Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja znj. Monika Kryemadhi, Meta zhvilloi fillimisht një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale.
Duke folur për median pas vizitës, Kryetari i Kuvendit deklaroi se dashuria si besim është çelësi i përpjekjeve dhe sakrificave për një ndryshim që fillon nga vetja, nga familja dhe që shkon tek e gjithë shoqëria.
“Urime të gjithë besimtarëve të krishterë, urime të gjithë qytetarëve tanë për Krishtlindjet. Lindja e Krishtit është edhe vetë lindja e shembullit se nuk është fuqia si imponim, por është dashuria si besim çelësi i përpjekjeve, sakrificave te të gjithë ne për ndryshim, për një ndryshim që fillon nga vetja, nga familja dhe që shkon tek e gjithë shoqëria, një ndryshim për botën tonë të vogël dhe për botën tonë të madhe në emër të dashurisë dhe të respektit ndaj Zotit”, – tha Meta.
I pyetur nga mediat se cili do të jetë mesazhi për klasën politike në vend, Meta tha: “Padyshim ndryshimi që vjen nga besimi te dashuria”.
Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit zhvilloi vizita në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë si edhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës. Meta ftoi të gjithë qytetarët për të punuar bashkërisht për të bërë ato ndryshime të cilat e bëjnë vendin dhe shoqërinë tonë më të drejtë, më solidare dhe më të begatë.
“Pa asnjë diskutim besoj se viti që vjen do të jetë një vit më i mbarë dhe të gjithë së bashku le të punojmë dhe le të përpiqemi për të bërë ato ndryshime të cilat e bëjnë vendin tonë, e bëjnë shoqërinë tonë më të drejtë, më solidare dhe më të begatë”, – u shpreh ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.