Takimi i Ballkanit nёn hijen e tragjedisё sё refugjatёve

28 Gusht 2015, 10:35Rajoni TEMA

Në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë kacelarja Angela Merkel vlerëson përparimet, ndërsa Serbia është e pakënaqur. Ҫështja e migracionit është tema dominuese e takimit.

Me një minutë heshtje e nisi presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, drekën e përbashkët të kryeministrave, ministrave të jashtëm dhe të ekonomisë nga dhjetë vendet e Ballkanit dhe të BE-së në Vjenë. Konferenca e dytë e Ballkanit Perëndimor në fakt duhej të nxirrte një bilanc pozitiv të nismave, që u ndërmorrën para një viti në takimin e parë në Berlin, për ta gjallëruar rajonin ekonomikisht dhe për të nxitur reformat. Por lajmi për vdekjen tragjike të migrantëve në një kamion të kontrabandistëve në një autostradë austriake e detyroi nikoriqin ta ndryshonte agjendën.

Paradite policia zbuloi një kamion me të paktën 20 kufoma që kishin nisur të dekompozoheshin. Nuk ka asnjë gjurmë të shoferit dhe të kontrabandistëve të dyshuar. Tema e migracionit dhe e refugjatëve në këtë mënyrë depërtoi në qendër të Konferencës së Ballkanit Perëndimor, në „këtë ditë të zezë për Austrinë“, siҫ tha ministrja e Brendëshme Johanna Mikl-Leitner.

Tronditje për refugjatët e vdekur në autostradë

“Ne jemi të gjithë të tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme“, tha kancelarja Angela Merkel, e cila ishte e vetmja kryeministre e një vendi të madh të BE-së që mori pjesë në takimin e Ballkanit Perëndimor. Italia dhe Franca kishin dërguar vetëm ministrat dhe ambasadorët. Merkel dhe kancelari i Austrisë Werner Feymann kërkuan më shumë solidaritet brenda BE-së lidhur me ҫështjen e refugjatëve. Ndërkohë vetëm pesë shtete të BE-së pranojnë rreth 90% të të gjithë azilkërkuesve, ndër to Gjermania dhe Austria. Kancelarja u shpreh sërish për një shpërndarje të refugjatëve sipas një sistemi kuotash, gjë që shumica e shteteve të BE-së e refuzon.

Merkel, deklaroi sërish në Vjenë, se do që t’i mbështesë propozimet përkatëse të Komisionit të BE-së. “Ne kemi nevojë tani për një zgjidhje”, tha kancelari i Austrisë Feyman. Vdekja e migrantëve në kamion na bën edhe një herë të qartë se sa urgjente është kjo, tha ai. “Kontrabandistët nuk duhet të jenë më të fortë se ne”, deklaroi Feyman duke iu referuar faktit, që organizatat e kontrabandistëve shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes pa kontrolle kufitare në një pjesë të madhe të BE-së. Para tri ditësh në Austri u gjetën në një kamion mbi 30 refugjatë. Para 14 ditësh u gjetën mbi 80 refugjatë të ngjeshur në kontejerin e një mauneje.

Shtetet e Ballkanit: BE eksporton problemet e veta të migrantëve

Shtetet, që ndodhen në të ashtuquajturin itinerari ballkanik i refugjatëve, morën premtin nga përfaqësuesit e BE-së për më shumë ndihma financiare. Ministri serb i Finanacve Dushan Vujoviҫ i tha DW-së në Vjenë, se ai kërkon kompensimin e plotë të kostove dhe vetëm disa milionë Euro, që ka premtuar deri tani BE-ja për trajtimin e refugjatëve. Ҫdo ditë vijnë rreth 2000 refugjatë nga kufiri me Greqinë në Maqedoni, vuri në dukje ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki, duke kritikuar që BE problemin e vet të refugjatëve e eksporton tek vendet që ende nuk i përkasin BE-së. Tek e fundit, tha ai, Greqia është anëtare e unionit dhe në fakt duhet të kujdeset vet për refugjatët në vend që t’i shtyjë ata drejt një vendi tjetër.

Jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Italia shumë refugjatë udhëtojnë të papenguar drejt Veriut. “Sistemi i Dublinit nuk funksionon më “, tërhoqi vëmendjen kancelarja Angela Merkel në Vjenë. Ky duhet të zëvendësohet me një shpërndarje të re më korrekte të barrës, tha ajo. Në bazë të rregullores së Dublinit për strehimin dhe procesin e azilit për azilkërkuesit është përgjegjës, vendi i parë ku ka mbëritur aplikuesi.

“Vende të sigurta orbigjine”

Unanimitet pati ndër pjesëmarrësit e takimit të Ballkanit Perëndimor lidhur me një ҫështje tjetër të migracionit: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra Serbia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria, janë vende „të sigurta origjine“ në kontekstin e së drejtës së azilit. “Në këto shtete, që synojnë të gjithë BE-në, nuk ka përndjekje politike”, tha kancelarja Merkel. Azilkërkueit e vendeve të Ballkanit, kuota e të cilëve në Gjermani është rreth 40 përqind, nuk kanë asnjë shans për t’u pranuar, „ndonëse kjo në raste të veҫanta mund të jetë e rëndë”.

“Si fëmijë të këqinj”

Edhe pse kancelarja Angela Merkel pretendon se sheh „një dinamikë të re të bashkëpunimit“ në Ballkanin Perëndimor, ministri i Jashtëm serb Ivica Daҫiҫ e kritikoi aktivitetin në tërësi. “Një herë në vit, kur BE-ja na sheh ne, ne sillemi mirë. Kur BE-ja sërish është larg, ne sillemi si fëmijë të këqinj “, tha Daҫiҫ para gazetarëve. Shtetet e rajonit vazhdojnë të jenë shumë të fiksuar tek e shkuara, në vend që të kujdesen për projekte të së ardhmes. Nga BE-ja dëgjohen vazhdimisht udhëzime mbi ҫështjen e azilit dhe të refugjatëve, tha ministri i Jashtëm serb. “Ndërkohë me sa duket vet BE-ja nuk ka asnjë koncept për problemin e migracionit dhe të refugjatëve.” Kjo duhet thënë një herë hapur, përderisa jemi mes miqsh, shtoi ai. Serbia shpreson vitin e ardhshëm hapjen e bisedimeve të antarësimit me BE-në. Komisari përgjegjës i BE-së Johannes Hahn e inkurajoi Serbinë, kur tha, se pas marrëveshjes së fundit mes Serbisë e Kosovës ai nuk sheh më asnjë pengesë.

Kërkohen kushte që njerëzit të mos largohen nga vendi

Pjesëmarrësit në Konferencën e Ballkanit Perëndimor ishin të një mendimi se rajoni para antarësimit në BE ka nevojë për impulse ekonomike. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje vendeve të rajonit të krijojnë më shumë kushte atraktive për të rinjtë që të qendrojnë në vend, në vend që të emigrojnë. Papunësia tek të rinjtë në disa pjesë të rajonit është 50%. Frank-Walter Steinmeier gjatë konferencës dukej mjaft i menduar, kur diskutohej për ҫështjet e azilit: “Gjatë rrugës nga aeroporti i Vjenës për në qytet ne pamë refugjatë, që kalonin përgjatë autostradës, pasi me sa dukej ata ishin shkëputur prej kontrabandistëve.” Kjo tregon, tha Steinmeier, se sa i madh është ndërkohë ky problem.

Konferenca e Ballkanit solli mjaft deklarata, por pak rezultate konkrete. Rezultati më i prekshëm ishte 4:2 në ndeshjen e futbollit mbrëmjen para konferencës. Në një stadium të Vjenës u ndeshën ekipi i BE-së së vjetër me ekipin e anëtarëve të ardhshëm të BE-së. Disa kryeministra dhe ministra luajtën. Shtetet e Ballkanit fituan. Konferenca e tretë e Ballkanit Perëndimor është planifikuar të zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje