Terrorizmi dhe azili/Tahiri: Shqipëria rol kyç në reformimin e sektorit të sigurisë

10 Korrik 2015, 12:37Sociale TEMA

Ministrat e Brendshëm dhe Drejtësisë të BE-së dhe të vendeve kandidate u mblodhën në një takim dy ditor në Luksemburg, për të koordinuar dhe bashkuar energjitë në luftën kundër terrorizmit dhe migrimit ilegal.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai i Drejtësisë Nasip Naço përfaqësuan Shqipërinë në takimin informal.

Pjesëmarrësit ndanë opinionin se për të patur rezultate në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në tërësi, është shumë e rëndësishme që të ndahen informacione mes shteteve.

“Roli i Shqipërisë është padyshim rol kyç për të kontribuar me forcat e saj në reformimin e sektorit të sigurisë, por edhe në hapat dhe masat që janë marrë dhe që do të merren me partnerët tanë kryesorë, për të garantuar më shumë siguri për qytetarët tanë dhe për qytetarët në Bashkimin Europian”, u shpreh pas takimit Ministri i Brendshëm.

Një tjetër temë e diskutimit, ishte çështja e azilit që vjen kryesisht nga vendet e Lindjes dhe të rajonit tonë.

“Edhe në këtë kuadër, roli i Shqipërisë është themelor, ku së bashku me partnerët ndërkombëtarë kemi vendosur të koordinojmë axhendat dhe planet e veprimit, në mënyrë që rezultatet të jenë të shpejta, të qëndrueshme në kohë dhe në mënyrë që fenomeneve të tilla, si lufta kundër terrorizmit, apo migrimi i paligjshëm t’i paraprijmë me masa konkrete dhe reforma, që të mos kthehen në shqetësim për qytetarët në Bashkimin Europian, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe në Shqipëri, po ashtu”, theksoi Saimir Tahiri.

Kjo është hera e parë që në takimet e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së BE-së, ftohen edhe vendet kandidate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje