Qeveria vendos të regjistrojë IMEI-n, numrin që mundëson përgjimin e celularëve

24 Nëntor 2015, 17:14Sociale TEMA

Nga Gjergj Erebara

Plani i qeverisë për krijimin e një databaze me të gjithë numrat e identifikimit unik të telefonave celularë, IMEI, me qëllim, luftën kundër evazionit fiskal në këtë segment tregu, u kthye sërish një vit pasi vetë qeveria u tërhoq, ndërkohë që përfitimet e pritshme duket se janë bazuar në llogari të dyshimta.

Qeveria e pati tërhequr vendimin e saj pak muaj pasi e mori, pasi u bë e qartë se Gjykata Kushtetuese mund ta shpallte atë antikushtetues. Por regjistrimi i IMEI-t u rikthye këtë vit me të njëjtat argumente të një viti më parë.

Duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo qytetar shqiptar që ka një telefon celular, do të duhet të dorëzojë numrin e aparatit të tij celular në një regjistër që do të mbahet nga Ministria e Financave.

Më 4 qershor 2014, qeveria shqiptare miratoi në heshtje një vendim që urdhëronte tregtarët e celularëve dhe qytetarët që të regjistronin pranë Ministrisë së Financave IMEI-n e çdo aparati celular që sillej në Shqipëri, përkundrejt një pagese 500 lekëshe.

Aktivistë të ndryshëm kundërshtuan me forcë vendimin duke argumentuar se regjistrimi paraprak i IMEI-t në një zyrë të qeverisë, do të ekspozonte çdo qytetar para mundësisë së përgjimit nga autoritetet, të cilët, duke poseduar IMEI-n, do të mund të përgjonin jo vetëm bisedat telefonike të kryera në rrjetin e zakonshëm, por edhe të gjitha komunikimet e tjera elektronike të kryera përmes internetit.

Partia Demokratike në opozitë e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se ky vendim qe i kundërligjshëm dhe se cënonte rëndë kriteret kushtetuese për mbrojtjen e privatësisë.

Gjykata kushtetuese vendosi në shtator 2014 të pezullojë zbatimin e vendimit deri sa ajo të shtyrtonte çështjen në tërësi.

Por ndërsa Gjykata Kushtetuese pritej të shqyrtonte çështjen në themel, Këshilli i Ministrave në tetor 2014 vendosi të shfuqizojë vendimin.

Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e diskutimit me argumentin se vendimi i qeverisë i ankimuar nga deputetët e opozitës, qe tërhequr dhe rrjedhimisht, çështja nuk qe më interes i kësaj gjykate. Gjithsesi, dy nga anëtarët e Gjykatës, dhanë një opinion pakice, ku argumentuan se çështjet e privatësisë dhe hierarkisë ligjore, të cilat qeveria akuzohej se kishte shkelur, qenë të rëndësishme në parim dhe se kjo gjykatë do të duhej ta gjykonte çështjen në themel, pavarësisht se qeveria e kishte tërhequr vendimin.

Gjithsesi, për shkak se formalisht Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për kushtetutshmërinë apo jo të krijimit të një regjistri të tillë me të dhëna personale, të cilat lidhen me komunikimin dhe rrjedhimisht, me të drejtën kushtetuese të privatësisë së komunikimit, qeveria u rikthye në planin e saj fillestar.

Në shtator të këtij viti, bashkë me masat e rrepta ndëshkuese në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal, qeveria propozoi ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, ku sanksionoi sërish regjistrimin e IMEI-t, kësaj here pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pa marrë mundimin të japë shpjegime në lidhje me rreziqet për shkeljet e privatësisë që mbart krijimi i një regjistri të tillë.

Regjistrimi me ligj i IMEI-t zgjidh problemin e parë të diskutuar në Gjykatën Kushtetuese, atë të hierarkisë juridike, ku argumenti qe që qeveria nuk mund të ndërmarrë një vendim, i cili nuk është autorizuar në mënyrë specifike nga një ligj. Por ai nuk e zgjidh problemin privatësisë dhe Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë që ndërmerr një hap të tillë.

Vitin e kaluar, kur qeveria e ndërmorri këtë vendim, një grup ekspertësh të teknologjisë së informacionit, njëri prej të cilëve punonte në qeveri në atë kohë, krijuan një peticion në internet dhe u përpoqën të ngrenë shqetësimin për shkeljen e privatësisë.

“Vendimi për të detyruar të gjithë përdoruesit e rrjeteve të telefonisë së lëvizshme për të regjistruar numrat e tyre IMEI, mundëson monitorim të plotë të të gjitha komunikimeve përmes celularëve si dhe aksesin e vendndodhjes fizike dhe të dhënat personale të përdoruesve pa një vendim gjykate apo prokurorie,” tha grupi i eksportëve i identifikuar vetëm si Zero1.

“Në historinë tonë, institucionet që marrin akses në të dhëna të tilla… përmes këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, kanë treguar papërgjegjshmëri në administrimin e të dhënave personale,” shtoi grupi.

Shqipëria ka një histori aspak të mirë në këtë drejtim. Regjistri i parë i gjendjes civile i hartuar në format elektronik në vitin 2008, me kërkesë të palëve dhe me synimin primar të luftës kundër vjedhjes së votave, përfundoi në duart e një numri të stërmadh njerëzish, përfshirë partitë politike dhe gazetarë.

Në vitin 2011, disa qytetarë shqiptarë u zgjuan të alarmuar pasi morën mesazhe urimi për ditëlindje nga kandidati për kryetar bashkie i Tiranës Lulzim Basha. Basha deklaroi se i kishte mbledhur të dhënat nga rrjetet e medias sociale si Facebook, por nuk pati kurrë një hetim nëse sistemi aktual i regjistrimit të numrave të telefonisë celulare pranë kompanive celulare dhe kompanisë së lëshimit të pasaportave dhe kartave të identitetit qe i sigurtë dhe i paaksesueshëm nga një parti politike.

Përfitime të dyshimta për buxhetin

Qeveria argumenton se e ka ndërmarrë këtë hap për regjistrimin e IMEI-t me synimin për të luftuar evazionin fiskal në tregtinë e celularëve. Sipas qeverisë, të ardhurat shtesë nga kjo masë pritet të jenë rreth 7.5 milionë euro në vit. Por relacioni i projektbuxhetit 2016, i përgatitur nga Ministria e Financave sugjeron se përfitimet e mundshme janë llogaritur mbi aludime të dyshimta.

Relacioni thotë se në vitin 2014, në Shqipëri u importuan në mënyrë të rregullt dhe të taksueshme 140 mijë aparate celulare me çmim mesatar prej 15 mijë lekësh. Relacioni shpjegon se sipas llogarive të qeverisë, shqiptarët i mbajnë celularët e tyre mesatarisht 15 muaj deri në 18 muaj, por nuk jep ndonjë shpjegim se mbi çfarë studimi e bazon këtë konkluzion. Sipas relacionit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen mesatare të celularëve, vlerësohet se rreth 500 mijë aparatë celularë importohen ilegalisht çdo vit.

Nuk është e qartë se për çfarë arsyeje, qeveria nuk e lufton evazionin fiskal duke kryer kontrolle nëpër dyqanet e shitjes së celularëve, por vendos që të paragjykojë të gjithë shqiptarët si evazorë fiskalë dhe t’i detyrojë të dorëzojnë të dhënat e tyre personale pavarësisht nëse kanë kryer apo jo evazion fiskal.

13 komente në “Qeveria vendos të regjistrojë IMEI-n, numrin që mundëson përgjimin e celularëve”

  1. Elton says:

    Regjistimin e numrit te IMEI e ka Anglia dhe Amerika,dy nga vendet me te lira ne bote. Ne rast se telefoni vidhet mjafton te besh denoncim ne polici dhe telefoni gjendet bashke me hajdutin. Nuk eshte aq e “zeze” sa e ben ky gazetari jo.

    1. ░╣Sit Back and Relaks░╣ says:

      eshte e rregjistruar tek operatori jo tek qeveria o inteligjent

      1. tini says:

        Te behet me deshire jo me detyrim

    2. Fatjoni says:

      Nuk e ka regjistrimin as Anglia dhe as Amerika. Biles Amerika te jep mundesine te blesh karta telefoni dhe pa pasur nevojen e regjistrimit te emrit. Regjistrim IMEI ne Evrope e ka Turqia vetem, vendi “me demokratik” i momentit, ndersa ne bote e ka dhe India. MOs bej sikur mer vesh kot.

  2. altin says:

    Me fal or cope gazekari te te pyes dicka ?Para dise ditesh bere nje artikull ku tregoje se 7200 punonjes te administrates do pushoheshin nga puna ne janar 2016.Dje degjuam ne komision te ekonomise se behej fjale per transferimin e varesise se 7200 punonjesve4 te arsimit parashkollor tek bashkite e reja nga ministria. Pra ti kur shkruan ose genjen ose je dishepull i sales ose je komplet budall.

  3. LORA says:

    Qeveria eshte e vonuar ne regjistrimin e IMEI-t.
    Femijes tim ia moren nga dora celularin,u denoncua ne polici,po te ishin te regjistruar do t’i kthehej.

    1. Fatjoni says:

      Edhe po te ishte i regjistruar as nuk do e vriste mendjen njeri. Prandaj meso te perdoresh aplikacione per gjendjen e celulareve e mos u var tek policia. Mos hiqni dore nga te drejtat tuaja te privatesise me nje justifikim te kote per nje telefon te humbur.

      1. sky says:

        Me kane vjedhur mua iphone 4s, polocia me kerkoi imei’n, pasi ja dhashe e gjeten per 2muaj dhe ma kthyen. Telefonin jan kishin shitur nje 50 vjecari qe e kiahte bler per vajzen e tije ne gjimnaz. Kur i kishte therrit policia ishin tmerruar te shkretet. Ne nje shtet si amerika nese nuk tregon se ku e ke bler mund edhe te arrestohesh pasi dyshohesh edhe si hajdut. As e lwxova fare artikullin por imei ska asnje ndryshim nga nr i shasise se makines.

    2. Ilir says:

      Lora duhet qe operatoret celulare te mos i hapin sherbim nje aparati celular nese ai rezulton I vjedhur por jo qeveria te kete te dhena personale te njerezve. ti nuk di por nga imei mund te kontrollohesh ne c do gje.

    3. sokrati says:

      Po te doje policia edhe tani e gjen.

  4. Ilir says:

    Bravo gjergj. eshte nje problem shume I mprehte ky qe trajton. nese e lejojme te behet mirupafshim per 15a20 vjet demokraci. sa mund te kete jete ky palla I gjate

  5. Fori says:

    Ti or Gazetar qe nuk e ke per here te pare, nuk marke ere fare nga kjo pune.Pergjimet kryhen vetem nepermjet kartes SIM o injorant gazetar. Ka aplikacione qe e nderrojne numrin IMEI sa here te doje kokrra e qefit por perseri eshte karta SIM ajo qe te identifikon si trafikun, si pozicionimin ashtu edhe identitettin. IMEI ne rastin tone kerkohet per dy arsye: e para per te kontrolluar kontrabanden e telefonave celular dhe e dyta per te ulur numrin e vjedhjes se celulareve.Ne cdo rast shteti bashkepunon me operatoret pasi vetem keta kane infrastrukturen perkatese por gjithmone sipas ligjit. Ti sipas kushtetutes duhet te denohesh per mashtrim dhe perhapje paniku.

  6. liku - Kush me shan per debat nuk ia mban. says:

    Se shpejti del edhe vendimi qe cdo qytetar duhet te instaloje nje mikro-kamera ne banjen e tij , ne menyre qe qeveria te regjistroje te gjitha shkarkimet ne ujerat e zeza duke parandaluar keshtu bllokimet e kanaleve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje