Një sqarim i domosdoshëm mbi Çabejn e ndritur dhe martiren Kasimati

31 Gusht 2015, 18:59Blog TEMA

Me datën 29 gusht 2015 gazeta e përditshme “Tema” ka botuar një shkrim me titull “Komunistët kontrollojnë çdo gjë në Shqipëri (dhe një histori si e shpëtoi Enveri Eqrem Çabejn nga pushkatimi, por jo të fejuarën e tij)”.

Artikulli është një përmbledhje vulnerabël komentesh mbi ligjëratën time njëorëshe, të mbajtur në Seminaret e Albanologjisë në Prishtinë me titull “Jehona e gjatë e diktaturës”, si reflektim ndaj memories kolektive.

Me sa shihet, përmbledhja e ligjëratës sime në disa pika e çështje të ndjeshme brenda kornizave të informimit ka dhe ndonjë keqkutim, të cilin do të doja ta shmangia për hir të paqes së të gjallëve dhe kujtimit të ndritur të atyre që nuk janë më fizikisht me ne.

Për këtë qëllim po i ofroj lexuesit të gazetës “Tema” (gazetë në të cilën kam patur kënaqësinë të punoj gjashtë vjet) ligjëratën time të plotë, ashtu siç i është dorëzuar drejtorisë së Seminarit.

Në fund të ligjëratës ka patur pyetje e diskutime dhe ndër to është diskutuar për qindra arrestimet dhe pushkatimin e 22 inteltualëve shqiptarë me 26 shkurt 1951, në bazë të dokumentave arkivore dhe monografisë së Uran Butkës “Bombë në ambasadën sovjetike”.

Është folur edhe për listat e projektuara për pushkatim, në radhët e të cilëve ka qenë dhe emri i shkencëtarit të ndritur Eqrem Çabej, i cili është fakt, se është hequr në momentin e fundit nga Enver Hoxha dhe është zëvendësuar me një tjetër shkencëtare të re, ihtiologen Sabiha Kasimati, e cila asokohe sapo ishte fejuar.

Me sa kuptoj unë aberracioni ka ndodhur me keqkuptimin, se martirja Kasimati ka qenë fejuar me Eqrem Çabejin.

Pikërisht ky keqkuptim më shtyu të saqaroj lexuesin e gazetës “Tema” se nuk bëhet fjalë për një lidhje të tillë.

Duke kërkuar ndjesë për keqkuptimin, pavarësisht mënyrës se si ka ndodhur, lexuesit i paraqes ligjëratën time të plotë me mendimin se “fjala e shkruar është dëshmia më e paluajtshme”.

Me respekt, Agron Tufa

JEHONA E GJATË E DIKTATURËS

 Doc.dr. Agron TUFA

Kuja e Mnemozinës

Kujtesa si organ psikologjik i përjetimit të kohës mbetet e vetmja ndërmjetëse, që na garanton unitetin e thelbit të qenies, të projektuar në një shkallë vetënjohje individuale dhe kolektive. E them në një shkallë vetënjohje, sepse kujtesa, siç e thamë, është organ psikologjik dhe se vetë psikologjia njerëzore, individuale qoftë ajo apo shoqërore, gjendet në kushtet e një trysnie të përherëshme, që e relativizon, e deformon, e transformon apo e çorodit krejtësisht psikikën njerëzore, po të merren parasysh dramat individuale dhe kolektive. Psikologjia është e varur nga psikika, pasi kjo e dyta është tregues i shëndetit të së parës. Rrjedhimisht edhe kujtesa, duke qenë organ psikologjik i përjetimit të kohës dhe shprehje vetëdentifikuese e totalitetit organik të qenies në kohë, relativizohet, shformohet, manipulohet dhe na prezanton marrtas, pështat me thelbin e deformuar të vets sonë. Kujtesa e manipuluar është një togfjalësh që shpreh reflektimit kritik, të ndërgjegjshëm e oponencial nga pikëpamja e dikujt, që zotëron një përvojë krahasimore në lidhje me origjinën e njohjes dhe gjendjes së parë stadiale të trajektores së kujtesës, prej nga zë fill tjetërsimi dhe manipulimi i saj. Ky proces nuk ka gjë të përbashkët me idiomën e përvojave individuale “më tradhëton kujtesa”, pasi si akt ndërgjegjësimi, kjo shpreh riaftësimin dhe ripërftimin e po asaj kujtesë vetëidentifikuese, për t’u pozicionuar mandej, në masën e vetëdijësimit, për një përballje raportesh me të.

Fjala më konkretisht është për kujtesën historike apo kolektive, që deri më tash ekziston kryesisht në po ato forma, që e mendonin grekët e lashtë, në trajtën e mneme-së, anamnez-isit dhe mnemozinës. Mneme paraqet një aftësi të dhënë fiziologjike të çdo organizmi për ta ruajtur informacionin e ndërkallur në të. “Nga perceptimet ndjesore lind, siç themi ne, aftësia e kujtesës”, – thotë Arsitoteli. Ndërsa nga ndërmendjet e shpeshta për të njëjtën gjë lind përvoja, sepse një numër i madh kujtimesh përbëjnë së bashku njëfarë përvojë. Nga përvoja pra, nga tërësia e përvojës, që ruhet në shpirt, nga përvoja e vetme, e ndryshme prej shumicës, nga përvoja e vetjake, që paraqitet si identike në gjithë këtë shumësi, e ka zanafillën arti dhe shkenca: arti, nëse kemi të bëjmë me krijimin e diçkaje, dhe shkenca, nëse kemi të bëjmë me thelbin dhe esencën”[1] .

Anamnezisi – është ndërmendja (të kujtuarit). Ajo e ruan informacionin e futur në të, por e ruan në atë mënyrë, që informacioni gjithmonë përplotësohet dhe pasurohet me përvojën individuale, duke u realizuar jo rrallë në letërsi në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale – nga rikrijimi artistik i ngjarjeve të kaluara deri tek historiografia, që del jashtë sinoreve të mneme-së (si tek Herodoti, Taciti apo Mishlje). Në kulturën europiane anamnezis-i ka hyrë kryesisht në atë kuptim të saj, siç e pati themeluar dhe përdorur Platoni: “kur shpirti, që ka humbur kujtesën mbi ndjesitë apo dijet, e therret sërish atë dhe përpiqet ta përtërijë në vetvete, atëherë këtë ne e quajmë ndërmendje”[2] . Kurse në një vend tjetër Platoni thotë: “Prit pak, o Sokrat, e ndërpreu Kebeti, – mendimet e tua na shpien edhe në një përfundim tjetër, nëse është e saktë ajo që ti e përsërit shpesh, se pikërisht dija nuk është gjë tjetër përpos se ndërmendje: atëherë, atë që ne po ndërmendim tani, duhet ta kemi nxënë në të kaluarën, – ja pra se çfarë nxjerrim nga ky konkluzion. Por kjo do të kishte qenë e pamundur, po qe se shpirti ynë nuk do të kishte ekzistuar në ndofarë vendi tjetër, përpara se të lindej në trajtën tonë njerëzore”[3] .

Në një formë të ndryshuar përfytyrimi mbi anamnezisin si një fundament i aspektit frymor ka hyrë në kristianizëm: “Pastaj mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha e tha: Ky është korpi im, që flijohet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim[4] (Luka 22. 19). Përjetimi platonian i amnezisit, që mbijetoi deri në hekullin ХХ, përbënte bazën e simbolizmit dhe si filozofi, dhe si drejtim letrar, në botën e krishterë. Një ndër poetët dhe teoricienët e simbolizmit rus, Aleksandër Blloku, shprehej se: “Rruga e simboleve – është rruga nëpër gjurmët e harruara… rruga e mbërritjes së dijes si ndërmendje (Platoni)”[5] .

Menemozina. Mbi këtë nocion qëndror të imazhit për analizën tonë na takon të flasim pak më gjerë. Në rendin e numërimit paraprak të atyre mishërimeve kryesore, në të cilat ka ekzistuar për grekët e lashtë kujtesa e tyre historike dhe kulturore, mjafton t’u referohemi tipareve të Mnemozinës, siç na paraqitet ajo në të vetmin burim – në veprën “Toegonia” të Hesiodit, ku për grekët ajo është, para së gjithash, nëna e muzave.

Mirça Eliade në njërin prej librave të tij ka shkruar një skicë mbi mitologjinë greke të kujtesës. Ai na ndërmend, që hynesha Mnemozina, motra e Kronosit dhe Oqeanit, quhej nënë e muzave. N’akord me Hesiodin, Mnemozina ruante kujtesën për gjithçka që ajo ka qenë, por kishte dijeni edhe për ato që do të ndodhnin. Kur muzat e përndritin poetin, ai bëhet i aftë për dijen e Mnemozinës, njohjen e fillesave dhe zanafillave të para. Muzat këndojnë, tue u nis ç’prej zanafillave ata rrëfejnë për origjinën e zotave dhe njerëzve. Poeti përmes muzave fiton kujtesën mbinjerzore të Mnemozinës.

Por këto realitete parazanafillore, pikërisht ngase janë të lidhura me burimet, nuk hyjnë në sferën e jetës së tashme, ata janë të pambrijshme për përvojën e përditshme. Prandaj, pra, poeti që ka fituar këtë dhunti mbikujtesore prej duarve të Mnemozinës, shtyhet si të thuash prej saj në një botë tjetër, botën e së shkuarës dhe harresës, e cila identifikohet me vdekjen. Lumi i harresës Leta që rrjedh në Aid, e shkatërron kujtesën e të vdekurve, duke i shndërruar ata kësisoj në të vdekur. Por, vëren Eliade, me shfaqjen e doktrinës së transmigrimit (rimishërimit) të shpirtërave ndryshon edhe mitologjia e kujtesës. “Është e rëndësishme tashmë të mbash mend jo burimet dhe parazanafillat, por jetën paraardhëse të shpirtit, që shënon humbjen e kujtesës së shpirtit në lidhje me ekzistencat e tij pararendëse. Dhe rishmi vdekja në këtë kontekst del si kthim në një botë tjetër, botën e zanafillave dhe mbikujtesës.Vetëm pak të zgjedhurve të muzave dhe profetëve, Mnemozina ua lë kujtesën e ekzistencave pararendëse dhe parazanafillave. Dhe ata përpiqen t’i bashkojnë fragmentet e shkalafitura, t’i përfshijnë ato në një zinxhir të vetëm, që të mbërrijnë kuptimin e fatit të tyre. Sepse ngjitja e fragmenteve të memories së historisë, që s’kanë asnjë lidhje ndërmjet vedi, do të thotë “lidhja e fillesës me fundin” (Eliade, 1988:156).

Këta poetë dhe orakuj që rrahin të ribëjnë e ringjallin një tekst të lidhur prej fragmentesh të bëra fir në kujtesë, përmbushin punën e kulturës – të shqyer, fragmentare, të shkërmoqur në arkivin e padukshëm heterogjuhësor, por ama janë ata që gjakojnë të përftojnë tërësinë, unicitetin, logjikën. Në thelb, çdocili tekst i bart në vetvete këto fragmente, herë të dukshme e herë të maskuara, dhe rreh t’i ndërtojë ata n’akord me logjikën e rrëfimit.

Ndër orakujt, të cilëve zotat ua ruajtën kujtesën pas vdekjes, spikat njëri nga më të njohurit – Tiresia. Ç’prej kohës së djalërisë, ai pa rastësisht, tek po lahej cullake në burimet e Hipokrenës, hyjneshën Athiná dhe shi për këtë shkak i plasën sytë e mbeti i verbër, por njëkohësisht u pajis me dhuntinë e profecisë. Mandej, duke bredhur nëpër krepat e maleve të Kilenit, ai po rastësisht pa shlligat, që po ndërzeheshin dhe për disa vite u shndërrua në femër. Ky verba n dyseksësh u zgjodh prej zotave që të bartë përjetësisht një kujtesë të pashqimur.

 

Para pak kohësh me ra të kuvendoja me V.D, një artist i mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar trysninë e përvojave të tij, e pyeta, “si ballafaqohesh me kujtesën tënde në jetë dhe në krijimtari personale”. Ai m’u përgjigj jo menjëherë, por në një mënyrë lakonike e kuptimplote: “po bëhen 20 vjet që unë fle në dy krevate”. “Në ç‘kuptim”, – i thashë: “a mund të ma sqaroni?”. “E thjeshtë fare”, tha. “Përfytyro: bie të fle në krevatin tim, në apartmentin tim, por gjithë natën endem në krevatet e qelive dhe kapanoneve të burgjeve. Habitem fort kur gjumi më del dhe e shoh veten në krevatin e apartamentit tim”.
Ky dyshtresim paralel përvojash e sqaronte vetevetiu marrëdhënien e tij me kryemuzën e vet dhe pak a shumë, mund t’i merrja me mend, çfarë frymëzimesh i sillte atij Mnemozina.

Doza e hidhur e fatkeqësive, që i ra për short pskikes tonë kombëtre, në mënyrë të veçantë përgjatë pjesss dytë të shekullit XX, i ka pjekur frytet e helmëta në kujtesën individuale dhe kolektive. Me shembjen epokale te “Perandorisë së të keqes”, doli në pah krijesa eksperimentale e saj, njeriu me kujtesë të shkalafitur në të tre përbërësit – të mnemesë, amnezisit dhe mnemozinës. Mnemozina jonë, pa arritur dot të krijojë mirëkuptim në përftimin e tërësisë së identitetit të origjinës me të tashmen, pa arritur të krijojë një lidhje ndërmjet vedi, një logjikë, qoftë të përftuar prej fragmenteve, endet e verbuar dhe e tromaksur nga drita e përvojës vrastare që përjetoi. Është pikërisht kjo dritë e përvojës së mënxyrshme ajo pjesa e hadit me të cilën është mësuar, ngase nuk do t’i nxjerrë në sipërfaqe të Letës imazhet mëkatare të terrinës. Mnemozina jonë heterogjene shfaqet e çoroditur e kontradiktore në përditshmërinë tonë, duke e pllakosur atë herë me kujën e thellë dhe mallkimet, e herë me skërmitjen e marrë dhe me absurditetin frenetik, ashtu si figura e kërleshur e mbretit Lir në shtrëngatën e stepës. Një pjese të poeteve të saj ajo u vjen si muzë e përvojës dhe ne përftojmë një përmasë të saj si kujë, duke rindërtuar sipas plagëve kujtesën e të mbijetuarit për ta e për të vdekurit e tyre (at Zef Pllumi, Petro Marko, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, Pjetër Pepa, Ahmet Buhati, Arshi Pipa, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Arbnori, Agim Musta etj), ndërsa një pjese tjetër ajo u vjen si ngërdheshje saturnale, për vete e për të gjithë të mbijetuarit e tyre (Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha si dhe gjithë veglat e diktaturës, sahnalëpirësit e tyre, ish-ministrat me gjithë rekuizitën, me bëmat dhe nostalgjitë). Kujtesën e ringjall përvoja e të mbijetuarve. Nga njëra anë, përrenj të flligësht narrativë që përbëjnë epope më vete, derdhen dhe ushqenjnë mediat e përditshme. Nga ana tjetër – kujtesa e margjinalizuar dhe e sfumuar e breshërive të pushkatimit, e torturave të qelive, e privimit nga ekzistenca, e dhunës dhe e internimit. Një kujtesë lufton dhe eklipson kujtesën tjetër. Cilën kujtesë të pranojmë të na flasë? Çfarë kumti presim prej tyre? Cili është reflektimi ynë? Shpërngulet përballja e kujtesave nga sfera e përditës, duke e vetëprojektuar ekzistencën në vazhdimësi, tek e ardhmja: ajo lyp kohësimin e saj në historiografi, në art, në shkencë, në sistemin shkollor. Duket se sinoret e veta do t’i zgjerojë ajo kujtesë, që është më e ushtruar në sprint, në spektakël, në klip. Sprinti na magjeps me shkathtësinë, zhdërvjelltësinë, duke mos na lënë asnjë çast të kridhemi në meditim, por të shkasim në sipërfaqe të gazetës, të ekranit, për të ndjekur, të molepsur e pasivë, ritmin e këtij galopi marramendës. Kështu narracioni e përshpejton kohën. Spektakli dhe klipi i studiove televizive na mbërthen në pritje ku endet dhe rotulohet kinse njëfarë enigme e premtuar, që na lidh me deshifrimin e saj dhe na le të zbrazët, këtë herë, duke e ndaluar kohën. Kjo është kujtesa mbizotëruese, që i rrok të dyja dinamikat e kohës: përshpejtimin, zgjatjen dhe pezullimin e saj.

Është kujtesa e xhelatëve të mbijetuar, ngërdheshja satanike në karnavalin patësosur të përditshmërisë: ajo shumëfishon dhe klonon vetveten duke shpikur forma fetishizuese mbijetese e vazhdimësie, për të mos u kapur asnjëherë gafil. Ajo ndihet mirë në kushtet e shpërqendrimit që i japin mundësi të korruptojë agjentët teknologjikë, të krijojë aleanca më të fortifikuara në institucionet e kulturës, shkencës, politikës, ekonomisë – në instalimin dhe riprodhimin e imazhit të përgjithshëm publik, të bashkëpunimit, bashkëshoqërimit, ndërkalljes së idesë, se jemi një kujtesë me fat e përvojë të përbashkët, me ideal të përbashkët. Ja se si flet narrativa e kujtesës së xhelatit: “Boll u zhgënjyem! Lavdi Zotit, utopia e re është prapë përpara. Qëllimi i mirë, endërrimi i mirë, meqë nuk na shpuri në parajsën e komunizmit, tani do të shpjerë në parajsën europiane. Kush është armiku, pengesa, përçarja? Ata pra… ATA, që po na e helmojnë të sotmen dhe po na e sterrosin të nesërmen. ATA me kokën prapa… që nuk duan ta shijojnë jetën. Tekefundit, jo më kot, janë pikërisht ATA, obskurantët, të paaftët, vulëhumburit, që nuk përfitojnë. Janë ATA që nuk ndahen nga fantazmat e tyre, që na hedhin hije në optimizmin tonë të përbashkët, duke na kujtuar plagët e moçme, fyerjet e parëndësishme, që kërkojnë të na mbajnë peng duke bubrruar të djeshmen pa kthim, të cilën ne së bashku e shembëm… se ku ishin ATA? Në burgje, në internime, të shtypur, sa as pika e gjakut s’u bëhej e gjallë. Të ishte për ATA, as një grimë nuk do të shembej “Perandoria e së keqes”, sepse as gishtin e vogël nuk mund ta lëviznin. Ashtu, të gërbulur në lotët e qurret e veta, ATA, të leckosurit, brengaxhinjtë, ankuesit e përjetshëm, të pagdhendur e të pashkolluar, nuk do ta nirrnin kurrë qimen prej qullit. Dhe së fundi, çfarë duan KËTA mosmirënjohës? A nuk ua dhuruam NE lirinë? Le ta provojnë sa u vlen lëkura TANI në LIRI, po qe se vlejnë një grosh. ATA nuk e njohin ç‘është liria. Nuk e dinë çdo të thotë të gëzosh, të shijosh jetën e të përpiqesh t’ua përcjellësh atë brezave të tjerë, pa u qurravitur për skërkat e paemra ku prehen të parët e TYRE. Ç’faj paskemi ne? Mos duhet të vëmë thesin në kokë e të qajmë bashkë me TA me kuje e logori? Ne krijojmë pulsin e gjallë të kësaj jete. E ATA? Qajnë, rënkojnë, ankohen dhe duan para, para, para, kompensim, rehabilitim, vëmendje për të dëgjuar historitë e tyre me fantazma. Kujt i hyn në punë kujtesa e TYRE, dëshmitë e TYRE, veprat e TYRE? Mos do të ndryshonte gjë vallë? Ne u japim mundësinë të rreshtohen krah nesh. U ofrojmë punë, sipas aftësisë që kanë, e po u binden, pse jo, edhe pushtet!”.
Po kujtesa e viktimave të mbijetuara? Narrativa e saj bën dy jetë paralele: një të tashme, për inerci, dhe një jetë tjetër, të vegimit, traumës, hapësirës së pamatë të gjumit, e cila, me t’u mbyllur qerpikët, zbret shkallët me shpirtra e hije që kërkojnë të çlirohen nga harresa, duke u zhvendosur në hapësirat e pikëlluara të përvojave ku plasin farëra hidhërimesh pa ngushëllim. Duar, gjeste, fjalë, rënkime, pengje të një kohe tjetër, që lypin shpjegim, që pyesin, pyesin, pyesin… që kërkojnë të zbardhet e vërteta e tyre e netëve të zeza, kur drejtësia, mëshira dhe shpresa tek Zoti u reduktuan në një frazë të ankthshme amaneti para plumbave, torturave mizore, kalbjes e plakjes nëpër qeli, shfytyrimit nëpër kampet e punës, poshtërimit, terrorit, dhunimit, degdisjes – gjithçka mbeti e tkurrur në një formulë amaneti – “Rrno vetëm për me tregue!”. E narrativa e tyre është veçse monologu i shpërndarë, i përjashtuar, i shpërfillur, i fyer e i përbuzur, i dënuar të vdesë në heshtje bashkë me TA dhe të vërtetat e tyre. Narrativa e TYRE është një tekst pa vlerë për veshët tanë, që uturijnë e shungullojnë nga zhurma e marrë e galopit dhe spektaklit, sepse vëshët tanë janë të pushtuar nga muzika e delirit dhe s’bën ta ndërpresim, s’bën ta ndërrojmë “stacionin”. Muzika e përzishme e funebre e funeralit na shpërqendron, na bën të biem nga ritmi galopant, na kthen në qenie mendore, ndërkaq që ne s’duhet të mendojmë: mendon Partia! A mund të na kthehet vallë, herëdokur në veshë, kjo muzikë e ndaluar, e mohuar, e përjshtuar nga memorja jonë e tredhur? Me çfarë do t’i mbyllim vallë veshët kur të na kthehet, tashmë me aht hakmarrës, si ndëshkim i sërishëm, i pamëshirshëm, me tërë piskamat e përvojave çnjerëzore të hadit? A do të jemi në gjendje të përballemi vallë me kujën e mbledhur në grykë të Mnemozinës? Mjeshtëria e harrimit veçse do ta deformojë përvojën të marrë forma të përçudshme, derisa ta hedhë në erë depon me eksploziv të pengjeve tona.

Në Shtëpinë e Harrimit nuk mund të bujë ndërgjegjia. Bujtësi do të përballet me të shkuarën e krimit, sepse kujtesa e krimit nuk mund të shlyhet me asnjë spektakël narrativ. Krimi i shpërfillur dhe shpërfillja e krimit asgjësojnë çdo formacion moral të vetëdijes. Prej një vetëdije të tillë mbahet gjallë vetëmashtrimi kolektiv. Mnemozina jonë na frymëzon të përjetojmë dhe të përballim dy kujtesa të ndryshme: kujtesa e viktimës është e detyruar të riprodhojë kujën e saj, duke krijuar një narrativë ishullore, të papranuar në publik, ndërsa kujtesa e restauruar e xhelatëve, krijon narrativën dominuese me pedagogjikën e vet të mashtrimit dhe alibisë, duke likuiduar të parën. Vend të tretë për marrëdhëniet tona me të vërtetën, nuk ka.

 

Qëndrimi i klasës politike shqiptare ndaj të shkuarës komuniste dhe krimeve e pasojave të komunizmit në Shqipëri, përgjatë këtyre 25 viteve ka qenë shpërfillës. E ashtuquajtura e djathta shqiptare, e përdori retorikën antikomuniste vetëm si maskë, për të fituar elektorat në shtresën e viktimave të regjimit, duke u marrë regullisht votat dhe duke mos i përfaqësuar ata në asnjë nivel politik e administrativ. Në thelb, të dyja partitë e mëdha politike shqiptare, e majta, Partia Socialiste dhe e djathta, Partia Demokratike, vijnë prej një origjine të përbashkët dhe përfaqësojnë si klasë, atë tipologji të intelektualit të indoktrinuar komunist të fundviteve 1980. Nëse socialistët vetëm në verë të vitit 1991 ndryshuan thjesht emrin, por jo eksponentët e asaj partie-shtet të diktatorit Enver Hoxha (PPSH), Partia Demokratike, që duhej të shprehte opozitën, përfshiu elitën e zyrtarëve më të sukseshëm të intelektualëve të formuar gjatë komunizmit, ish sekretarë partie, nga ata që F. Dostojevskij i quan “intelektualë me uniformë”. Lideri i demokratëve, Sali Berisha, që kur mori pushtetin me 1992, mbahet mend për frazën pseudohumaniste që e përsëriste shpesh, gjoja në emër të pajtimit kombëtar: “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”! Për ironi, “vuajtësit”, ende vuajnë, ndërsa “fajtorët” kanë bërë karrierë marramendëse në piramidën e politikës dhe pushtetit, në Parlament, në qeveri, në sistemin e drejtësisë në të gjitha shkallët, në oligarkinë ekonomike etj. Ata trashëgojnë gjithë institutet, akademinë, Qendrat e dijes dhe arsimit, duke diktuar linjën e perceptimit zyrtar.
Prandaj sot kemi mbërritur në një situatë ku hipokrizia, cinizmi dhe dyfishësia karakterizojnë marrëdhënien e shtetit dhe politikës përballë 30% të shtresës së popullsisë shqiptarë, që janë ish të Përndjekurit Politikë. Atyre askush, asnjëherë nuk u shqiptoi një “më fal” të thjeshtë. Për ta, pavarësisht se nuk u hakmorën asnjë rast, duke besuar verbërisht tek Drejtësia, drejtësi nuk u vu asnjëherë, qoftë dhe simbolikisht. Pëkundrazi, koha kalon dhe mbi këtë shtresë fyerjet, cinizmi dhe dyfishësia shtohen në pikat më të ndjeshme, të cilat po i përmbledh më poshtë:

Pak fjalë mbi Institutin që unë drejtoj ende dhe punën tonë me memorien në këto katër vite:
Me një staf shumë të vogël, për të përballuar një gamë të madhe detyrash dhe në mungesë absolute të mbështetjes buxhetore për projektet (qeveria u kufizua vetëm në pagesën e rrogave të stafit, ndonëse në ligjin e Parlamentit për këtë Institut parashihet mbështetja e projekteve studimore e memoristike), Instituti ynë u përqendrua në një strategji sa më pragmatike dhe u vu në kërkim të gjetjes së mbështetjes financiare të projekteve në orgnizatat e huaja e vendore.
Projektet ku jemi të përqendruar më së shumti ne, janë:
1. “Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist”, një seri voluminoze që shkon, përafërsisht në 12 vëllime. Në këtë projekt në u nisëm nga ideja, se pas çdo lufte apo katastrofe civile, gjëja më e arsyeshme është hartimi i një inventari të saktë me qytetarët e vrarë e të dëmtuar. Fjalori paraqet tre kategori qytetarësh të persekutuar politikisht nga regjimi komunist, sipas akteve gjyqësore të dënimit, apo pa gjyq: a) të pshkatuarit b) të dënuarit me burg c) të internuarit. Çdo zë në “Fjalor…” paraqitet detyrimisht me ndërmjetësinë e “dëshmisë penale”, si akt i dënimit politik nga shteti komunist. Që në gërmat e para, gjatë punës së hartimit të “Fjalorit”, ndeshëm në parregullsinë e dokumentimit në arkiva dhe dosje. Mungonin kryesisht emrat e qytetarëve të pushkatuar pa gjyq, sipas listave të zeza në periudhën 1944-1953, e cila është dhe periudha kur Partia Komuniste e Shqipërisë implemntoi medotat sovjete të kohës së “terrorit të madh” stalinist. Kjo e çonte katërfish, sipas llogarive tona, numrin e qytetarëve të pushkatuar nga diktatura.

Diktatura në Shqipëri ka rënë, së paku formalisht, që nga viti 1991. Shoqëria shqiptare u ndesh më pas, me me aspektin më të vështirë të një diktature të egër, siç ka qenë regjimi komunist shqiptar, – me trashëgiminë e saj, të aktorëve të saj, të institucioneve dhe mendësisë së saj. E kaluara kriminale e aktorëve të saj politikë e shoqëror ka vazhduar të përdoret si rekrutim politik e si instrument shantazhi nga qeveritë e ndryshme. Mungesa e transparencës, mungesa e një trubunali ku të vendosej drejtësia, ka çuar në përhapjen e një epidemie morale që nxit korrupsionin dhe krimin ekonomik e politik në dëm të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Mungesa e higjenës mendore e shpirtërore të klasës politike shqiptare, standardet e dyfishta, hipokrizia dhe intrigat e tradhëtuan veten në një gjest domethënës në vitin 2012, kur lideri i partisë në pushtet propozoi radhazi kanditin për Presidentin e ri të Republikës, dhe të tri herët kandidati u tërhoq nga gara në prag të votimit, për shkakun e thjeshtë e të neveritshëm, se partia kundërshtare zotëronte dosjen e implikimit të tyre në shërbim të Sigurimit të Shtetit komunist. Kjo mbase është arsyeja, se pse Shqipëria është i vetmi shtet, ku dështoi Ligji i Lustracionit. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur tërë sistemi gjyqësor dhe organet kushtetuese të drejtësisë janë mbushur me figurat gjakatare të diktaturës, kontrollohen prej tyre apo prej bijve të tyre.
Jehona e gjatë e diktaturës vazhdon në Shqipëri dhe dalja e shqiptarëve prej saj, me sa duket shënon njëkohësisht dhe hyrjen në një diktaturë të një tipi tjetër, e cila nëmos jo aq e egër sa diktatura moniste, është një tip diktature demagogjike dyjare, ordinere e vulgare, që stimulon një moçal shoqëror ku qelbën të tria kohët, sidomos e ardhmja. Poeti im i dashur, Josif Brodskij ka një varg, që thotë: “Për të harruarh një jetë – njeriut i duhet të kalojë, si minimum, edhe një jetë tjetër”.
Më ndjeni për analogjinë, mbase të sforcuar, por nëse këtë pohim poetik e shpërngulim nga konteksti personal i heroit lirik të Brodskijt dhe e zbatojmë në sferën kolektive të kujtesës shqiptare mbi diktaturën komuniste, atëherë e vërteta poetike shndërrohet në një dramë shoqërore kombëtare: “Për të harruar një jetë kolektive – shoqërisë i duhet, si minimum, të kalojë edhe një jetë tjetër “. Pra, edhe pesëdhjetë vjet të tjera…

[1]Arsistoteli. “Analitika e dytë” (Vtoraja analitika), kap. 19 100а// nga Aristotel. Vepra e plotë.
Vëll 2. Мoskë.: Mendimi (Mysl), 1978. fq. 345.

[2]Platon. Thilebi, 34 c. // nga Platon. Vepra e plotë në 3 vëllime. Vëll 1. Мoskë. Mendimi (Mysl), 1971. fq. 41.

[3]Platon. “Fedoni” 72е. Në po atë botim, Vëll 2. Fq. 34.

[4] Bibla, “Drita”, Ferizaj, 1994, fq. 1498, përkth. Dom Simon Filipaj

[5] Bllok A. “Krijimtaria e Vjaçesllav Ivanovit” (Tvorçestvo Vjaçesllava Ivanova) nga botimi // Bllok Aleksandër. Vepra e plotë në 8 vëllime, vëll, 5, Мoskë, botim i sh.b “Letërsia artistike” (Hudozhestvjennaja literatura). Fq 10.

 

11 komente në “Një sqarim i domosdoshëm mbi Çabejn e ndritur dhe martiren Kasimati”

  1. As,DR,Pr,dr,as,dr,drrr,tufa po ti kur i more gjitha kto tituj more kur thue qe paske qen neper burgje te diktatures ma te eger ne bot,dhe cuditerisht edhe pse diktatur ma e eger dhe gjakatare,juve dhe shokve tu nuk ju mungoi asnji fije floku e jo maa jeta,pra cfar jeni duke shkruar ju te felliqur shqipfoles vetem nga inati dhe smira e juaj e flliqur shpirtrore dhe zemra e juaj e zez kunder ENVWR MALIT,vetem perate ju shkruani gjepura dhe rrena,mashtrime dhe dallavere e propaganden gebelsjane.Ju,dhe soi i juaj nuk eshte dashte te liheni gjall,por ja qe ai regjim ju ka lan,ngase edhe ne ate regjim kan qen te kamufluar nen petkun e ppsh,dhe teseres saj siq ka qen sali serbi,dhe keshtu ju keni shpetuar,dhe tani vjellni vrer vjellni e dhjeni ce 25 vite,dhe nuk bete asgje ma mir sesa regjimi i kaluar qe te kishit te drejt per tu krenuar,por jo jo ,ju e shkatruat edhe ate qe e kishin bere gjeneratat e juaja dhe prindrit e juaj,ju shkatruat ushtrin qe nuk ju falet ore te mjer,ore tradhtaret e kombit me shum nishana,dr,as,profesora e dr,dr,as,profa te dhjer e te ndyr ne mutin e tradhtis.Ju,nuk dota mundni epoken dhe 45 vitet e ENVER MALIT,kete ta dini ju te gjithe,ENVERI ESHTE I BARABART ME SKENDER BEUN-GJERGJ KASTRIOTIN,dhe dotja kaloi dhe ROBESPYERIT-BONAPARTES FRANCES,kete dine ju qe lehni se qener rzgve te tiranes,apo rugve te tetoves.

  2. Kush eshte ai institucion qe i verifikon “faktet”, karakterin e atyre, dhe i certifikon ato?
    Cilat jane burimet historike qe ju perdorni, dhe kritikat e atyre burimeve?
    A jeni ju te pavarur, ne vartesine tuaj institucionale?
    A perfaqeson “Instituti Tuaj” interesat kombetare dje dhe sot, apo ai eshte nje dem qe vetem sa ben seks me lopen (popullin), dhe nuk mban asnje pergjegjesi per vicat qe le rrugeve te jetes?
    Te dhjesesh rrugeve te Atdheut nuk perben histori, ose perben nje histori te dhjere.
    Emrat e pervecem sado te nderuar qofshin, mbeten pander kur atyre u hiqet identiteti kombetar; kur shfrytezohen per kredo politike,apo si logo konkurence sitemesh politike qeverisese etj., etj.
    Per te mos u zgjatur dua te them se: ne Shqiperi nuk ka patur desidence, ne asnje periudhe te diktatures te proletariatit(komunizmi nuk ka ekzistuar ne vendin tone(komunizmi, eshte nje term qe perdoret abuzivisht). Nuk ka patur desidence sepse edhe pinjollet e borgjezise u perfshine ne LANClirimtare. Sepse nuk kishte vepra, aksione te frymezuara ideologjikisht dhe te mbeshtetura organizativisht. Ato aksione antikomuniste qe llogarisni ju si Institut, ishin produkte te Sigurimit te Shtetit ku punonin ajka e puntorise dhe fshatarsise. Prandaj ishte ky, Sigurimi, Garancia qe realizoi edhe “permbysjen” hap pas hapi te diktatures te proletariatit. Lexo gazetat e ketyre 25 viteve te fundit, rubriken: “Pohojne me gojen e tyre” ku lideret e Sigurimit japin informacione me shumice e cilesi te larte per vepren e ndritur te Sigurimit dhe sigurimsave – ne pushtet prej 70 vitesh.
    Sigurimi i shtetit ishte dhe mbetet desidenti-institucional.
    Kot ta zgjsesh, po, ha ato pare o Agron Xhunga, dhe mendo per fonde te tjera, financime te tjera, se jeta eshte e gjate, ose, kapitalizmi eshte i gjate e i gjere e gelltit birra NORGA sa te duash. Tung.

  3. peoples says:

    prof

    juessor… doctor….docent mr Tufa….

    … ….profeso…..Dr….Doc….Mr Tufa,keto tituj ne Shqiperi

    jane te njejta me Bej ZAGOLLI qirje Kozmai Hafiz Mahmuti.E
    kujt I hyjne ne pune dhe leksionet e tua.Bla,bla bla…Duhet economy o stupid,ekonomy .Vendi nuk ecen perpara me leksionet e perseritura.Duhet ekonomi,prodhim dhe jo llogje…..

  4. Gjon Gjini says:

    Lum kush e ka kaluar të plotë provën e durimit për ta dëgjuar deri në fund këtë përçartje idoti, që, si zvarranik që duket se është, për të gëlltitur ca fonde që rrjedhin nga taksat e shqiptarëve të varfër (ata janë të vetmit që paguajnë rregullisht të tëra detyrimet ndaj shtetit) përpiqet të tregohet më katolik se papa, se medemek, po s’i mori ky në mbrojtje të persekutuarit ata do ta kenë punën pisk. Çfarë gallataxhiu, sa seroiz që mbahet, sa i mllefosur e i vrerosur që shtiret, edhe më keq se Don Kishoti i Mançës. Dhe këtë shtirje e bëka pa pikë turpi, duke shfryrë nga flegrat e hundëve shtëllunga avujsh si kal pas garave. E ne shpresojmë të bëhet Shqipëria me të tilla shushunja!

  5. shoku says:

    Kujtesa nuk eshte organ psikologjik,por,proces psikologjik o Goni.

  6. faro says:

    Cilet e paskan duruar kete 1 ore duke ligjeruar, qe nuk durohet as edhe nje sekond, nga nje njeri me tru ne koke?

  7. lefter says:

    Ti je i pabesueshem dhe kete e verteton tek botimet e Uran Butkes. Keni qene dhe jeni bisht qeni qe kur keni lere e deri sa te vdisni. Keshtu o Tufa me genjeshtra.

    1. anticensurë 369654 says:

      o lefter çtë keqe ka ti referohesh të madhit uran butka??
      dhe unë i referohem “pilo lala”ës!!
      e nevojshme është të jetë e shkruar e bardha në të zezë,a e kundërta,nuk më kujtohet tashti!
      prandaj nëse ke ndonjë gjë për ti mbushur mëndjen njerzve mund tiu referohesh pa pikën e problemit,nostradamusit!e ka shkruar ai!dhe mbaron muhabeti!!ai është i saktë sa është dhe alfabeti!!me të vërtetë ka shkruar fjalë pa kuptim,por në fund të fundit mund të gjesh kuptimin që ti do!!mjafton të të mbushet mëndja!!

  8. tenderness says:

    Turp te kesh o faqezi zhgarravitesh (ose shkrimtar Vicidoli) qe merr neper goje dhe shtremberon figuren me te madhe te shkences sone. Ti thua se kjo ishte nje keqkuptim, por ne te vertete ajo tregon shume gjera per karakterin tend e, mbi te gjitha, mungesen e seriozitetit kur merr te shkruash si nje shrlatan tipik
    Kujton se behe i ditur duke permendur emrat e Platonit e te Eliades e te Hesiodit por je vetwm njw snob i mjere nje lemyshk i ujrave te ndenjura perballe lisave te kultures shqiptare.
    Kujton se behesh interesant duke politizuar cdo bisede?
    Keshtu ben cdo doktor plepash a Vicidoli.

  9. Qepë & Hudhra says:

    Artikull kaotik. Nëse ka një detyrë parësore çdo shkrim publicistik, që duhet ta kqyrë sa më kujdeshëm, kjo duhet të jetë kthjelltësia në kuptim. Dhe shkrimi i A Tufës lëngon nga mungesa e qartësisë. Shkrimi eshte lindur te beje komunikimin sa me te lehte. Por ketu shoh rastin klasik kur perpjekja per dukje pompoze te shkruesit errëson mesazhin deri në bezdi. Keni parasysh kur neverit një shkrim gjattë leximit, deshiron t’i largohesh por pastaj DETYRON vëmendjen tende ta shpjesh deri ne fund leximin? Ja, kete ndjesi dhuron kjo publicistike.

    Cili eshte argumenti? Kujtesa kolektive. Term i huajtur. Analet kombetare nuk sjellin nje perftim te tille deri kur Kadareja nis ta perdore tek shpjegimi i Ardhjes se Konstantinit pertej vdekjes. Po. Eshte e vertete se kultura shqiptare vuan nga amnezia historike. Amnezi d.m.th. humbje e kujteses. Gjithe Pikekthesat Hostorike te popullit tone tregojne se ne nuk e perdorim kure pervojen e hidhur, por e rijetojme Gabimin historik.
    Dhe cili eshte meraku i A. Tufes? Qe populli te mos harroje diktaturen qe kaloi. Te mos e harroje qe te mos e perserite me. Kjo eshte e drejte. A duhet arritur kjo me lufte mediatike dhe institucionale? Tufa mendon se, po. Une mendoj se jo.

    Ne fushen e neuroshkences, aty ku Tufa kerkon ndihme (por keput (kopace injorance duke konjuar terma te gabuar si, “kujtesa eshte organ psikologjik”) gjendet nje postulat ku thuhet se, strukturat e trurit te sistemuara ne sisteme e nensisteme JAPIN E MARRIN INFORMACIONE nga ambienti rrethues, nga organet e brendshme te trupit, peshojne dhe vleresojne cdo impuls duke u keshilluar me pervojen e meparshme te akumuluar ne sisteme sinaptike (fiziologjia e kujteses) dhe me pas duke filtruar mesazhet ne shtresa te tjera te trurit TOP DOWN, nga nivelet e ulta instiktive (frymemarrje, homeostatic system, ne nivelet limbike mesatare emocionale, deri tek ato me te lartat PFC prefrontal cortext) tek ky nivel i fundit merren vendimet morale, etike, logjike, strategjike. Nese, nese ky sistem i supernderlikuar shkeputet, nderpret marrje-dhenien mes gjithe niveleve atehere mendja, si produkt virtual (jolëndësor) i trurit (lëndësor) shfaq elemente te çoroditjes, haluçinacioneve, paranojes qw jane elemente te çrregullimit skizofren. Diktatura, Tufa i dashur, eshte nje produkt kombetar, kulturor, ekonomik, fetar gjeografik. Pra ashtu si truri, edhe ndergjegja kolektive shqiptare kaloi çrregullimin e saj mendor. Ju, nuk mund te gjykoni nje popull te perfshire ne delirin e vetshkaterrimit. “Byroistet” tane nuk ishin aliene te zbritur me strategji extraterrestre per te instaluar diktaturen ne shqiperi. Ata ishin “pluhuri” i baltes se ketij vendi qe u ngriten dhe bene “poçet” e djallit por te nxitur nga kjo perçarje (sikurse percarja midis sistemeve te trurit qe shkakton skizofrenine) krijuan diktaturen.

    Kjo pune qe kerkon te beje Instituti juaj duke dokumentuar lemerite e diktatures eshte nje tjeter percartje per te bere disfunksionin e trurit (kupto shoqerine shqiptare) ne kete periudhe. Nuk ka nevoje me per memorie antidiktatoriale sepse gjithe populli gaboi dhe per gabimet ka ndeshkime. Ne s’mund te ngreme nga varret gjyshrit tane te viteve 1940 dhe t’i qortojme per cektesi ne perspektive. Ata ishin injorante. Dhe injoranca ka cmim. Kujtesa i dashur Tufa, kujtesa kokektive kultivohet ne gjeneze. Ke pare hebrejte me Toraht e tyre ne duar? Ajo eshte kujtese kolektive. Ne ne fondin e kultures popullore mesazhet per ndergjegjen kolektive i kemi te koduara. Merr Legjenden e Rozafes, Legjenden e Konstantinit, e mjaft perla te tjera dhe mesazhet do ti gjesh poli-kuptimore. Ndergjegja jone kombetare vuan nga interpretimi dhe jo nga tesia e mesazhit. Ashtu si publicistika juaj.

    1. anticensurë 369654 says:

      lali ky shkrim është binjaku i waterboarding dhe quhet wordboarding!!
      është një mënyrë torture e re!!përdoret nëpër salla seminaresh ku njerzit,shpesh paguajnë për tu torturuar!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje