Ish drejtori i Interpol Tirana, Artan Bajraktari me një deklaratë për shtyp, ka reaguar kundër akuzave të PD-së, bërë nga Sekretari i Përgjithshëm Ristani. Bajraktari ka publikuar vendimet e gjykatës, të cilat i garantojnë atij rikthimin në punë sipas ligjit.
“Marr shkas nga deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Z. Arben Ristani, për të sqaruar akuzat politike, por tërësisht të padrejta ndaj personit tim.Shpreh jo pak keqardhje, që një përfaqësues i lartë i Partisë kryesore të opozitës të njollosë emrin tim, duke deklaruar në publik fakte tërësisht të pavërteta; duke treguar njëkohësisht mungesë respekti të hapur për vendimet e Gjyqësorit, respektimi i të cilave nuk pranon komente politike.
Është pikërisht nëpërmjet 2 vendimeve të një pas njëshme të gjykatave të shtetit shqiptar, respektivisht Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatës së Apelit të Rethit Gjyqësor Tiranë, që unë jam deklaruar i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura nga Prokuroria.
Thënë me fjalë të tjera, janë po të njejtët vendime gjyqësore të cilët, krahas deklarimit të ndalimit tim si të paligjshëm, pushimit të procedimit penal ndaj meje, garantojnë edhe kthimin tim në pozicionin e mëparshëm të punës.
Kjo do të thotë se përkundër sa deklaron funksionari politik i PD, rikthimi im në detyrë nuk i atribuohet askujt tjetër përveç ligjit dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Karriera ime personale thuajse prej 2 dekadash në Policinë e Shtetit, është pasuria ime më e vyer. Si të tillë, nuk është e arsyeshme dhe as ligjore, që të bëhet objekt i deklaratave për qëllime politike,
Unë jam punonjës i Policisë së Shtetit, dhe punoj për sigurinë e vendit tim.
Politika të bëjë politikë me politikën, jo me punonjësit e Policisë”, – sqaron zoti Bajraktari.
Bravo Artan! Pro i vertete!