Hedh një budalla një gur në lumë...

15 Tetor 2015, 09:59Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Është ekonomia budalla, thonë në Amerikë. Është konteksti idiot, do të duhej të thuhej sa herë shohim se si shkrues të ndryshëm flasin, shkruajnë e mendojnë për historinë. Apo fenë. Ose fetë. Nuk mund të përshkruhet një personalitet fetar, ushtarak a politik që ka vepruar para 1000 apo 2000 vjetësh me kriteret e ashpra të bashkëkohësisë. Çfarë ishte morale dhe e pranueshme dikur, sot mund të jetë e përbuzur. Çfarë ishte e pranueshme dikur, sot mund të jetë e neveritshme. Konteksti është i rëndësishëm – sidomos kur flitet për fenë islame.

Fati ynë i keq si shoqëri shqiptare është se për fenë islame flasin kryesisht imamë që manipulojë për interesa të tyre personale. Fati ynë edhe më i keq është që kemi mediume që u dhanë hapësirë këtyre njerëzve dhe jo imamëve që fenë e shohin si kontribuuese të paqes sociale. Nga njëra anë kemi manipulues që fenë e keqpërdorin për agjendat e tyre urrejtëse, nga ana tjetër, kemi urrejtës që për çdo ditë duan t’ia bëjnë gjyqin jo vetëm fesë islame, por secilit mysliman, madje edhe atyre që veç formalisht deklarohen si të tillë.

Hamed Abdel-Samad është politolog nga Egjipti. Ka qenë aktivist i “Vëllazërisë myslimane”, është shkëputur prej saj, ia ka kthyer shpinën fesë (një e drejtë e tij e pakontestueshme), ka ikur në Gjermani, ku deri më tani është paraqitur me disa tituj që gufojnë me kritikë aspak objektive ndaj fesë islame. Janë disa të vërteta: islami ka një problem të madh me tolerancën, mijëra besimtarë dhe të ashtuquajtur besimtarë e keqpërdorin këtë fe për krimet më të tmerrshme që nga vdekja e Hitlerit; islami nuk ka arritur ende në kohën moderne, ku feja konsiderohet kryesisht çështje personale; islami ende ruan një imazh të individit dhe familjes që nuk përshtatet me zhvillimin e botës, së paku jo asaj perëndimore. Që bota perëndimore është më atraktive për shoqëritë arabe-myslimane nuk ka dilemë – po të ishte ndryshe s’do merrnin rrugën drejt Evropës Perëndimore miliona refugjatë nga Siria, Egjipti, Libia, Afganistani, Pakistani.

Së fundi Hamed Abdel-Samad ka dalë në pazarin e librave me një biografi të profetit Muhamed. Mjafton t’i lexosh 20 faqe që të arrish në përfundimin se kemi të bëjmë me një provokator, që nuk ndihet rehat me fenë e tij (të dikurshme) dhe fyerjen, gënjeshtrat dhe dhunën verbale i sheh si mjet komunikimi. Kur e kishte botuar librin e tij “Fashizmi islamik”. Një analizë gazeta “Süddeutsche Zeitung” e kishte akuzuar për “shtrembërim të historisë” dhe shpërndarje të “gjysmë të vërtetave”. E njëjta akuzë mund t’i bëhet edhe tani Hamed Abdel-Samadit. Ai e analizon Muhamedin nga prizmi i sotëm super-modern i psikoanalizës.

Profeti i fesë islame, thotë Abdel-Samed, ka pasur një kompleks inferioriteti dhe defekte narcisoide. Një tip paranoik nga provinca arabe. Ky vokabular është i njohur. Sociologia gjermane me origjinë turke, Necla Kalek, në betejën e saj të egër kundër burrave arabë shkruan: “Nëse ai nuk gjen grua, atëherë gjen një kafshë”. Gazetarja italiane Oriana Fallaci për myslimanët shkruante: “Barbarë, që në vend se të punojnë dhe të kontribuojnë për përmirësimin e njerëzimit, gjithmonë shtrijnë bythët në ajër, ngase luten pesë herë në ditë”. Konstatimet e tilla ngjallin reagime. Kjo është e kuptueshme. Për fat të keq shpesh mes myslimanëve gjenden terroristë që mendojnë se fenë e tyre e mbrojnë duke përgjakur shpatat në kokat e kritikëve.

Mjafton që Hamed Abdel-Samad të shkruajë se Muhamedi ka qenë “vrasës masiv dhe tiran i sëmurë mendor” dhe ai të kërcënohet me vdekje nga radikalët islamikë – në vend që diskursi kundër tij të zhvillohet me mjete paqësore, me argumente, duke i parë zhvillimet në kontekst të historisë. Që Muhamedi zhvilloi luftëra brutale, që vrau njerëz, që martoi disa gra, mes tyre një të moshës jomadhore – të gjitha këto janë të vërteta. Dhe të ditura.

Por a është shpërndarë feja e krishterë pa gjak? Cili është – edhe sot! – problemi më i madh i Kishës Katolike? Natyrisht morali i saj i rrejshëm seksual. Po të mos ishte, nuk do të dilte publikisht një prift polak në Romë para gazetarëve për të pranuar: “Po, jam homoseksual”. Afër tij gjendej i dashuri i tij – një spanjoll nga Katalonja. Perëndimi ka përparuar në atë çast, kur roli i kishës është reduktuar në kultivimin e qetësisë shpirtërore të njerëzve dhe kur i është ndaluar të merrej me çështje tokësore politike. Edhe diçka: kulturën perëndimore të punës e kanë zhvilluar protestantët, pas shkëputjes nga kisha katolike romake në shekullin 16.

Hamed Abdel-Samad i quan kryesisht të rrejshme hadithet, pra fjalët që profeti i myslimanëve supozohet t’i ketë thënë në jetën e përditshme dhe të cilat nuk gjenden në Kuran. Kjo është në rregull. Por kur ai i shfrytëzon pikërisht hadithet pa burim për të sulmuar islamin, atëherë argumentimi i tij bëhet absurd. Nuk është rastësi që nëntitulli i biografisë së Muhamedit quhet: “Një larje hesapesh”. Më shumë se me profetin e myslimanëve Hamed Abdel-Samad duket se dëshiron t’i lajë hesapet me ish-mentorët e tij agresivë fetarë në Egjipt dhe ndoshta edhe me të atin. Fundja ai është bir i një imami.

Për t’u dukur më atraktiv ai biografinë e Muhamedit e ilustron me krim, seks dhe me një krahasim me Hitlerin. Ah, Hitleri: përherë i përshtatshëm për të krahasuar dikë që s’na pëlqen. Por sa është i saktë krahasimi? Kujt i intereson! Hamed Abdel-Samadit më së paku. T’i reduktosh 1,5 miliardë myslimanë në mbarë botën në muhamedanë të vegjël dhe terroristë kërkohet guxim. Mençuri nuk është. Të mençur Hamed Abdel-Samadin mund ta konsiderojnë racistët në Gjermani, grupet parapolitike si Pediga, para mbështetësve të të cilave flet e bërtet egjiptiani i mërguar. Tash i mbetet vetëm të kërkojë nga katolikët të heqin dorë nga përfytyrimi se Jezusi ishte biri i Zonjës së Papërlyer. Ose të heqin dorë nga doktrina e trinitetit. Të gjitha fetë monoteiste kanë histori të përgjakshme. Keqpërdoruesit e fesë islame po e dëshmojnë këtë edhe tani, në shekullin 21. Për këtë duhet të kritikohen, por jo të hidhen në një shportë bërlloku 1,5 miliardë myslimanë, siç vepron me etje për provokim politologu egjiptian.

6 komente në “Hedh një budalla një gur në lumë…”

  1. Jeronim de Rada says:

    Intervisten e Hamed Abdel-Samad, dhene gazetes Die Welt e lexova para ca ditesh. Cka te them per te. Mendoj qe z. Samad eshte real dhe teper i guximshem.Eshte i guximshem sepse sot eshte shume veshtire qe dikush t’i beje ndonje kritike islamit. Per ju, z. Robelli ai eshte nje “budalla qe hedhe nje gur ne lume…” Per mua ai eshte nje njeri i cili mundohet qe islamin ta moderoje, ta ndaje nga e keqja…

  2. Kritiku says:

    Me te drejte mund te themi, qe “shkruan nje budalla diçka dhe te “mençurit” shpejtojne qe ta publikojne”.
    Nje shkrim qe i pershtatet autorit. Nje rremuje e mendjes rremuje. Te mos flasim per gabimet drejtshkrimore.

  3. arian says:

    Ky torobelli,duket si vllai i Muhametit,megjithse mundohet te hedhe ndonje ferexhe te grisur keq.

  4. Sem Luma says:

    Qe Abdel-Samadi ka shkruar liber per Muhametin nuk eshte cudi – (ai ka jetuar, mesuar dhe studiuar qe nga femijeria Kuranin, Muhameti dhe fene islame) . Qe Abdel-Samadi ne librin e tij kritikon, demaskon Muhametin dhe fene islame nuk eshte cudi (ai eshte femije i rritur ne nje familje imami, ai deri para pak vitesh vet ishte anetar i Vellazerise muslimane, pra ishte vet islamist).
    Qe Abdel-Samadi edhe provokon (me tezat e tija), edhe kjo nuk eshte cudi – (kritikeve te Muhametit nuk u lejoka te provokojne ndersa militanteve te tij islamiste te fyejne, vrasin e prsein koka… )
    Mirepo, qe Enver Robelli te kritikoj e shaj Abdel-Samadin dhe t´a quaj “budalla”…, kjo per mendimin tim eshte cudia me e madhe.
    Kesaj radhe zoti Robelli, qe ta them troc, ia ka futur kot, teper kot!
    Zoti Robelli me kete artikull eshte munduar te bej tellallin e fjaleve te lexuara ne TAZ-in e Berlinit, pra te luaj rolin e intelektualit te majte plot naivitet kur kemi te bejme me islamin dhe islamizmin.

  5. Dritëroi says:

    Hamed Abdal Samad, është sivëllai i Magdi Allam.

    Te dy këta transvestito siamezë, kanë lindur në Egjypt, me besim mysliman dhe kane qënë aktivistë të lëvizjeve islame që, në Egjypt, më së pari, janë të lidhura me rezistencën, demaskimin dhe përmbysjen e një prej diktatorshipeve ushtarakë më të egër dhe më gjakatar të kohës sonë, të ngritur për 30 vjet (1981-2011), në një perandori krimi, vrasjesh dhe korrupsioni nga monstra Hosni Mubarak dhe të vazhduar aktualisht, nga një monstër tjetër Abdel Fattah El-Sisi, edhe më gjakatar dhe kriminel se Mubaraku dhe, mjerisht, të dy të ideuar, brujtur, financuar, armatosur dhe mbështetur nga USA, per hir të interesave gjeostrategjike të saj në Lindjen e Mesme si dhe të aleatit të tyre Izraelit.

    Të dy sivëllezërit tanë Samad dhe Allam, e lanë Egjiptin, emigruan përkatësisht në Gjermani dhe në Itali, braktisën religjionin e tyre dhe pas disa peripecive dhe konvertimeve fetare, të ngopur edhe vetë me kthesat e tyre, përfunduan si afetarë apo ateistë.

    Por nuk u mjaftuan me kaq.

    Për shkaqe karakteriale apo mbijetese, për etje të dyshimta për protagonizëm mediatik dhe karierash, që u akordohet zakonisht të arratisurve nga kampi armik, përmbi turbanet dhe çallmat e origjinës, ata veshën kostumet oksidentale të ultrasve islamofobistë dhe të lëvizjeve ekstreme të djathta europiane.

    Publicistika e tyre, përfshirë edhe librin e Hamed Abdel Samad, të birit të imamit mysliman, kundër profetit të myslimanëve Muhamet, janë thjesht pamflete dhe fletushka propogandistike, te porositura të blera dhe të shpërndara, nga ideologjia dhe fronti i djathtë, në përplasjen e madhe aktuale globale të dy kukturave dhe religjioneve që, në fakt, është vetëm dekori pas të cilit, zhvillohet beteja për resorse, pasuri dhe tregje ekonomike globale.

    Këto pamflete nuk i shërbejnë të vërtetës, as tolerancës, as paqes dhe as kompromisit për bashkjetesë dhe bashkpunim.

    Në natyrën, tonin dhe qëllimin e tyre, ato u ngjajnë traktateve naziste dhe propogandës së tyre dhe janë të desyinuara për podiumet nga ku mundesh të thërrasësh para turmave, gjysma shurdhe-qorre, gjysma pa rrudha në tru, për kauza të pastrimit dhe puritanizmit etnik dhe relogjioz të Europës, duke lënë në heshtje çfarë ka ndodhur në historinë e Lindjes së Mesme dhe çfarë po ndodh tani atje, kush janë shkaktarët dhe përfituesit e kasapanave dhe krimeve të atjeshme, pasojë e të cilave janë edhe dhe eksodet biblike të viktimave të këtyre interesave gjeostrategjike.

    Në të vërtetë, askush nuk i merr seriozisht këta dy majmunë-dordolecë egjyptianë, të ekspozuar në mediumin europian si në një kopësht zoologjik, me banane dhe çokollata në duar, me detyrën e thjeshtë qe vetëm t’u tregojnë vizitorëve bythën dhe të pëgërat e veta, kinse si provë e shkallës së ulët të llojit nga e kanë origjinën.

    1. Jeronim de Rada says:

      Z. Samad thot: “ISIS eshte femija legjitim i Muhamedit me fjale dhe vepra. Askush nuk e kupton Muhamedin kaq saktesisht si ISIS”.
      Te gjithe ata qe e njohin jeten dhe vepren e Muhamedit a.s. e dijne qe thenja e z. Samad eshte e sakte !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje