A ka nevojë Gjermania për një ligj të ri emigracioni?

5 Gusht 2015, 11:52Bota TEMA

Friederike Heine

Gjermania po përjeton një fluks të paprecedent emigrantësh, që për ekspertët është e vetmja zgjidhje për një vend si Gjermania me forcë punëtore të moshuar dhe që ka shënuar rënie të numrit të lindjeve. Ky debat i madh rreth një ligji të ri për emigracionin ka përçarë koalicionin qeverisës.

Komentet më të fundit të kancelares gjermane, Angela Merkel për emigracionin, temë kjo që e ka zënë në befasi ekonominë e vendit si shqetësimi numër një për votuesit gjermanë, erdhi si surprizë për elektoratin dhe anëtarët e partisë së saj Bashkimi Kristiandemokrat (CDU).

“Gjermania tashmë është vendi i dytë më i populluar në botë, pas Amerikës, përsa i përket çështjes së emigrimit”, tha ajo në festën e përvjetorit të 70-të të kësaj partie, në qershor.

“CDU-ja nganjëherë u shmanget komenteve mbi këtë, por kjo është diçka që duhet ta mësojmë si ta bëjmë”, theksoi ajo.

Gjermania, që rrallë herë është konsideruar si një vend emigracioni në terma kaq të qarta, ka detyruar kancelaren të deklarojë se partia e saj po shkon drejt hartimit të një ligji të ri për emigracionin, të shumëdebatueshëm, që kundërshtohet fort nga anëtarë të partisë së saj.

Zëra brenda CDU-së, përfshirë dhe vetë Merkelin, sipas fjalëve të dala, argumentojnë se legjislacioni i ri duhet të thjeshtësojë kuadrin ligjor ekzistues dhe ta bëjë emigrimin drejt Gjermanisë të tërheqë persona të kualifikuar.

Të tjerë argumentojnë se debati për pranimin e më shumë emigrantëve në Gjermani, në një kohë kur 450 000 persona priten të aplikojnë për azil gjatë 2015-ës, numri më i lartë në BE, mund të ftohë elektoratin gjithnjë e më të kujdeshëm ndaj emigracionit.

Autoritetet gjermane raportojnë se po strehojnë azilkërkuesit që mbërrijnë nga vende si Siria, Afganistani, Iraku, Kosova dhe Serbia në tenda të ngritura nëpër qytete.

Dhuna e ushtruar nga “krahu i djathtë” ndaj emigrantëve dhe sulmet e kryera ndaj shtëpive të tyre po bëhen gjithmonë e më të shpeshta, ku gjatë gjysmës së parë të 2015-ës u shënuan 202 incidente.

Disa politikanë po nxisin për ligje të reja për të përshpejtuar procesin e kthimit të atyre që kanë pak gjasa që të fitojnë azilin, si për shembull të atyre që vijnë nga vendet ballkanike, të konsideruara si vende të treta të sigurta, ku njerëzit nuk rrezikohen nga persekutimet politike.

Debati për ligjin e ri të emigracionit ka shkaktuar një përçarje brenda CDU-së dhe partisë motër bavareze, Bashkimi Kristiansocial (CSU), lideri i së cilës, Horst Seehofer, përsëriti të dielën se nuk do ta mbështesë legjislacionin që do nxiste ardhjen e më shumë emigrantëve në Gjermani.

“Një ligj për emigracionin që do çonte në një prurje më të madhe emigrantësh është jashtë çdo diskutimi përsa i përket shqetësimeve të CSU-së”, u shpreh ai për televizionin publik ARD.

Seehofer ka lajmëruar së fundmi planet për dy të ashtuquajturat “kampe të kthimit”, afër kufirit me Austrinë ku emigrantët do të grupohen sipas statusve të tyre për të lehtësuar procesin e kthimit në atdhe.

Retorika bavareze mbi këtë çështje është përshkruar si nxitëse dhe e rrezikshme nga të dy partitë opozitare.

Anëtarët e mirënjohur të CDU-së, përfshirë ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere, kundërshtojnë fort legjislacionin e ri me argumentin se rregullat e reja nuk janë të nevojshme dhe se do të krijonin një barrë shtesë burokratike.

Partnerët e koalicionit të Merkelit në Partinë Socialdemokrate (SPD) favorizojnë qartësimin e rregullave të emigrimit kundrejt një kornize ligjore, që kritikët thonë se është shumë e komplikuar, kontradiktore dhe jofrytdhënëse në tërheqjen e forcës së kualifikuar punëtore.

Kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Thomas Opperman, ka përkrahur përdorimin e sistemit të pikëve, të ngjashëm me atë të përdorur në Kanada, ku emigrantët vlerësohen sipas  faktorëvë të ndryshëm lidhur me plotësimin e kushteve të tregut të punës.

Ky kriter do të përfshijë kualifikimet arsimore dhe profesionale si dhe aftësitë gjuhësore, moshën dhe eksperiencat e punës.

Achim Dercks, kreu i Dhomës së fuqishme gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, kohët e fundit ka kërkuar që të rinjve pa një leje të përhershme qëndrimi t’u jepet një vizë pune dyvjeçare pas përfundimit të praktikës.

Ai gjithashtu shtoi se sulmet e fundit të “krahut të djathtë” mbi shtëpitë e azilkërkuesve janë një mjet i rrezikshëm frikësimi për të rinjtë që duan të emigrojnë në Gjermani.

“Ata që protestojnë kundër emigracionit po vënë në rrezik pensionet e tyre”, paralajmëron Dercks, në një vend ku sistemi i pensioneve është nën presion për shkak të vjetërsisë së popullsisë.

Partia opozitare, ajo e Gjelbërta, përkrah sistemin e pikëve, por gjithashtu kërkon që foshnjave që linden në Gjermani t’u jepet nënshtetësia si edhe kërkon lehtësim të procesit të natyralizimit.

Partia e majtë, Die Linke, përkrah lehtësimin e rregullave të emigracionit, por kundërshton fuqimisht sistemin e pikëve.

Fakti që Gjermania është aktualisht një vend emigrimi është i padiskutueshëm.

Të dhënat e publikuara dje nga Zyra Kombëtare e Statistikave tregojnë se vetëm pak më shumë se një e pesta e popullsisë së vendit (20,3 për qind) kanë pasur eksperiencë emigrimi në vitin 2014, rreth tre për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Mbetet për t’u parë, gjithsesi, nëse kundërshtuesit në bllokun parlamentar të Merkelit do të pajtohen me këtë realitet dhe se cilat kompromise do të jenë të arritshme përpara se legjislacioni të ndryshohet në konventën e partisë CDU, e planifikuar për dhjetorin e ardhshem.

1 komente në “A ka nevojë Gjermania për një ligj të ri emigracioni?”

  1. Tema says:

    Emigrantët i kërkojn tre vakte buk në dit gjermanis

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje