Universitetet/ Qeveria përcakton 20. 211 kuotat me kohë të plotë

22 Korrik 2015, 19:31Sociale TEMA

Qeveria përcaktoi kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2015 – 2016, në programet e studimeve të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, janë 20 211 të ndara, si më poshtë vijojnë:

a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, për programet e studimeve jo universitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë   19 651;

b) Kuota për program të dytë studimi           200;

c) Kuota për transferim studimesh           300;

ç) Kuota për shtetasit e huaj                             60.

Kuotat e pranimeve të reja, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përbëhen nga:

a)  Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit       18 986;

b)  Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit             600;

c)  Kuotat për të verbrit                                                                               15;

ç)  Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët                                          20;

d) Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë   15;

dh) Kuotat për jetimët

Në vendim përcaktohet se kuotat e pranimit për programet e studimeve të ciklit të parë, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Këto kuota shpërndahen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë. Rishpërndarja e këtyre kuotave kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, jo më vonë se data e parashikuar për fillimin e vitit akademik 2015-2016.

Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Kriteret e vlerësimit dhe të pranimit të tyre në këto programe studimi përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe bëhen të njohura në median e shkruar dhe atë elektronike për të gjithë kandidatët e interesuar. Procedurat për procesin e përzgjedhjes dhe regjistrimit të kandidatëve fitues duhet të përfundojnë përpara fillimit të vitit akademik 2015-2016.

Kuotat e pranimit për të verbrit, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, për romët dhe ballkano-egjiptianët, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, dhe për jetimët, të përcaktuara në shkronjën “dh”, të pikës 2, të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve me statusin përkatës nga një komision me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit të përbashkët, si dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.

Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe  Sportit nga personat e interesuar.

Tarifat vjetore të shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, të vitit akademik 2015 -2016, pasqyrohen në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Përjashtimi apo reduktimi i tarifës së shkollimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet.

Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, në vitin akademik 2015-2016, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Përjashtim bën Universiteti i Arteve të Tiranës, në të cilin tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë–preferencë) në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit.

Kuotat e pranimeve për një program të dytë studimi, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, si edhe kuotat për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, mbështetur dhe në  kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë.

Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit bëhen sipas përcaktimeve në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.

Kandidatët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi.

Kandidatët, të cilët aplikojnë për një program të parë studimi në vitin akademik 2015 -2016, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë në: Universitetin e Arteve Tiranë, Universitetin e Sporteve të Tiranës, universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan (programi i studimit “Edukim fizik dhe sporte”), universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër (programet e studimit “Edukim fizik dhe sporte”, “Pedagogji muzikore” dhe “Pikturë e grafikë”), si dhe në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (programet e studimeve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën, FASTIP), duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit), të vendosura nga vetë këto institucione publike të arsimit të lartë.

2 komente në “Universitetet/ Qeveria përcakton 20. 211 kuotat me kohë të plotë”

  1. ananananananannannanana says:

    Pasi te fitoje mandatin e dyte do te filloje zbatimi i ligjit te ri dhe tarifave te reja per 3000 eurosh ne vit. Shqiptaret dhe njehere sa krahu.

  2. Tema says:

    I përshtatet situatës së krijuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje