Avokati i Popullit me mbështetjen e OSBE-së dhe Mbretërisë së Danimarkës organizuan Auditoriumin “Kur do të ketë Shqipëria një minimum jetik të deklaruar”.
Në fjalën e tij Avokati i Popullit Igli Totozani, theksoi se “Minimumi jetik, nuk është vetëm një tregues që lidhet me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, por bazuar në këtë minimum, përcaktohen edhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes shoqërore: të pensioneve të pleqërisë, të pagesës së aftësisë së kufizuar, të ndihmës ekonomike, të pagës minimale në shkallë vendi”.
Avokati i Popullit ka përgatitur dhe dorëzuar rekomandime të posacme për institucionet përkatëse shtetërore të kësaj fushe dhe për gjithë aktorët e tjerë të rëndësishëm të përfshirë në të. Në një nga rekomandimet, i kërkohet qeverisë shqiptare përcaktimi i minimumit jetik në nivel kombëtar, me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e statusit ekonomik të Personave me Aftësi të Kufizuar, si grupi social më i rrezikuar nga varfëria.
Avokati i Popullit Igli Totozani tha se kërkesa për përcaktimin e minimumit jetik mbetet një detyrë ligjore dhe domosdoshmëri jetike për shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare.
Në këtë Auditorium morën pjesë ekspertë në fushën e ekonomisë, personalitete të institucioneve ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe vendimarrës. Aty u diskutua gjerësisht mbi Llogaritjen, publikimin dhe zbatimin e minimumit jetik, në funksion të pagës minimale dhe pensionit minimal. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi hapat e ndërmarra deri tani për shpalljen e këtij miminumi jetik.