Një “Shqiponjë e Artë” për satirën e Kapexhiut

25 Nëntor 2015, 09:10Kulturë TEMA

Klik  Ekspo Group nderon karikaturistin e gazetës Mapo me medalje. Agolli: Vetëm të mençurit e kuptojnë satirën

Ekspozita e Karikaturave të Bujar Kapexhiut në këndin e Universitetit Europian të Tiranës dhe Fondacionit Mapo në Panairin Klik Ekspo Group nuk tërhoqi vetëm admirues të shumtë, por u nderua dhe me një medalje nga organizatorët. “Shqiponja e artë” ishte çmimi që iu akordua dje Kapexhiut me motivacionin “Bujar Kapexhiu, mjeshtër i artit të humorit, përcjellës i mesazheve të forta për shoqërinë përmes artit të tij shumëpërmasor, me karkiaturë dhe humor të zgjuar e progresist. Një mendje e mprehtë për mendje të mprehta”. Çmimi iu arkodua nga Presidenti i “Klik Ekspo Group z. Luan Muhametaj.

Karikaturat e Kapexhiut për politikën janë bërë të famshme për shkak të rubrikës së tij të përditshme në gazetën Mapo. U bënë 10 vite që Kapexhiu, që mban titullin Mjeshtër i Madh, çdo ditë në këndin e tij në faqe të parë të kësaj gazete, satirizon politikën, politikanët dhe fenomenet e jetës shqiptare. Iniciatori i kësaj rubrike, Henri Çili, botues i MAPO-s, u shpreh se, “në vitin e 10-të botimeve MAPO do të  bëhet një botim dedikuar Bujar kapexhiut me të gjitha karkikaturat e artistit Kapexhiu.

Kapexhiu “i bën” karikaturën vetes

Pa i fshehur emocionet e forta për nderimin që iu bë dhe për miqtë që ishin mbledhur për të, Kapexhiu vlerësoi çmimin por nuk i zhgënjeu të pranishmit duke u dhuruar çaste satire, duke bërë humor me veten e tij dhe sëmundjen që e ka prekur kohët e fundit. “Ju kërkoj ndjesë që kam shtuar kapelen apo shallin në aksesorët e mi këtë mbrëmje. Arsyeja është ajo që, shumë miq e dijnë, se jam në fund të kalimit të një paralize faciale. Dhe nëse dikush do të qeshë nuk do ta marr për ters. Por mesa duket dikush më ka mallkuar duke qenë se ka thënë që ky çdo ditë shtrembëron politikanët, prandaj të shtrembërohet një herë edhe ky. Tre javë më parë isha i shtrembëruar, por u kënaqa me një gjë se më kapi në anën e djathtë dhe u kënaqa se mendoj që në anën e djathtë dhimbjet kalojnë ë shpejt, por nëse qesh e përqesh goja kalon nga e majta dhe në fakt e majta duhet qeshur sot”, tha ndër të tjera Kapexhiu.

Agolli,  mesazh falenderimi për Kapexhiun

Në 12 karikaturat që qëndronin në ekspozitën e Kapexhiut gjatë panairit Klik kishin personazh shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli, një personazh i dashur për karikaturistin që në kohët e para të punës së tij. Vajza e shkrimtarit,  Elona Agolli, i përcolli  Kapexhiut një mezash falenderimi nga babai i saj. Në mesazhin e tij ndër të tjera thuhej; “Artistët që lëvrojnë zhanrin e karikaturës janë nga me të meçurit e te vleresuarit edhe nga vete ata qe behen objekt karikature. De Goli i madh zgjohej çdo mëngjes I ethshëm për të parë e për t’u kënaqur me karikaturat e tij në faqet e shtypit francez. E njëjta gjë i ndodhte Andreotit apo dhe Ajnshtajnit që ekzaltoheshin nga karikaturat e tyre. Karikatura dhe poezia janë si teshtima, jo çdokush mundet të jetë poet apo karikaturist dhe jo vetëm kaq, varen shumë nga momenti I frymëzimit. Dhe motivacioni i vlerësimit “Një mendje e mprehtë për mendjet e mprehta”, përmbledh shumë thukët Artin e madh të Mjeshtrit Bujar Kapexhiu”.

Kapexhiu e cilësoi këtë letër të shkrimtarit si një kujtim dhe më të shtrenjtë se medaljet e çmimet. “Dritëroit thotë për karikaturistët duhet të jenë të mencur dhe unë e them këtë në përgjithësi që arti i humorit është privilegj i të mençurve dhe për të kuptuar këtë mençuri edhe lexuesi duhet të jetë i mençur. Prandaj sa i mençur është Dritëroi që ma ka dedikuar mua”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje