Diskutohet në Parlament Ligji për Turizmin, Ahmetaj: Përqasje e integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit

17 Shtator 2015, 18:45Politika TEMA

 

Është diskutuar sot në seancën plenare ligji “Për Turizmin”. Duke folur para deputetëve, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj shpjegoi rëndësinë e ligjit për lehtësimin e investitorëve të huaj, garantimin e zhvillimit të integruar të turizmit në vend dhe synimin për të rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon në fushën e turizmit.

Dukë i dhënë përgjigje një prej shqetësimeve të ngritura nga opozita për cënimin sipas tyre, të pavarësisë së pushtetit vendor, Ministri Ahmetaj u shpreh se qasja do të jetë e centralizuar përsa i përket planifikimit dhe administrimit, por jo pronësisë, e cila i mbetet pushtetit vendor.

“Në këtë aspekt ne mendojmë që logjika e zhvillimit të integruar të turizmit, ka nevojë për këtë qasje. Unë solla argumente dhe qasje të ndryshme nga vende të ndryshme dhe kjo nuk ka nevojë për debat. Ka një këndvështrim të diskutuar, të argumentuar, të logjikuar të mazhorancës përsa i përket përqasjes për zhvillim të integruar dhe unë jam i bundur, mazhoranca është e bindur,  që nuk e cënon aspak pavarësinë e pushtetit vendor.

Mund të sillja shembuj kur keni cënuar pavarësinë e pushtetit vendor me një të rënë të lapsit. Keni ndërhyrë në mandatin e kaluar drejtpërsëdrejti në fondet e buxhetit vendor dhe jo pak, 12 milionë dollarë më një të rënë të lapsit, por nuk dua të ndalem tek kjo. Dua të ndaloj tek logjika e zhvillimit, që do të japë frytet e veta në gjithë vitet që do të vijnë. Jam i bindur që ne pesë vitet e ardhshme do të ketë shumë kërkesa për investime në turizëm, sepse Shqipëria është destinacioni europian i paeksploruar dhe pa një qasje të integruar nuk mund t’ia dalim dot. Mund t’ju sjell shembullin e OMNIX,  debati qw bëhet sot mes pushtetit vendor dhe pushtetit qendror është qesharak. Kjo përqasje e zgjidh këtë problem dhe i hap rrugën investimeve, injektimit të parave në ekonomi dhe e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve serioze”- tha Ministri.

Lidhur me çështjen prokurimit të fondeve, Ahmetaj tha se ekziston një vështirësi praktike, për Agjensinë Kombëtare të Turizmit apo edhe për AIDA-n, që nuk arrin dot të bëjnë atë që duhet për të promovuar vendin, për shkaqe dhe pengesa praktike.

“Dhe po, është e vërtetë që po ndërhyhet në ligjin e prokurimit. Patjetër që duhet ndërhyrë dhe ky është një shembull i trashëguar nga ju kur bëtë të njëjtën gjë me ligjin e kulturës. Po përsërisim një praktikë të mirë e cila ka provuar që ka ndihmuar institucionet e promovimit të kulturës shqiptare jashtë Shqipërisë” – tha Ahmetaj.

Ministri u ndal gjithashtu tek promovimi i Shqipërisë në Panairin Expo Milano, për të cilin tha se  është një nga aktivitetet më të rëndësishme europiane dhe botërore për promovimin e vendeve dhe të biodiversitetit apo edhe kulinarisë në rastin konkret.

“Përpjekja e Shqipërisë, me ato fonde që kishte, ishte dinjitoze. Pavioni është interesant, është një përpjekje për të treguar një fytyrë njerëzore, modeste të Shqipërisë. Unë i kam parë thuajse të gjitha pavionet dhe çdo vend ka tentuar të tregojë anën e vet më të mirë. Ajo që kemi thënë këtu është që çdo përpjekje për të promovuar një imazh të mirë të Shqipërisë, si një vend i bukur që duhet të vizitohet, që duhet të kthehet në destinacion, është përpjekje dinjitoze dhe në fakt, numrat janë rritur. Vetëm në gjashtëmujorin e parë 2015, është rritur numri i turistëve të huaj 17%. Janë rritur të ardhurat 6% dhe po ju them, këtu nuk përfshihen muajt korrik dhe gusht që janë në fakt piku i sezonit turistik detar në Shqipëri”

Lidhur me shpronësimet në rastin e zonave të shpallura me përparësi për zhvillimin e turizmit, Ministri Ahmetaj u shpreh se ligji për turizmin është plotësisht i harmonizuar me ligjin për investimet strategjike.

Turizmi shqiptar përballet me një konkurrencë jashtëzakonisht shumë të avantazhuar të fqinjëve. Jemi në garë me Malin e Zi, me Kroacinë, me Greqinë apo Turqinë në rajon dhe gara nuk është e thjeshtë për hir të së vërtetës dhe pengohet edhe nga problemi i pronësisë. Nuk është e vërtetë që ne i marrim pronën individëve, duhet të jemi shumë korrekt. Ligji flet për negociatë me pronarët dhe i harmonizuar me ligjin e investimeve strategjike, flet për shpronësim pasi ligji i investimeve strategjike e ka konsideruar turizmin si prioritet. Pra, kemi bërë një ligj të investimeve strategjike, i cili është një përpjekje e drejtpërdrejtë për t’i lehtësuar investitorët e huaj. Të njëjtën gjë bën ligji i turizmit, 99 vjet me 1 euro, pronë publike me tender ndërkombëtar, siç bëmë me zonën ekonomike  të Spitallës. Janë gjëra të provuara që kanë dhënë efekt.

Ne nuk e ndryshojmë ligjin sepse jemi brenda të njëjtës logjikë që kaluam në Korrik, dhe pa u treguar cinik, dua t’ju them që Komisioni juaj e kaloi ligjin pa bërë asnjë ndryshim. Sigurisht që turizmi është dinamik dhe ligji nuk është i gdhendur në gur. Nuk është kjo logjika e këtij ligji. Por kur flasim për ligjin e turizmit dhe ligjet organike, nuk ia vlen t’i politizojmë. Ju keni këndvështrimin tuaj, ne kemi këndvështrimin tonë. Besojmë që me këtë ligj kemi korrigjuar gabime të së kaluarës, besojmë që kemi marrë nga e kaluara elementët e mirë dhe i kemi përforcuar dhe besojmë që ligji ka për të qenë një instrument shumë i mirë në dorë të qeverisë dhe ën dorë të qeverive, për të zhvilluar turizmin. Të gjitha kontributet që janë dhënë në komisione, janë shënuar dhe jam i bindur që sërish do të ulemi për të gjykuar dinamikën dhe nëse do të ketë nevojë, edhe  për ta përmirësuar ligjin për problemet që do të na dalin gjatë rrugës” – përfundoi Ministri Ahmetaj.

 

8 komente në “Diskutohet në Parlament Ligji për Turizmin, Ahmetaj: Përqasje e integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”

  1. klajdi says:

    I duhej vendit k ligj per turizmit, vetem per nje arsye te vetme qe mos te perfundonte e gjith bukuria shqiptare sic ndodhi me golemin!

    1. andi says:

      i sherben shume vendit tone per nje arsye, hap me shume vende te reja pune, standartizon tregun ndihmon ne rritjen e sherbimit ne te , rrit sa me shume numrin e turistave nga jashte gjithashtu thithjen investitore te huaj te vin te investojn ne vendin tone

      1. mira says:

        Kjo eshte nje pakete e mire qe i sherben shume investitorve te vendit tone. pervec lehtesires te shfrytezimit te truallit per 99 vjet me 1 euro kjo i jep me shume ndihmese cdo investitori te huaj nje garanci juridike per te. Qe e perkthyer ndryshe me shume siguri per gjith investimin e tij edhe me shume i prirur per investitorin te vij te investoj!

        1. UG says:

          Ky sektor duhet te kete prioritetin maksimal nga qeveria sepse ndihmon shume ne ekonomi. na ka fal zoti nje pasuri natyrore shume te madhe edhe vetmja gje qe duhet te bej qeveria jone eshte shfrytzimi saj ne menyren e duhur dhe jo ne cuarjen e golemizimit te saj. Edhe prandaj ky ligj do ndihmoj per cuarjen e turizmit perpara!

      2. Androkliu says:

        Si vend me potencial ne fushen e turizmit kemi nevoje qe ta zhvillojme edhe me kete sektor. Nje turizem i zhvilluar perkthehet ne rritje te numrit te vizitoreve, ardhje te kapitalit te huaj ne Shqiperi, kjo mepastaj do reflektoje pozitivisht ne ekonomi.

      3. KOMBI says:

        Po si nuk u be nje here te vetme konstruktive kjo opozite mor amani. Pasi menderosi gjithcka ne tete vite keqqeverisje vazhdon akoma me te njejtin kurs. Ky ligj eshte me interes per te gjithe ne pa dallim te djathte apo te majte.

    2. tafarel says:

      Ulja e TVSh-se nga 20 % ne 8 % per ato qe investojne ne zonat turistike eshte nje nga pikat e rendesishme te ketij ligji te ri. Gjithashtu krijimi i lehtesirave te tjera fiskale kane per qellim thithjen e investimeve.

  2. Saliu says:

    Shikoni monopolet qe kane dy operatoret Vas dhe ATHS shesin me shumice dhe pakice duke kontrolluar te gjithe tregun.Ne cilin vend te botes Operatori shet paketa she bile edhe ne faqet e tyre,ai ka te drejte te shese vetem ne agjensite turistike.Kjo ka bere qe agjensite jane duke u shkateruar pasi nuk kane pune pasi e marin operatoret.Te rojne operatoret se kete te drejte ja u dhashe une Saliu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje