Dosja “Fullani” nxjerr zbuluar milionat e harxhuara për ish-hotel Dajtin

9 Tetor 2015, 19:54Politika TEMA

Nga Flamur Vezaj

Ditën kur qeveria shqiptare vendosi të këmbente hotel Dajtin-godinë monumentale në zemër të Tiranës- me 30 milionë euro, askush në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk ishte në dijeni për blerjen e madhe. Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 12 maj 2010 ishte bërë fakt, kur mbërriti një muaj e gjysmë më vonë mbi tavolinën e nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, organi më i lartë vendimarrës në Bankën e Shqipërisë.

Më 26 qershor 2010, blerja u miratua edhe nga Këshilli Mbikqyrës, ndërsa guvernatori i kohës, Ardian Fullani doli para mediave dhe tha: “angazhohemi për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur të një prej godinave më të vlerësuara të Tiranës”.

Pesë vjet më vonë, ish-hotel Dajti mbetet gërmadhë, ndërsa ish-guvernatori Fullani po përballet me një proces gjyqësor, i akuzuar për shpërdorim detyre edhe me procedurat e blerjes së godinës, që në vitet ’40 njihej si “hoteli më luksoz i Ballkanit”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë vendim për blerjen e hotel Dajtit, një muaj pasi qeveria ia kishte shitur këtë pronë Bankës së Shqipërisë.

“Personi nën hetim Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ardian Fullani u arrestua më 5 shtator 2014, për shkak se drejtimi i tij 9-vjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë u kompromentua nga vjedhja e 713 milionë lekëve prej një punonjësi të institucionit. Paralelisht me skandalin e vjedhjes, Prokuroria e zgjeroi hetimin edhe me prokurimet e diskutueshme, që Banka Qendrore kishte realizuar ndër vite.

Në fund, ish-guvernatori u dërgua në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy episode; me procedurat e sigurisë që sollën si pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve dhe me transaksionin e blerjes së hotel “Dajtit”, pranverën e vitit 2010.

Gjyqi kundër Fullanit; ndër më të shkurtrit në historinë e drejtësisë shqiptare ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë. Megjithatë, hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës kanë rikthyer në vëmendje projektet disa-milionëshe të Bankës së Shqipërisë për transformimin e ish-hotel Dajtit në zyra për punonjësit e saj.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Banka e Shqipërisë ndërmorri prokurime të drejtpërdrejta dhe shmangu procedurat e tenderëve në projektet e saj për transformimin e ish-hotel Dajtit.

Ky operacion i kushtoi Bankës së Shqipërisë rreth 1.5 milionë euro dhe u la në mes, duke thelluar degradimin e monumentit të kulturës në qendër të Tiranës.

Projekti “Petreschi”

Një vit pasi bleu ish-hotel Dajtin përmes një transaksioni që u denoncua si “operacion spekulativ për të mbushur arkën bosh të shtetit” nga Partia Socialiste asokohe në opozitë, Banka e Shqipërisë nisi të vërë në jetë projektin për kthimin e godinës në zyra për punonjësit e vet.

Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i administruar në dosjen e Prokurorisë kundër ish-guvernatorit Fullani thekson se projektet ishin të mangëta, ndërsa paratë janë shpërdoruar përmes procedurave të dubluara.

Banka e Shqipërisë ia besoi hartimin e projektit dhe preventivit për shndërrimin e ish-hotelit në zyra arkitektit Italian, Marco Petreschi, me të cilin po punonte ndërkohë për projektin e fasadës në godinën qëndrore të saj.

Më 23 nëntor 2011, përmes një prokurimi të drejtpërdrejtë, Banka Qendrore lidhi kontratën me Petreschin. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Banka e Shqipërisë shmangu tenderin e hapur, në këtë projekt që do të kushtonte 700 mijë euro.

Prokurimet e drejtpërdrejta kanë qenë një procedurë rutinë, e ndjekur rëndom nga Banka e Shqipërisë përgjatë drejtimit të Fullanit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014, tenderat e hapur zinin vetëm 18 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurimeve.

Para se të lidhte kontratë me arkitektin italian, Banka e Shqipërisë kishte realizuar 17 prokurime “blerjesh të vogla” me vlerë 3 897 650 lekë, të fituara nga kompania “Altea Geostudio 200” në periudhën 3 shkurt-3 gusht 2011. Studioja kishte marrë përsipër të bënte studime gjeoteknike dhe analiza laboratorike mbi gjendjen e godinës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se këto studime ishin të mangëta dhe me kosto shtesë për projektet e mëpasme, që u aplikuan nga Banka e Shqipërisë.

“Studimi është bërë mbi bazën e çdo urdhri prokurorimi, pa pasur specifikimet e nevojshme teknike. Kryerja në këtë mënyrë nuk siguron një studim të plotë dhe cilësor,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në prill 2011, Altea Geostudio 2000 dorëzoi studimin e saj dhe paralajmëroi se “betoni është i degraduar në shumë pjesë të tij, si rezultat i ujërave nëntokësore”. Para ndërhyrjeve në godinë, ekspertët rekomanduan heqjen e ujërave nëntokësore dhe pastrimin e kateve nëntokë nga mbeturinat e dekompozuara.

Studimet gjeoteknike me vlerë rreth 3.8 milionë lekë nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë Bankës së Shqipërisë lejen e ndërtimit dhe të zhvillimit për ish-hotel Dajtin. Në dosjen hetimore ndodhet përgjigja e Bashkisë së Tiranës, e cila pasi konstaton mungesën e raportit sizmiologo-inxhinierik, kthen mbrapsht dosjen e aplikimit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkon plotësimin e saj.

Për këtë arsye dhe për shkak të ndryshimit të projektit të fasadës, kontrata 700 mijë euro e lidhur me arkitektin Italian, Marco Petreschi u amendua dhe një tender i dytë për shërbime shtesë projektimi u zhvillua nga Banka e Shqipërisë. Vlera e tij ishte 184 800 euro.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se procedura e dytë tenderuese mund të ishte evituar, duke i kursyer buxhetit të Bankës shumën prej 184 800 eurosh.

Gjithsesi, projekti për transformimin e godinës shkoi sërish ters. Më 21 janar 2013, kohë kur kompania që kishte fituar tenderin për prishjet në ish-hotel Dajti po kryente punimet, janë evidentuar dëmtime serioze në strukturën e godinës.

Për këtë arsye, arkitekt Petreschi ka kërkuar studime shtesë dhe Banka e Shqipërisë ka ripunësuar studion “Altea Geostudio 2000”, përmes tetë prokurimeve të reja. Sipas Prokurorisë, vlera e kontratës së re ishte 2 200 000 lekë.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, raporti i së cilëve ndodhet në dosjen e Prokurorisë kundër Fullanit, studimi i dytë i dorëzuar ishte thuajse identik me të parin.

“Kontrata për shërbimet shtesë të projektimit në vlerën 280 mijë euro për pjesën e rishikimit të projektit teknik me vlerë 184 800 euro janë ta pabazuara teknikisht. Edhe kontrata 2.2 milionë lekëshe me Altea Geostudio është e pajustifikuar teknikisht,” thuhet në dosje.

Audituesit vlerësojnë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Bankës shkon mbi 28 milionë lekë.

Faji i “forcës madhore”

Paralelisht me procedurat e projektimeve, Banka e Shqipërisë nxorri dy urdhra prokurimi në korrik dhe shtator të vitit 2012 për pëzgjedhjen e kompanisë që do të kryente prishjet në godinë. Tenderi me vlerë rreth 24 milionë lekë është anuluar dy herë, deri në lidhjen e kontratës me kompaninë ABG.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se herën e parë munguan dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, ndërsa herën e dytë për shkak të kualifikimit të vetëm 1 kompanie, nga katër konkurrente.

Gjithsesi, kontrata me kompaninë ABG u zbatua në masën 60 për qind. Një arsye objektive për këtë ndërprerje është konsideruar mungesa e një plani urbanistik për Tiranën në atë kohë, e rrjedhimisht edhe për territorin ku shtrihet ish-hotel Dajti.

Shkak i ndërprerjes së punimeve u bënë edhe strukturat e dobëta të godinës, të cilat duheshin forcuar para se të bëheshin prishjet.

“Palët nënshkruan një dokument, ku kanë rënë dakord për mbylljen e kontratës. Diferenca e punëve të pakryera është 9.7 milionë lekë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Para se ky vendim të merrej, më 25 shkurt 2013 ish-guvernatori Ardian Fullani ngriti një grup pune për të analizuar vlerësimet teknike dhe problemet e shpeshta që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës.

Ekspertët e këtij grupi arritën në përfundimin se “problemet nuk qe e mundur të vlerësoheshin më parë”. Ato u përkufizuan si “forcë madhore”; një ngjarje që nuk mund të parashikohej ose është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palëve.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk ka pasur “forcë madhore”, por mosndërhyrje në kohë në detyrat e projektimit, që arkitekti Italian, Marco Petreschi mori përsipër në kontratën e projektimit me vlerë 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, anomalitë me projektet për ish-hotel Dajtin kanë ardhur pasi Banka e Shqipërisë nuk ndërmorri asnjë vlerësim real të kësaj pasurie, para se ta blinte atë. Hetimi akuzon ish-guvernatorin se shpërdoroi detyrën kur bleu me vlerën e një hoteli, një ambient që do ta përdorte për zyra pune.

10 komente në “Dosja “Fullani” nxjerr zbuluar milionat e harxhuara për ish-hotel Dajtin”

  1. Arkidi says:

    Fullanit ti sekustrohen te gjitha pasurit dhe te futet ne nje mijner qe te pakten te jet 1500 meter dhe bukes te ja dergoj ajo shurra qe vetem te vjedh dine…. Si familje te burgosen, po cfare ti besh qe Nishanliu e fton ne ballo.

  2. Arber Iliri says:

    Abuzime me parate e qytetareve qe s’kane me henger buke.Burgun e ka pak.

  3. mirdani says:

    JARI PAMUSTAQELLIU, SAPO TE JEPET VENDIMI SE FULLHAJNI ESHTE I PAFAJSHEM, DO TE DEKOROJE ATE DHE GJIN GJON ME TITULLIN ” MJESHTER I MADH I MASHTRIMIT” SE EDHE GJINI,QE U KA RJEPE SHQIPTAREVE MILJONA EURO, DOLI I PAFAJSHEM DHE ME NJE VENDIM QE NUK MUND TE HAPET PROCES PENAL PER TE.

  4. pushusi says:

    Sa po e llastojne kete qe ishte bere sulltan

    1. Bureto says:

      Ka bere ndere te medha Fullani, ndaj u zgjodh aty per dy mandate rrjesht, rast i rralle ky per BSH. BSh ishte kthyer ne cerdhe e nje rrjeti nepotik te papare, ku femije, djem e vajza, dhendure e nuse, niper e mbesa deri dhe tek gruaja e Presidentit jane aty punonjes. Pa folur per rrogat, ku vetem Fullani kishte te ardhura deri 24.000 $ ne muaj, sipas nje studimi te K.Myftrajt. Abuzimet e Fullanit per llogari jo vetem te tijat, jane te shumta dhe prokuroria ka patur shume material qe te mos i kufizonte hetimet vetem per dy ceshtje, vjedhja dhe hotel Dajti. Dhe jo vetem per Fullanin, sepse pergjegjesi kane dhe ca te tjere psh ish kryeministri apo anetaret e Keshillit Mbikqyres. Pse miratuan ata nje vendim te KM pa diskutuar dhe marre ata nje vendim te tyren me pare?!Por mesa duket rrjeta e merimanges se BSh nuk e mundeson nje gje te tille. Megjithate Fullani edhe ne u denofte me disa muaj, sa per te lare gojen prokuroria dhe gjykatat, atij meqe ceshtja, me sa dime, nuk eshte ne shqyrtim nga krimet e renda, i bie qe sipas ligjit, te mos i preket asnje qindarke nga pasurtia e tij e vene ne menyre abuzive me parate e shqiptareve. Dhe kjo eshte per te ardhur keq. Keshtu ligjerohet kushdo qe do te shperdorje apo vjedhe, nese nuk u preket pasuria. Dhe ne fakt nuk eshte per t’u cuditur se keshtu ka ndodhur rendom ne Shqiperi.

  5. full han says:

    Sa te jete Edi Rama,Fullanit i hane me nder m..in,jane shoke te vjeter sebashku me Nacin,sgje nuk do te ndodhi pervecse Fullani do te veshe perseri frakun me pappion dhe i biri do te bleje nje ore 30.000 euro.

  6. e verteta says:

    Njerez te babezitur, harbuter, qylaxhinj, ajduter, ja cfare jane Fullanet….

  7. nostradamus says:

    Poshtersite nuk paskan fund ne kete vend qe quhet Shqiperi ….!!!Ne kohe
    te tjera, emri i Fullhajnit do te ishte harruar …..!!!!!

  8. ILIRIA says:

    Mos i bini ne qafe ketij Fullhan FUKARAIT se eshte i paster qelibar nga miliardat qe ka vjedhur dhe i ben te gjithe te paster me parat e tij duke ju mbushur xhepat po merruni me ata qe sjapin kuponin 10 mij lekesh ose me ata qe spaguajne dot 30 mij lek energji se me keta duket puna e shtetit dhe e drejtesise per statistika qe kryejne punen si duhet si i thone nje fjale popullore qe edhe “mishi te piqet por dhe helli te mos digjet”. Faleminderit

  9. Grideria says:

    Mos ja vini fajin Edi Rames. O popull, gjykatat dhe prokurorine i administron Sali Rame Berisha, nepermjet Nishanliut. Prandaj, heren tjeter jepjani voten prap Likes qe te mos preket as Sala as Nishanliu. Keshtu ne do te vendosim shtetin. O popull idiot, ti meriton perseri Salen ne pushtet, qe te te mbyse ne dru me polici, me SHIK e me rrugaqeri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje