Detajet e progres-raportit të PE, çalon drejtësia

9 Nëntor 2015, 19:23Politika TEMA

Nga burime konfidenciale në Bruksel, Top Channel mëson se Komisioni Europian pritet të vlerësojë se Shqipëria, në përgjithësi, ka shënuar “progres të qëndrueshëm” drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe njeh “angazhimin në nivel të lartë” e “përpjekje sistematike” për kryerjen e reformave.

Por, për të gjitha fushat, raporti i progresit do të përsërisë domosdoshmërinë e zbatimit me “gjurmë të besueshme provash” dhe “rezultate të konsoliduara”, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Theksi do të vihet tek përmbyllja e reformës në drejtësi dhe mbi të drejtën e pronës. Megjithëse nuk përmendet fjala “dekriminalizim”, Komisioni Europian vlerëson në kriterin politik se “janë ndërmarrë hapa për të propozuar ligj mbi përjashtimin e të dënuarëve për krime nga postet publike”, ndërsa do të konsiderojë se “zgjedhjet lokale të 21 Qershorit qenë një mundësi e humbur për të përjashtuar nga listat elektorale kandidatët me të dhëna kriminale në të kaluarën”.

Në tërësi, zgjedhjet e fundit lokale “u mbajtën pa incidente të mëdha”, por Brukseli do të përsërisë shqetësimin mbi “paanshmërinë dhe profesionalizmin” e autoriteteve zgjedhore, si dhe “nevojën për të trajtuar politizimin në përgjithësi të procesit elektoral” dhe problemet e hasura, përmes “rezultateve konkrete në ndjekjen e rekomandimeve” të OSBE-ODIHR.

Funksionimi i Parlamentit do të njoh “njëfarë progresi” me përmirësimin e transparencës së procesit legjislativ. Në vlerësimin e dialogut politik do të kujtohet marrëveshja e Dhjetorit 2014, por duke kërkuar “përpjekje më sistematike për të tejkaluar kulturën përçarëse politike dhe për të siguruar një dialog më konstruktiv ndërpartiak”.

Ndër prioritetet kyçe, “progres i mirë” pritet për reformën e administratës publike, ku kërkohet që të vijojë demonstrimi për një rekrutim transparent e të bazuar mbi merita, të përmirësohet koordinimi sektorial, mekanizmat e monitorimit të performancës, mbledhja dhe informimi i të dhënave të besueshme për zbatimin e ligjit për nëpunësit civil, si dhe forcimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Reforma në drejtësi, prioriteti i dytë kyç i KE-së, do të vlerësohet me “njëfarë progresi”, megjithëse në këtë kapitull, vendi pritet të konsiderohet “në fazë fillestare të përgatitjes”. Pas vlerësimit për formimin e komitetit parlamentar “ad hoc” për reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, do të përmendet nevoja për të trajtuar problemet që lidhen me pavarësinë, llogaridhënien dhe efiçencën e sistemit të drejtësisë, me sigurimin e të dhënave, si dhe mbetet plotësimi i vendeve vakante për Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, menaxhimi elektronik i veprimtarisë së gjykatave dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, përfshirë publikimin e tyre në kohë.

“Njëfarë progresi” pritet dhe për prioritetin tjetër kyç të luftës ndaj korrupsionit, ku vendi ka “njëfarë niveli të përgatitjes”. Por, pritet të përsëritet, si në të kaluarën, se “korrupsioni mbetet i gjithëpërhapur”, ka pak raste të konfiskimit të pasurive dhe konsiderohen “të kufizuara” gjurmët e provave për hetimet, ndjekjet dhe dënimet, që rezultojnë të ulta, veçanërisht për zyrtarët e nivelit të lartë. Në këtë kuadër, kryesisht, Brukseli kërkon të sigurohet një qasje e drejtpërdrejtë në sistemin e të dhënave, gjurmë provash të qëndrueshme dhe forcim të efiçencës së hetimeve.

Njëjtë (“njëfarë progresi” e “njëfarë niveli të përgatitjes”) pritet të vlerësohet dhe prioriteti kyç i luftës ndaj krimit të organizuar. Vlerësohen veprimet e policisë në goditjen e krimit të organizuar, veçanërisht ndaj trafikut të drogës, por Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e qenieve njerëzore, i cili shënon një rritje të lehtë krahasuar me të kaluarën. Ndërkohë që vendi “është prekur nga fenomeni i luftëtarëve të huaj” dhe “radikalizimi”, vlerësohet rritja e bashkëpunimit ndërkombëtarë, por kërkohet një përfshirje më e gjerë e shoqërisë civile dhe e komuniteteve fetare.

Megjithë progresin e arritur në këtë prioritet kyç, pritet që vendit t’i kërkohet të trajtojë shpeshtësinë e ulët për rastet e dënimeve përfundimtare, një reagim më të shpejtë të Prokurorisë pas aksionit goditës të policisë, dënimet e pakta për pastrim parash, financimin e partive politike, mungesën e një sistemi të dhënash, rritja e efiçencës së hetimeve mbi krimet e organizuara, të dëshmohet progresi për krijimin e rekordeve të besueshme të të gjitha fazave të procesit të goditjes së krimit nga policia tek gjykata, si dhe krijimin e politikave efektive për burimet njerëzore, përfshirë promovimin në bazë të meritës dhe procesin e transferimit në Policinë e Shtetit.

Legjislacioni për të drejtat themelore (prioriteti i fundit kyç) do të konsiderohet gjerësisht në përputhje me standartet e BE-së, por zbatimi në praktikë mbetet i “kufizuar” dhe “i pamjaftueshëm”. Edhe këtë vit, Komisioni Europian do të përsërisë rëndësinë e zbatimit të të drejtave të pronës dhe përmbylljen e procesit të regjistrimit, kompensimit dhe kthimit të tyre; trajtimin e të drejtave të minoriteteve, sidomos për romët dhe egjiptianët, si dhe forcimi i të drejtave të fëmijëve, përfshirë përmirësimin e drejtësisë për të miturit.

Në shumicën e kapitujve negociues, vendi pritet të konsiderohet me “njëfarë niveli të përgatitjes” ose me “përgatitje të moderuar”. Të drejtat e punëtorëve do të rezultojnë në një “fazë fillestare” dhe “pa progres” gjatë këtij viti.

Megjithëse dokumenti do të konstatojë si “të rrallë” kërcënimin fizik të gazetarëve, liria e shprehjes rezulton “pa progres” gjatë këtij viti dhe në këtë kapitull, vendit i njihet “njëfarë niveli përgatitës” për negociatat e anëtarësimit. Probleme has zbatimi i barabartë i ligjit mbi mediat, pavarësia e organeve rregullatore dhe e transmetuesit publik, përfshirë bordi drejtues i tij, si dhe transparenca për reklamat shtetërore.

Brukseli pritet të vlerësojë se në Shqipëri “mbizotëron toleranca fetare”, por shënon prishjen “në rrethana të paqarta” prej autoriteteve shqiptare të një kishe ortodokse më 12 gusht në Dhërmi.

“Nivel i mirë i përgatitjes” shkon për kapitullin 31, ku vendit do i njihet përputhja e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por do të përsëritet se marrëveshja dypalëshe me SHBA-të për mosdorëzimin e shtetasve në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve vijon të jetë e papajtueshme me parimet udhëzuese relevante të BE-së.

Megjithëse njihet “njëfarë progresi” gjatë këtij viti, KE e konsideron të nevojshme përmirësimin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve. Vendi shquhet për pjesëmarrje aktive në Dialogun e Nivelit të Lartë e në Grupet e Përbashkëta të Punës, ndërsa vijon njësoj “zbatimin pa pengesa” të MSA-së.

5 komente në “Detajet e progres-raportit të PE, çalon drejtësia”

  1. petro says:

    Me nje fjale ne mos prapa, vendnumero.Dhe dihej.Mentalitet ne thelb antiperendimor, te mos shikojme llustren.Me mentalitet taleban aspak i luftuar ne te gjtha nivelet, as qe mendohet te filloniim negociatat.

  2. andi says:

    Drejtesia ka qene gjithmone nje problem ne vendin tone dhe kte e dime te gjithe tashme pa qene nevoja te lexojme raportet e nderkombetareve. Fatkeqesisht eshte nje problem i rrenjosur thelle ne shqiperi por kjo nuk do te thote qe nuk mund te marre fund.
    Kam shume besim tek reforma e drejtesise jo vetem si nje nder reformat themeltare per shtetin tone por edhe per faktin se eshte reforme qe ka mbeshtetje dhe kontribud te madh edhe nga nderkombetaret.

  3. olta says:

    opo shyqyr qe po behet reforma e drejtesise te denohen nje here e mire kriminelet dhe hajdutet e medhenj te ketij vendi duke filluar me Berishen e klanin e tij ! Kaq e meriton populli jone dhe Shqiperia jone qe nuk i la gje pa vjedhur PD-ja.

  4. klajdi says:

    Eshte per te ardhur vertet keq situata ku ndodhet vendi jone.
    me kaq shume vite “demokraci ” qe realisht nuk ka funsionuar ndonjehere dhe kjo vetem per shkak se nuk kemi patur nje sistem efektiv drejtesie,vetem sepse kriminelet e ktij vendi dilnin te pafajshem sepse ua mbushnin xhepat gjyqtareve si Gjin Gjoni!
    Te pakten pas kaq shume kohesh po behet nje reforme drejtesi ashtu sic duhej !

  5. edona says:

    Shqiperia tashme e ka marre rrugen drejt integrimit ne BE,por dihet qe drejtesia eshte problemi me madhor. Kjo eshte dicka qe e di cdo shqiptar sepse ne nje menyre apo tjeter qofte drejtperdrejt apo edhe indirekt e ka provuar sesa sistem te deshtuar drejtesie kemi ne. sistem ku mjafton te paguash gjyqtaret dhe drejtesine e ben si te duash ti !!
    Mos te permendim pastaj rastin e ish qeveritareve qe i shmangeshin drejtesise ne cdo menyre te mundshme ose zhvillonin ato te ashtuquajturat gjyqe dhe gjithmone dilnin te lare kjo sepse mbushnin xhepat e gjyqtareve..
    Ndaj mendoj se reforma ne drejtesi eshte me thelbesorja per ndertimin e shtetit tone,shtet me baza te forta ligjore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje