Luksemburgu nga spitali në fushë, UEFA nuk shtyn sfidën me Bjellorusinë

8 Shtator 2015, 13:27Sport TEMA

Luksemburgun e pret një përballje e vështirë me Bjellorusinë në Minks. Jo vetëm për diferencat që kanë skuadrat, por prej helmimit nga ushqimi që skuadra pësoi në Minsk.

17 nga 20 lojtarët e përfaqësueses modeste paraqitën probleme gastro-intestinale. Shkak është bërë ushqimi i konsumuar në hotelin në kryeqytetin bjellorus.

Mishi i grirë i i konsumuar me makarona ishte i kontaminuar. Menjëherë skuadra i’u nënshtrua kujdesit mjekësor. Vetëm tre lojtarë, Schnell, Joachim dhe Da Mota që zgjodhën një tjetër lloj salce nuk vuajtën komplikacione.

Ngjarja e pazakontë nxorri jashtë loje përfaqësuesen e Luksemburgut dhe Federata e këtij vendi i kërkoi UEFA-s ta shtynte të paktën me 24 orë përballjen e mbrëmjes së sotme me Bjellorusinë.

Por, përgjigjja e Konfederatës Europiane ishte negative. Futbollistët e drejtuar nga trajneri Luc Holtz, do të zbresin në fushë për ta luajtur ndeshjen sipas kalendarit të parashikuar, në orën 20:45.

Më parë, Kombëtarja e Luksemburgut u përball me vonesa për të hyrë në Bjellorusi për shkak të problemeve me vizat, ndërsa autobusi që duhet ta transportonte ekipin nuk ndodhej në vendin e përcaktuar.

Sfida në Minsk, cilësohet si një finale për vendin e katërt në Grupin C. Pasi mposhti Maqedoninë fundjavën e kaluar, Luksemburgu ka 4 pikë në renditje, aq sa edhe ekipi bjellorus./SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje