Interpol Tirana ekstradoi nga Roma të dënuarin Alban Ila (Fatmir Gjoci), i dënuar me 4 vite burg për vjedhje me dhunë.
27 vjeçari, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë u dënua në 24 prill 2014 nga Gjykata e Apelit.
Përmbledhje e ngjarjeve për të cilat akuzohet Ila:
Në datë 9 nëntor 2011, rreth orës 23:00 shtetasi K. B., pasi ka panuar si kamarier në një lokal Bar–kafe që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, është nisur në këmbë për në shtëpi. Në afërsi të shkollës “Besnik Sykja”, i kanë dalë përpara dy djem të rinj. Pasi i janë afruar janë prezantuar si punonjës policie, dhe më pas i kanë marrë portofolin dhe janë larguar.
Në datë 09 nëntor 2011, shtetasi S. B. ka qenë duke u kthyer në banesë, në orën 23:15, ku në rrugë i kanë dalë përpara tre persona, të cilët janë prezantuar si punonjës policie. Kanë ushtruar kontroll duke i marrë një sasi parash dhe një celular.
Në datë 30 shtator 2011, rreth orës 01:00, shtetasi B. M., ka dalë së bashku me një familjarin e tij për shkuar tek makina. Pranë i janë afruar tre shtetas, të cilët i janë prezantuar si punonjës policie dhe i kanë kërkuar të nxirte nga xhepi çdo gjë që kishin, duke i marrë portofolin dhe celularin.
Në të gjitha rastet personat të cilët janë paraqitur si punonjës policie dhe kanë kryer vjedhjet kanë qenë shtetasit, E. M., E. K dhe Alban Ila.