak muaj më parë në Siri.
Sipas vullnetares italiane, Arta Kacabuni fliste shpesh me motrën e saj Donikën, e cila punonte e ndjehej mjaft mirë në Siri, raporton Ora News. Madje Arta Kacabuni komunikonte pothuajse çdo ditë dhe me familjen e italianes Fatima az Zahra (Maria Giulia Sergio).
Arta Kacabuni i detyronte fëmijët e vegjël të luteshin pesë herë në ditë e të repsektonin Ramazanin.
“Tre ditë para se të arrestohej- tregon vullnetarja italiane- Arta më thotë se duhet të ndryshoj emrat në fëmijëve në emra të vërtetë mysliman.
Përballë mendimit tim kundër ajo replikon se këtë gjë ia kishte kërkuar e motra në Siri e se donte që emrat e nipërve të saj të ishin emra të vërtetë myslimanë.”
“Aldo Kobuzin e kam takuar disa herë në shtëpinë Artës- tregon ajo- ishte gjithnonë i lidhur në internet me sitet radikale islamike. Një ditë më tregoi se një grua myslimane kishte vdekur pasi kishte hequr vellon. Allahu mori hak duke e zhdukur.”
“Dhe Fatima az Zahra e kam takuar- tregon vullnetarja e Karitasit.
Shkolla sapo kishte nisur e duhet të ishte fillimi i muajit shtator, më 2014. Ma prezantuan si bashkëshorten e Aldos. Në shtëpi nuk mbulohej e kujtoj flokët e saj ngjyrë gështenjë. Më pyeti nëse isha e krishterë e shtoi se dhe ajo ishte dikur por kishte përqafuar fenë islame si një besim fetar më i pastër.”
Pak ditë më vonë më 21 shtator të 2014 Aldo Kobuzi së bashku me Fatime az Zahra largohen nga Italia drejt Turqisë e më pas në Siri.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Milanos, nga Siria familjarët e saj insitonin shumë që Arta Kacabuni me fëmijët e saj të niseshin drejt Shteti Islamik.