Klosi- drejtuesve të qendrave sociale: Dhuna nuk tolerohet, do mbani përgjegjësi ligjore

10 Korrik 2015, 15:16Sociale TEMA

Dhuna nuk tolerohet! Me këto fjalë e ka nisur takimin e sotëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, me drejtues dhe punonjës të qendrave rezidenciale në mbarë vendin që ofrojnë shërbime sociale. Nisur nga ngjarjet në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ku një prej kujdestareve të saj ushtronte dhunë ndaj një të mituri, ministri Klosi ka qenë i prerë në qëndrimin e vet, duke iu bërë të qartë të gjithë punonjësve të këtij shteti se do të përballen me ligjin për çdo shkelje të të drejtave të fëmijëve dhe personave të tjerë të strehuar në qendrat e shërbimeve sociale.

“Dhuna ndaj përfituesve nuk duhet të ekzistojë në institucionet tona të përkujdesit shoqëror, në asnjë lloj forme që të shfaqet. Dhuna nuk tolerohet! Personalisht do të ndëshkoj rëndë çdo akt të tillë dhune dhe do të dërgoj në ndjekje penale çdo personel apo drejtues që neglizhon situata të tilla. Do të dërgoj pranë organeve të hetuesisë edhe çdo punonjës apo dëshmitar prej tyre, që nuk denoncon në kohë reale situata të tilla të papranueshme dhune. Le të jetë e qartë për të gjithë: nuk ndëshkohet penalisht vetëm personi që ushtron dhunë, por edhe personi apo personat që janë dëshmitarë të dhunës dhe nuk e raportojnë atë”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Më tej ai ka bërë të ditur se personeli i institucioneve të përkujdesit social që sot e tutje do të testohet, vëzhgohet e monitorohet në 24 orë nëpërmjet mekanizmave të inspektimit të shërbimit shoqëror, të cilët do të marrin masa të menjëhershme për reagim ndaj çdolloj evidentimi të situatave të ndryshme problematike, të ngjashme me ato të një jave më parë.

Ai ka theksuar se më shumë sesa dhuna e ushtruar nga punonjësja e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, është familjariteti që kolegët e saj kishin me veprime të tilla.

“Por ajo që unë pashë kur bëra takimin me kolektivin e qendrës së fëmijëve më shqetësoi më shumë sesa ngjarja që pashë në televizor. Familjariteti me situatën është i patolerueshëm, familjariteti me atë që ndodhi dhe thënia hë se një rast ishte, është fjala që nuk duhet përsëritur”, – tha Klosi.

Ndaj ai ka theksuar se ajo që ndodhi në Shkodër le të jetë një ngjarje që t’i bëjë të gjithë të mendojnë se sistemi ka nevojë shumë për ndërhyrje. “Ka nevojë shumë për ristrukturim, ka nevojë shumë për reformë të thellë. Ajo që ndodhi dhe që e panë njerëzit në televizion shqetësoi padyshim çdo prind dhe çdo qytetar të këtij vendi”, – tha Klosi. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje