Sezoni turistik, policia publikon planin e masave

10 Korrik 2015, 20:13Kronika TEMA

Drejtoria e Policisë Tiranë ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Nisur nga fakti që shumë zona që përfshihen në Qarkun e Tiranës kanë dendësim të trafikut dhe numri i lartë i pushuesve të cilët udhëtojnë me mjete rritet, Policia ka marrë disa masa për mbarëvajtjen e qarkullimit të mjeteve dhe shmangien e fluksit të udhëtarëve që dalin jashtë rrethit.

Në një njoftim për shtyp të Drejtorisë së Policisë Tiranë bëhet e ditur se segmentet rrugore me fluks të madh lëvizje janë rruga interubane (autostrada) Tiranë – Vorë – Durrës, nga ora 07:00 deri në orën 10:00, dhe mbasdite nga ora 19:00 – 22:00.

Ndërsa në qytetin e Tiranës rrugët me trafik të rënduar janë rruga e “Durrësit”, sheshi “Karl Topia”, rrethrrotullimi i Sheshit “Shqiponja”, rruga e “Kavajës” deri në Kombinat, sheshi “Kemal Ataturk”, Ura Teknologjike, Ura “Vasil Shanto” etj.

Për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut, Policia e Tiranës u sugjeron drejtuesve të mjeteve për lëvizjen nga Tirana për në Durrës dhe anasjelltas të përdorin aksin rrugor Tiranë – Ndroq – Plepa. Ndërsa drejtuesit e mjeteve që vijnë nga zonat e veriut për në Tiranë dhe anasjelltas të përdorin për lëvizjen e tyre drejtimin e rrugës Tiranë – Kamëz – Fushë Krujë.

Gjithashtu edhe gjatë lëvizjes në drejtim të zonave të banimit, ose industriale që shtrihen në autostradën Tiranë – Vorë, të përdorin rrugët dytësore që funksionojnë në krah të kësaj autostrade.

Po ashtu ju kërkohet drejtuesve të mjeteve të rënda të zbatojnë disa rregulla. Kështu në ditët e festave ( orari i kufizimit nga ora 14:00 e ditës para festës deri në orën 24:00 dhe nga ora 12:00 e ditës së festës deri në orën 24:00 të po asaj dite).

Në kuadër të masave, Policia bën të ditur se ndalohet qarkullimi në rrugët publike nga ora 09.00 deri në orën 14.00 të ditës së shtunë dhe nga ora 12.00 deri në orën 24.00 të ditës së diel, për mjetet e transportit të mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7500 kg, me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h, mjetet bujqësore dhe teknologjike që kalojnë përmasat kufitare sipas nenit 61 të Kodit Rrugor.

Përjashtohen nga këto kufizime të lëvizjes automjetetet e shoqërimit, automjetet e Forcave të Armatosura, automjetet për mirëmbajtjen e rrugëve , instalimet elektrike, mjetet e shpërndarjes së postës dhe gazeta, mjetet që i përkasin radio televizionit, çisternave që transportojnë ujë të pishëm, mjetet që transportojnë materiale ose paisje për përdorim në situata të jashtëzakonshme, kamionë që transportojnë ushqime që prishen, si mish, fruta etj, kamionë që transportojnë shpendë dhe bagëti të gjallë.

Automjetet e tjera lejohen vetëm në rastet kur për shkak të kohës dhe rrethanave vonesat mund të sjellin dëmë të kosiderueshme materiale.

Shërbimet e policisë së kryeqytetit kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve të rënda për zbatimin rigoroz të këtyre rregullave. Në rast të kundërt do të merren masa administrative për drejtuesit që shkelin kërkesat e këtij udhëzimi.

Për çdo problem që ka lidhje me sigurinë e rendit dhe të qetësisë publike si dhe në fushën e qarkullimit rrugor, policia ka vënë në dispozicion numrat pa pagesë 129 dhe 126.

1 komente në “Sezoni turistik, policia publikon planin e masave”

  1. Zgjidhja says:

    Pas ramazani do ket vërshime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje