Nisin përgatitjet, edhe SHISH për sigurinë në ndeshjen me Serbinë

14 Shtator 2015, 20:11Sport TEMA

Për herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit bashkëpunon me Shërbimin Informativ Shtetëror për një ndeshje futbolli, duke filluar që nga biletat.

Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku thotë për Top Channel se masat e sigurisë do të jenë shumë të rrepta për takimin me Serbinë dhe i kërkon tifozëve, që të tregojnë qytetari dhe të mbështesin kombëtaren drejt fitores.

 

TCH: Zoti sekretar, duke lënë mënjanë futbollin në Shqipëri, le të përqëndrohemi pak te kombëtarja shqiptare e futbollit, ose më mirë te ndeshja me Serbinë. A i ka filluar FSHF përgatitjet për këtë ndeshje dhe konkretisht çfarë përgatitjesh po bën?

Ilir Shulku: Masat do të jenë shumë të rrepta për këtë ndeshje, pasi ndeshjen e kaluar me Portugalinë, ishit dëshmitarë të risisë sonë me bileta të personalizuara. Kjo do të thotë se ka qenë një stadium i monitoruar plotësisht. Këtë radhë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të jetë shumë më i rreptë kontrolli. Ne do të kërkojmë që në stadium të vijnë tifozë, të cilët do të jenë aty vetëm për të përkrahur kombëtaren shqiptare. Kjo për shkak se një rezultat pozitiv në atë ndeshje, duke pritur edhe rezultatin e takimit mes Portugalisë dhe Danimarkës, do të mund të na çonte drejt ëndrrës së shumëpritur. Megjithatë, meqë më dhatë rastin, do të bëja edhe një thirrje për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në atë ndeshje. Ne kemi parësore rezultatin e ekipit kombëtar, kërkojmë prej tyre qytetari e t’i tregojmë botës se ne dimë të bëjmë tifozeri, ndeshje “fair play” dhe dimë të marrim rezultate pozitive. Kjo është kërkesa ndaj të gjithë atyre që do të jenë të pranishëm në stadium: t’i shërbejnë kësaj ëndrre, që ne e kemi pasur prej shumë vitesh.

TCH: Sa u përket biletave, ato ende nuk kanë dalë në treg, por thuhet se gjithçka ka përfunduar dhe ato janë të gjitha të shitura. Sa është e vërtetë?

Ilir Shulku: Kërkesa ka pasur shumë, ndoshta nuk mund ta them numrin e saktë, por mbi 3-fishin e kapacitetit të stadiumit. Ky është një proces nën një monitorim shumë të rreptë. Shitja e biletave do të bëhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me organe shumë të specializuara, kështu që mendoj se gjatë kësaj jave – ndoshta edhe nga sot që po flasim, – do të fillojë shitja e tyre online. Në të njëjtën kohë do të fillojë edhe shitja e biletave për institucionet zyrtare e kështu me radhë. Hapi i parë do të jetë shitja e biletave online, që normalisht mund të fillojë nga sot.

TCH: Shitja e biletave online bëhet normalisht për të parandaluar shitjen e tyre në “treg të zi”…

Ilir Shulku: Ajo që ka qenë gangrenë nëpër ndeshjet e tjera, që shumëkush e quan “treg të zi”, mund të them se është zvogëluar maksimalisht gjatë ndeshjes së kaluar, për të mos thënë që nuk ka ekzistuar. Besoj se personalizimi i biletave e shmang totalisht këtë gjë, ashtu sikurse edhe shitja online, për të cilën mund ta them se me 100% nuk ekziston asnjë mundësi abuzimi.

2 komente në “Nisin përgatitjet, edhe SHISH për sigurinë në ndeshjen me Serbinë”

  1. Nard says:

    Bukur fort ja paskeni lene ne dore organizimin e ndeshjes ushtarit te UDB-se Visho Ajazi.

  2. Pashai says:

    Jo mor jo!e paskan marr me seriozitet këtë herë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje