Tahiri kërkon dënimin e Palokës për shpifje, vendimi i gjykatës më 26 tetor

12 Tetor 2015, 12:05Politika TEMA

Gjykata vendos më 26 tetor lidhur me padinë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj kreut të grupit të PD-së, Edi Paloka, të cilin e akuzon për shpifje. Avokatët e demokratit Paloka kërkojnë që ai të shpallet i pafajshëm, pasi deklaratat dhe akuzat në drejtim të ministrit i ka bërë në emër të Partisë Demokratike.

Kreu i grupit të PD-së akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se po tentojnë që të marrin nën kontroll median e lirë dhe gazetarët që i dalin kundër interesave të pushtetit. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së lidhjet me krimin dhe drogën të ministrit të Brendshëm kanë sjellë nervozizmin dhe shantazhimin e tij ndaj përfaqësuesve të medias, por edhe të prokurorisë.

Deklarata e Palokës vjen pas një ndërhyrjeje telefonike që ministri Tahiri bëri në emisionin “Opinion” dhe në “Top Story”. “PD dënon ndërhyrjet e ministrit të Brendshëm në debatet televizive dhe presionet që ai ushtroi ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të prokurorisë. Lidhjet e tij me krimin dhe dyshimet që lindin pas fabrikës së kokainës sjellin nervozizmin e deklaratat e papranueshme të Tahirit. Ministri i Brendshëm shantazhoi përfaqësuesit e medias dhe të prokurorisë, në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit”, – deklaroi Paloka.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i kërkoi zyrës juridike formulimin e padisë penale dhe civile për kryetarin e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, lidhur me atë që e cilësoi si “derdhjen në publik të një sasie shpifjesh të pazakonshme”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje