Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-administratorin e CEZ si dhe 2 ish drejtues të tjerë të kësaj shoqërie. Sipas KLSH me blerjen e energjise elektrike dhe mbifaturimin e konsumatorëve si dhe procedurat e blerjes se materialeve te pajisjeve elektrike, këta tre persona kanë shkaktuar një dëm mbi 32 milionë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 495/1 prot, datë 21.05.2015, i ndryshuar, ushtroi auditim në shoqërinë “Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) Sh.a., Tiranë, në përfundim të të cilit është konstatuar një dëm tërësor ekonomik në vlerën 32,039,440 euro, si dhe të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për Buxhetin e Shtetit në vlerën 5,630,713 euro, duke depozituar njëkohësisht pranë organit të Prokurorisë edhe kallëzimin penal nr. 495/21, datë 25.09.2015 për ish-Administratorin e CEZ Shpërndarje Sh.a., si dhe dy ish drejtues të larte të saj shoqërie, për periudhën kur kjo shoqëri ka qenë nën administrim të përkohshëm të Shtetit Shqiptar.
Më konkretisht, për periudhën e audituar 21.01.2013 deri me datë 30.06.2015, nga auditimi është evidentuar keqmenaxhimi i kësaj shoqërie për sa i përket: blerjes së energjisë elektrike, zbatimit të procedurave të blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike, zbatimit të procedurave të prokurimit publik, sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, dhënies së pagave dhe shpërblimeve, hartimin dhe mbajtjen e pasqyrave financiare, , etj.
Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën Janar-Korrik 2014, nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” Sha, është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1,357,823 mijë lekë ose 9,727,223.4 euro. Konkretisht blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mwh.
Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike, është shkaktuar një dëmtim i interesave të ligjshme të shoqërisë “KESH” sha dhe buxhetit të shtetit, për 2014, në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro.
Konkretisht për vitin 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbi faturim, keq faturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë etj), si pasojë e të cilës i është krijuar një dëm ekonomik shoqërisë “Kesh” sh.a dhe buxhetit të shtetit në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro. Ky faturim është bërë në mënyrë abuzive dhe të pasaktë, pasi reflekton një sasi të pa konsumuar të energjisë elektrike, por edhe një faturim fiktiv me abonent që nuk kanë arkëtuar asnjëherë (të cilët rezultojnë aktiv në sistemin e faturimit, ndoshta nuk ekzistojnë etj).
Nëpërmjet blerjes së energjisë elektrike nga tre kompani të lidhura ndërmjet tyre (një kompani mëmë dhe dy bija), për mbulimin e humbjeve te energjisë në sistemin e shpërndarjes për periudhën Korrik 2014 – Mars 2015, është shmangur konkurrenca, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik për llogari shoqërisë CEZ Shpërndarje sha dhe më pas për OSHEE sha, në vlerën 59,877 mijë lekë ose 428,950 euro.
Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion u konstatua që për katër kompanitë e audituara, nga ana e Shoqërisë “CEZ Shpërndarje” Sha, nuk disponohej dokumentacioni i plotë për justifikimin e pagesave të dhëna këtyre kompanive të mbledhjes së borxheve, duke ngritur kështu dyshime serioze për shumat e përfituara padrejtësisht prej këtyre kompanive nga Shoqëria “CEZ Shpërndarje” Sh.a.
Në mungesë të ekzistencës së dokumentacionit të plotë justifikues për zbatimin e detyrimeve kontraktore të kompanive të mbledhjes së borxheve, vlera prej 847,936,386 lekë do të konsiderohet si dëm ekonomik i përfituar në mënyrë të padrejtë nga ana e tyre.
Në lidhje me këtë konstatim, KLSH i ka rekomanduar Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të OSHEE, marrjen e masave të menjëhershme për të përfshirë në veprimtarinë e saj audituese, aktivitetin e të gjitha kompanive të mbledhjes së borxhit të keq të energjisë elektrike duke analizuar në veçanti kallëzimin penal të Avokaturës së Shtetit, përcjellë organit të Prokurorisë me shkresën nr. 526/34, datë 24.07.2013, si dhe të organizojë punën për auditimin e plotë të veprimtarisë administruese dhe menaxhuese, ekonomike dhe financiare të CEZ Shpërndarje Sha, për periudhën e administrimit të përkohshëm të kësaj kompanie, duke filluar nga data 21.01.2013.
Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që ERE, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar një situate konfuze në sistemin energjetik, jo vetëm në aktet e nxjerra prej saj, por dhe në monitorimin e shoqërive që operojnë në sistemin energjetik, me pasoje financiare për buxhetin e shtetit, kryesisht duke mos përcaktuar detyrimin e dy shoqërive KESH dhe CEZ për të rakorduar në lidhje me tepricat e prodhimit të KESH sha. Situatë e cila është përmirësuar vetëm në Shkurt 2015, nëpërmjet vendimit të ERE nr. 12, datë 06.02.2015 dhe marrëveshjes përkatëse ndërmjet KESH dhe OSHEE.
Veç sa më sipër, auditimi i KLSH ka evidentuar që nga ana e CEZ Shpërndarje Sh.a., nuk janë ndjekur procedurat për hartimin, miratimin e projekt-programit ekonomik dhe financiar, nuk është raportuar periodikisht në ERE; nuk është miratuar niveli i pagave të punonjësve në ministrinë përkatëse; ka diferenca në inventarizimin e aktiveve të qëndrueshme; ekzistojnë mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit të faturimit dhe të dhënave të kontabilitetit për faturat e papaguara nga abonentët, si dhe mospërputhje e detyrimeve për huat afatgjata me KESH SHA; ka mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe në zbatimin e kontratave, nuk është ngritur njësia e prokurimit; studimi i vlerës së kontratës nuk është plotësisht i saktë; nuk është hartuar dhe miratuar një plan strategjik auditimi dhe plan vjetor i punës së departamentit të auditit të brendshëm; ka mangësi në procedurat dhe zbatimin e tyre për blerjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e borxhit të shoqëruara me dëm ekonomik, etj.
Në total, nga auditimi rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të CEZ Shpërndarje Sh.a. (aktualisht OSHEE) dhe për rrjedhojë edhe buxhetit të shtetit, arrin në vlerën 32,039,440 Euro dhe të ardhurat e munguara arrijnë në vlerën 5,630,713 Euro.
Me shkresën nr. 495/21, datë 25.09.2015, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për A.S. në cilësinë e ish-Administratorit të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a., (përgjatë vitit 2014); E.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes në CEZ Shpërndarje Sh.a.; dhe J.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në CEZ Shpërndarje Sh.a., të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre funksionale kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe më konkretisht për shkeljet e konstatuara në lidhje me:
Gjithashtu, referuar Vendimit nr. 119, datë 24.09.2015 të Kryetarit të KLSH-së në lidhje me këtë auditim, në të janë përcaktuar dhënia e rekomandimeve për 30 masa organizative, 16 masa të ndryshme disiplinore që variojnë nga zgjidhja e kontratës së punësimit deri në vërejtje, si dhe 9 masa zhdëmtimi.
Shënim:
Bravo KLSH
Vetem saiti paska shpetuar