Institucionet e administratës publike do të përdorin procedura të njëjta për dhënien e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka prezantuar sot modelin e ri të formularëve që do të përdoren në sportelet e institucioneve shtetërore për marrjen e shërbimeve nga qytetarët.
“Standardizimi i procedurave dhe i shërbimeve është një nga mënyrat për të përmirësuar shërbimin dhe për të luftuar korrupsionin. Një rezultat i parë i kësaj reforme është ky formular, që duket në pamje të parë si një gjë shumë e thjeshtë, por që është diçka që ka kërkuar disa muaj punë me mbështetjen e ekspertëve të Bashkimit Europian dhe sipas standardeve më të mira europiane”, ka thënë Harito.
Formulari i ri do të përdoret fillimisht në sportelet e 15 institucioneve shtetërore dhe do të përfshijë dhënien e 280 shërbimeve të ndryshme për qytetarët. Ndër institucionet e përfshira nga kjo reformë do jenë Hipoteka, ALUIZNI, Agjencia e Kthimit të Pronave, Zyrat e Punës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Agjencia Kombëtare e provimeve etj, të cilat do të përdorin formularin e ri.
Duke shpjeguar mënyrën se si do të funksionojë përdorimi i këtyre formularëve Harito është shprehur: “Për herë të parë ne tashmë kemi një kod unik për çdo shërbim, që ofrohet. Ky kod fillon gjithmonë me gërmat AL, me gjashtë numra që identifikojnë në mënyrë unike shërbimin. Pra çdo institucion e di qartë se për çfarë bëhet fjalë dhe si duhet të përdoren këta formularë”
Deklaratat e ministres Harito janë bërë gjatë një seminari të zhvilluar në Tiranë për prezantimin e praktikave më të mira europiane për shërbimet publike. Në seminarin ku ishin ftuar ekspertë të fushës nga Belgjika, Italia, Polonia dhe Rumania merrnin pjesë edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin dhe ambasadori Italian Massimo Gaiani, të cilët nga ana e tyre përshëndetën reformën e nisur dhe garantuan për mbështetje të vazhdueshme për realizimin e saj.