Komisioni i Ligjeve miraton me vetëm votat e mazhorancës projektligjin për vetëqeverisjen vendore.
Kjo, për shkak se në mbledhjen e djeshme të komisionit opozita mungonte, për shkak të një aktiviteti politik që Partia Demokratike zhvilloi dje. Por, pavarësisht mungesës së opozitës në sallë, do të ishin vetë deputetët e mazhorancës që do të shprehnin rezervat e tyre për draftin në fjalë.
Me cilësinë e relatorit të projektligjit, deputeti socialist, Bashkim Fino, propozoi rikthimin në variantin e vjetër të ligjit, i cili kufizon të drejtën e kandidimit të kryebashkiakëve deri në dy mandate.
“Është çështja e mandatit të kryetarit të bashkisë. Qeveria na ka sjellë një material, me argumentin se kryetari i bashkisë mund të ushtrojë tri mandate rresht, pasi bën pushim mund të konkurrojë sërish. Ne deri tani e kemi lënë të hapur, ndërsa tani me sa duket jemi për kufizim, por duhet diskutuar sa mandate. Unë personalisht jam për dy mandate.
Është një çështje që e kam thënë edhe para një viti. Jam i lumtur që qeveria ka arritur në mendimin tim, edhe pse ajo e ka lënë 12 dhe jo 8. Do të bëja lobim nëse e vë për dy mandate, por dhe nëse e lëmë tre do të votoj me kënaqësi”, tha Fino.
Ndërsa për socialistin Dashamir Peza, duke kundërshtuar propozimin e Finos, tha se të gjitha janë në favor të një kufizimi të kryebashkiakëve për të garuar.
“Besoj se tri mandate janë një kohë e arsyeshme për të implementuar një vizion”, tha Peza, propozimi i të cilit u miratua nga anëtarët e komisionit, duke e lënë të pandryshuar nenin 59 të draftit të sjellë nga qeveria.
Ndërkaq, edhe neni 60, që kishte të bënte me përfundimin e mandatit të kryetarit të bashkisë para afatit, do të shkaktonte debate mes dy socialistëve Fino dhe Peza.
“Te përfundimi i mandatit para kohe duhet shtuar edhe një germë … që i përfundon mandati nëse zgjidhet kryetar i një partie parlamentare gjatë kohës kur ushtron mandatin e kryetarit të bashkisë. D.m.th. mandati i kryetarit të bashkisë përfundon në momentin kur … nëse kryetari i bashkisë sot, Erjon Veliaj, për shembull, zgjidhet kryetar i partisë. Mora Tiranën, se ka ndodhur precedenti dy herë në Tiranë. Nuk ka asgjë të keqe ta vëmë këtu si një pikë shtesë”, tha Fino.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Pezës, i cili u shpreh kundër kësaj ideje të Finos.
“Nuk e mendoja kurrë se do të isha kundër Bashkim Finos. Në demokraci nuk mund t’i kufizosh një të drejtë një njeriu, sepse është zgjedhur kryetar i një partie. Në demokraci, zgjidhjen e kësaj dileme që ka zoti Fino e bën populli me votë”, tha Peza.
Ne Shqiperi duhen kufizime deri ne vendosjen e demokracise. Mos e beni Si Putini qe dy mandate rri president , dy kryeminister dhe pastaj behet prape president merrni shembull nga Amerika jo nga lindja, njesoj si mandati presidentitt. Kur ne Shqiperi te vendoset demokracia, te kete shtet ligjor, te kete prokurori dhe gjykata, atehere liberalizojeni çeshtjen e zgjedhjeve si te tjeret sepse atehere populli e gezon lirine e zgjedhjes: te zgjedhe dhe te zgjidhet.