Një djalë i ri hyn me shpejtësi nga porta kryesore e Amfiteatrit të Durrësit. Krejt çka i intereson është të futet nja 10 metra brenda rrethojave, të shkrepë një fotografi dhe mbaron vizita.
Nga Shaban Maxharraj
“Duhet ta presësh biletën për t’u futur këtu”, i tregon rregullat nga kabina e biletave Merita Hoti. Këtë e thotë me një dozë britme që i riu ta marrë edhe si vërejtje.
“Jam refugjat dhe vetëm një foto bëra”, thotë ai, derisa miqtë e presin jashtë rrethojave dhe nuk ndërron asnjë fjalë tjetër duke ikur me shpejtësi. Hoti që çdo ditë mban një ndërresë në kabinën e biletave, nervozohet goxha fort me veprimin e të riut. Por doza e pakënaqësisë së saj shtohet kur i riu gjatë rrugës hedh një pako cigaresh në trotuar.
“Hedh pakon hop se është refugjatë. E lënë atje ku është të sillet kështu? Natyrisht që jo. Refugjat je për veten tate“, thotë ajo, tek heq syzet. Në kabinën e drunjtë një mbishkrim sqaron se bileta për të vizituar amfiteatrin e shekullit II kushton 300 lekë. Pagesa mund të bëhet edhe me 2.5 euro.
Në Dyrrahun e dikurshëm
Puna si beletashitëse ka bërë qe punonjësja e Amfiteatrit të ketë përvoja të ndryshme.
“Këtu ça nuk dëgjon njeriu. Unë i thashë njërit që me këtë biletë mund të shkosh edhe në Muzeun Arkeologjik. Më tha: ‹kush të tha ty se dua të shkoj unë atje›. I thashë mos u nxeh. Unë po të them nëse ke qejf me të të shkosh shko”, rrëfen Hoti tek qeshet. Tregon se Amfiteatri i Durrësit nuk ka ciceron. Punonjësi që e bënte këtë punë tashmë ushtron zanatin në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Kur Hoti kishte ardhur në turnin e dytë tashmë kishte gjetur aty një çift që po shkrepte fotografi në ditën e tyre të martesës.
“Afrohuni edhe pak, por jo krejtësisht pranë njëri-tjetrit”, këshillon Altini çiftin e ri tek vë syrin e djathtë në aparat e të majtin e mbyll krejtësisht. Aneta dhe Maksi tashmë kanë shpenzuar rreth dy orë duke ngrirë momentet e ditës së parë të martesës në njërin nga objektet e trashëgimisë kulturore më reprezentative të Durrësit. Kanë dëshirë të kenë fotografi në secilin qoshe të Amfiteatrit.
«Shumë të kurorëzuar veprojnë sikur ne. Është një objekt ku ka vlerë të qëndrosh në ditë të veçanta», thotë Aneta, derisa ia shtrëngon dorën e djathtë bashkëshortit. Derisa përcjell çiftin, Hoti tregon se ka rënë paksa trendi i fotografimit të të sapomartuarve në Amfiteatër. Thotë se dikur gjatë stinës së verës rastet e tilla kanë qenë shumë të shpeshta. Bile kishte ndarë në një kasafortë të veçantë me të hyrat që mblidheshin vetëm nga çiftet.
«Këta kishin ardhur qysh herët në turnin e parë. Dikur për një javë kam mbledhur 27 mijë lekë të reja vetëm nga çiftet. I kam ruajtur kastile veç ato para për t’i numëruar», thotë Hoti. Në formë elipsi, sipas llogaritjeve, në këtë hapësirë dikur mund të zinin vend nga 15 mijë deri në 18 mijë spektatorë të ndeshjeve midis gladiatorëve dhe kafshëve. Sipas të dhënave që ofron libri «Arkeologjia» me autor Neritan Cekën dhe Muzafer Korkutin, amfiteatri si tip i ri arkitektonik është dëshmuar deri më sot vetëm në Dyrrah. Sipas këtyre autorëve, ai është ndërtuar, kur Durrësi apo Dyrrahu i atëhershëm si koloni romake ishte bërë qendra kryesore ekonomike e Ilirisë.
“Duke pasur formën tipike sikur një elips me boshtin e madh 120,6 metra, Amfiteatri i Dyrrahut paraqet një zgjidhje të veçantë sa i përket konstruksionit”, shkruan në këtë libër. Autorët kanë cekur se Amfiteatri paraqet një ndërtim të lirë me lartësi 20 metra, sikurse monumentet e këtij lloji në Perandorinë Romake. Objekti është pjesërisht i mbështetur në kodër. E kjo për Cekën e Korkutin është fakt i traditës së teatrit antik.
“Ndërtimi është realizuar me teknikën e betonit duke përdorur ‹opus incertum›», shkruan në librin e botuar më 1998. Vendi i spektatorëve është krejtësisht me ulëse të gurta. Autorët e librit kanë përmendur faktin se shkallorja ndahej horizontalisht në dy meniane, përderisa shpërndarja e shikuesve në shkallore bëhej nëpërmjet një rrjeti të dendur galerish.
“Përdorimi i Amfiteatrit të Dyrrahut për shfaqje të gladiatorëve dëshmohet nga një mbishkrim i shekullit – që përmend ndeshjen e 12 çifteve gladiatorësh. Nga Apolonia kemi një relief që tregon një shpatar që kërkon mendimin e publikut për të vrarë ose për të falur kundërshtarin e tij të mundur”, shkruan në libër. Arena tashmë ngjan me një park pasi nuk është nxjerrë ende në pah. Amfiteatri ka disa hyrje për në arenë e dosa të tjera për spektatorë. Paria e kohës hynte me karroca nëpërmjet portës kryesore ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet postave të tjera alternative.
Shndërrimi në varreza
Nga porta kryesore vizitorët mund të hyjnë menjëherë në pjesën e brendshme të Amfiteatrit që i bie krejt nën hapësirën e spektatorëve. Ndër gjërat e para që bie në sy është pusi i pagëzimit. Në një hapësirë të ngushtë është një pus uji i të cilit mban ngjyrë të verdhë shkaku i hedhjes së monedhave. Sipas Hotit, në fund të shekullit IV perandori i kohës kishte marrë vendim që tutje të mos kishte ndeshje midis gladiatorëve. Më pas hapësira ishte shndërruar në varreza.
“Është kisha, është pusi i pagëzimit. Është një varr ku është gjetur një çift aty. Reliktet e asaj ruhen në muze», shpjegon Hoti. Mureve të gurta në hapësirat e brendshme u janë ndërruar ngjyrat shkaku i lagështisë. Në disa pjesë shihet uji duke pikuar. Për këtë fakt Hoti nuk ka çfarë të thotë pos që rrudh krahët. Para varrit të çiftit është një dhomë. Arkeologët kishin hasur në 33 skelete njerëzish. Transformimi nga hapësira ku mbaheshin kafshët në miniobjekte kulti ishte bërë pasi kishin zënë vend varrezat atypari. Gropat që shërbenin për t’ua hedhur ushqimin kafshëve dhe për ajrosje janë edhe sot lehtë të identifikueshme. Korridoret e brendshme janë goxha të përziera. Besohet se Amfiteatri mund të ketë edhe më shumë kisha, por do ende punë për t’i zbuluar. Kapela që kishte shërbyer si faltore kristiane ishte ndërtuar për nder të peshkopit të Durrësit, Martir Astit. Mozaikët janë goxha të dëmtuar, kur kishte shërbyer si peshkop i Durrësit të dikurshëm. Në mozaikë është paraqitur edhe Shën Stefani.
«Kapela përmban të vetmit mozaik mural në Shqipëri të stilit më tepër linear, të vështirë për t’u kuptuar dhe datuar, saqë kanë shkaktuar interpretime të ndryshme», shkruan skaj mozaikëve në një tabelë informuese. Një e veçantë tjetër është edhe prania e përbashkët e mozaikëve dhe afreskeve. Afresket ishin zëvendësuar me mozaikë.
«Paneli prej mozaiku që mbulon paretin perëndimor ruan një pjesë të figurës qendrore të Virgjëreshës me dy engjëj në krah dhe më tej nga Irena (paqja) dhe Sofia (dituria)», shkruan në tabelën informuese. Mbi paretin jugor paraqitet një figurë perandorake me mantel dhe kurorë. Figura mban në dorë një kryq dhe globin që simbolizon madhështinë. Mbi figurat në greqisht shkruan: «Zot ndihmoje shërbëtorin tënd Aleksandër». Në kapelë është gjetur edhe një thesar me monedha të shekullit XX. Një gjë dihet saktë se krejt çfarë është punuar në Amfiteatër është bërë deri në vitin 1030, kur si pasojë e një tërmeti të fuqishëm Amfiteatri ishte zhdukur. Sipas Hotit, ndërkohë zona ishte ndërtuar me shtëpi duke mos ditur se aty fshihet objekti gjigant i periudhës romake. Jeta në Durrës kishte vazhduar pa praninë e Amfiteatrit, megjithëse gjithmonë dyshohej se objekti gjendej në qytetin buzë Adriatikut.
«Në vitin 1966 u bë sebep një pemë fiku e një shtëpie që u fundos. Nga kurioziteti u bën gërmime dhe u gjet amfiteatri», tregon Hoti. Fiks 33 shtëpi ishin larguar nga ajo pjesë për të nxjerrë në vetëm një çerek të objektit ku punimet kryesoheshin nga arkeologu Vangjel Toçi. Në dy vjetët e fundit Amfiteatri ka nisur të marrë më shumë vëmendje. Me rregullimin e sheshit pranë Bashkisë së Durrësit janë rregulluar dhe shkallët për t’u ngjitur tek thesari arkeologjik. Vitin e kaluar nën organizimin e zonjës së parë të Shqipërisë, Odeta Nishani, Amfiteatri është pajisur me drita. Tashmë është miratuar edhe fondi për shpronësimin e shtëpive që pengojnë zbulimin e pjesës tjetër të Amfiteatrit.
«Kanë mbetur edhe nja katër pesë metra të gërmohet dhe të dalë bazamenti. Ke galerinë e kafshëve aty dhe duhet të dalin në dritë portat përmes të cilave dilnin në arenë kafshët që ishin janë ndeshur me gladiatorët», tregon Hoti. Thotë se është tejet e privilegjuar që punon si biletashitëse pranë objektit të trashëgimisë kulturore. Krejt pak metra e ndajnë Amfiteatrin me Murin Bizantin që rrethonte qytetin. Muri tre metra e gjysmë i gjerë, me gjashtë metra themele, tetëmbëdhjetë metra i lartë dhe 4400 meta i gjatë, ka shërbyer për mbrojtjen e qytetit. Sipër tij kalonin dy kalorës që ruanin qytetin dhe në çdo 50 metra ka pasur nga një kullë vrojtuese. Disa pjesë të murit janë të dukshme e disa të tjera janë rrafshuar. Në Amfiteatrin e Durrësit tashmë kanë nisur të kthehen shfaqjet. Por ka ndryshuar stili. Për dallim prej kohës kur ndesheshin gladiatorët në ditën e 16-të të këtij muaji, aty është shfaqur komedia «Ëndrra e një nate vere» me tekst të William Shakespeare e regji të Driada Dervishit.