Kancelarja Angela Merkel ka dhënë një shpjegim të zymtë këtë javë pse kërkoi me ngulm organizmin e samitit të fundit special të BE-së me krerët e Ballkanit për krizën e refugjatëve: për të shmangur rrezikun e konflikteve ushtarake.
«Nuk dua të tingëllojë si diçka ogurzezë», deklaroi liderja gjermane para anëtarëve të CDU-së së saj. «Por, mund të ndodhë më shpejt se sa mund ta merrni me mend, kjo buron prej argumenteve, dhe gjërat që nuk i dëshirojmë asnjëri prej nesh vijnë prej kacafytjeve».
Vala e emigrantëve që po kalon përgjatë Ballkanit ka disa shenja të grumbullimit të refugjatëve, edhe pse po afron dimri. Nuk kanë të ndalur largimet e emigrantëve dhe refugjatëve edhe nëpërmjet rrugëve të rrezikshme të Mesdheut.
Derisa kolonat e njerëzve gjarpëronë disa prej vendeve më të varfra të Evropës – me historinë e afërt me konflikte – rrethojat kufitare kanë nisur të çojnë përsëri krye, madje edhe ndërmjet shteteve anëtare të BE-së. Kjo mund të kërcënojë një prej arritjeve të bllokut, zonën e lirisë së lëvizjes pa pasaporta të njohur si Schengen.
Me Serbinë dhe Kroacinë që po zbatojnë bllokada të përbashkëta tregtare në kulmin e përplasjeve për shkak të punës së emigrantëve në shtator, qysh e ka vërejtur edhe Merkel, kriza kërcënon të ringjallë fantazmat e vjetra dy dekada pas luftërave jugosllave.
Dhe zjarri po i hidhet benzinë edhe me retorikën e fushatës parazgjedhore. Puna e emigrantëve ka nxitur rritje të Partisë së Drejtësisë dhe Ligjit të Polonisë, e cila fitoi shumicën e votave dy javë më parë, dhe kjo duket se po shkon në të njëjtin drejtim edhe në zgjedhjet e së dielës në Kroaci.
Anketimet e fundit tregojnë se socialdemokratët në pushtet në Kroaci – që përveç përplasjes me Serbinë, kanë qenë kampionë të qasjes së hapjes së kufijve kur vjen puna te emigrantët – kanë ngelur goxha prapa partisë djathtiste HDZ, që përkrah ashpërsim të masave.
Rezultati i pritur mund të jetë një thirrje. Kjo mund të jetë një gjë e rëndësishme. Fitorja e HDZ-së do ta bënte Kroacinë një shtet që kopjon linjën e ashpër të Hungarisë dhe do të ndërtoheshin rrethoja përgjatë kufirit kroat me Serbinë. Kështu do të vazhdonte politika e nisur nga kryeministri hungarez, Victor Orban. Kjo do të mund të nxiste Serbinë dhe Maqedoninë të ndërtonin gjithashtu mure gjembore. Kroacia pastaj mund t’i bashkohet Hungarisë, Sllovakisë dhe Rumanisë pë rtë kundërshtuar sistemin e kuotave të përcaktuar nga BE-ja për shpërndarjen e refugjatëve nëpër vendet e bllokut europian.
Sllovenia fqinje ka akuzuar Kroacinë për largimin e refugjatëve në kufijtë e saj pasi më shumë se 100 mijë refugjatë kanë përshkuar territorin slloven për dy javë. Sllovenia ka paralajmëruar se mund të marrë parasysh ndërtimin e një rrethoje kufitare si «mundësia e fundit».
Por, do të ishte gabim të konsiderohet fitorja e HDZ në Kroaci thjesht si një tjetër parti djathtiste që merr peshën në punën e menaxhimit të valës masive të emigrantëve. Qysh ndodh edhe në tërë Ballkanin, bëhet fjalë për faktorë të ndërlikuar politikë, ekonomikë, kulturorë dhe historikë.
Në të vërtetë, qasja toleruese e qeverisë së Zagrebit ndaj refugjatëve – ndihmuar prej faktit se Kroacia është vend transit, e jo destinacioni i tyre – ka ngushtuar dallimin me HDZ-në. Ndryshimi i qeverisë do të reflektonte çështjet si papunësinë e lartë dhe rritjen e ngadalshme ekonomike, si dhe migracionin dhe kjo do të ishte ngarkesë e madhe për liderin e HDZ-së, Tomislav Karamarko, që edhe ashtu ka pasur telashe me këto tema në fushatë.
Shumë kroatë, me përvojën e tyre të reugjatit para dy dekadash, kanë mirëpritur qasjen e shprehjes së «mirëseardhjes së refugjatëve» nga ana e Zoran Milanoviqit, kryeministër i vendit, dhe efikasitetin relativ qeveritar të menaxhimit të shifrave më të larta të emigrantëve që pritet të vijnë.
Duke rrëmbyer rastin e krijuar prej Karamarkos, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, anëtare e HDZ-së – ish-asistente e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s që kishte fituar befasishëm zgjedhjet në janar – ka mbështetur hapur qasjen e linjës së ashpër hungareze. Ajo ka bërë thirrje për dërgimin e ushtrisë në kufijë, dhe ka lavdëruar kryeministrin Orban.
Pavarësisht prej dallimeve të pjesshme për emigrantët, edhe më vendimtare mund të jenë anembanë Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës Lindore, çështjet e përbashkëta të rajonit. Shkalla prej 16 për qind e papunësisë në Kroaci është më e ulët se ajo prej 20 për qind në Serbi, ose se ajo prej 27 për qind në Maqedoni, por ende është në mesin e më të lartave në Evropë. Rritja ekonomike ka nisur këtë vit pa sgjashtë vjetësh recesioni, por është larg prej asaj që kishte parashikuar e pritur qeveria e Zagrebit.
Derisa çështja e emigrantëve ende nuk ka zbardhur pakënaqësinë e Ballkanit, rreziku është se ajo pengon shkaqet e vërteta të pakënaqësisë. Për më tepër, krerët e Ballkanit më shumë u frikësohen veprimeve fqinje ndaj emigrantëve sesa masat që mund të merren në Berlin. Nëse Gjermania mbyll kufijtë e vet, atëherë ata do të shohin mijëra refugjatë të ngujuar në vendet e tyre të mbërthyera nga temperaturat e ulëta të dimrit – pa burime për t’ia dalë në krye.
Kur vjen puna te shmangia e fërkimeve të reja në Evropën Juglindore, veprimet e vetë zonjës Merkel ndaj çështjes së emigrantëve mund të luajnë rol vendimtar.
(Financial Times)
perse komentohet ! Te mbyllen kufinjt e shqiperise. Asnje mos te kalonje, greqia ben politike antieuropiane duke i kaluar ne territor te saj. Aty ti lenje ne ishuj gjer sa te mos vije me asnje. tung