18-vjeçarja Orialda Kajtazi, e cila së bashku me të motrën 14 vjeçe, Klevisën, tronditën opinion publik me arratinë spektakolare, sot i është kthyer jetës normale.
Nga qelitë e burgut të grave në Tiranë, adoleshentja nga Spitalla e Durrësit do të vazhdojë procesin mësimor në shkollën e mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”.
“Dua të nis shkollën, atje ku e kam lënë. Do shkoj në vit të tretë, jam maturante këtë vit. Dua që të mësoj, sepse ky është shansi që kam”, thote Orialda për Gazetën Shqiptare.
Ajo u shpreh se gjithçka nisi si një lojë adoleshentësh dhe se deri në momentin e fundit të jetës, do t’u ndihet borxhlie prindërve për shqetësimet e mëdha që u ka shkaktuar.
“Gjithçka nisi si një aventurë mbrëmjen e 15 korrikut. Të gjitha veprimet i bëra bashkë me motrën, pasi policia erdhi në derë të shtëpisë e pyeti për helmimin e prindërve dhe të motrës së madhe. Unë doja të vrisja veten, ndërsa motra e vogël tha që të arratisemi. Në mbrëmje ne i kishim marrë të gjitha dokumentet e motrës së madhe, Alketës, rrobat tona, paratë dhe u bëmë gati të iknim. Për të humbur gjurmët dhe që gjithçka të dukej si grabitje, ne derdhëm vajin e ullirit dhe i vumë zjarrin shtëpisë në dhomën e gjumit. Ikëm me taksi, ndërsa kemi fjetur në një hotel për tri net. Më pas u nisëm për në Vlorë, ku shtëpinë e morëm me kartën e motrës së madhe, Alketës, në emrin e saj, pasi ne jemi minorene. Nuk menduam gjatë, kishim inat me prindërit, me motrën e madhe, nuk e di pse”, u shpreh Orialda Kajtazi. Adoleshentja sqaroi se, ” në Vlorë kemi dalë shumë pak, sa për të blerë gjërat e nevojshme për banesën ku rrinim. Prindërve u kam thënë duke iu përgjëruar se vetëm falja e tyre më mjafton”.
Ndërkohë, 18-vjeçarja tha se ka qenë një moment budallallëku regjistrimi i videove në “Youtube” nga ajo dhe e motra.
“Sapo u arrestova nga policia, doja të fshija videot, por ishte e pamundur, pasi më sekuestruan celularët. Vetëm pasi u futa në burg, u dhashë kodin e adresës prindërve dhe ata i fshinë. U kërkoj falje të gjithëve atyre që i kemi përmendur në video, unë dhe motra”, deklaroi Orialda Kajtazi.
Ajo pohoi se do të përpiqet me të gjitha mënyrat që të kthejë në shtëpi motrën e vogël, Klevisën, e cila aktualisht është e strehuar në një qendër sociale.