Këto krime tronditën Zürichun në vitin 2015

2 Janar 2016, 21:58Bota TEMA
Këto krime tronditën Zürichun në vitin 2015

Viti 2015 filloi me një lajm tronditës: në janar një nënë 27-vjeçare ngufati në një vendbanim afër Zürichut dy fëmijët e saj të moshës dy dhe pesë vjeç. Nëna pastaj bëri vetëvrasje në paraburgim.

Nga mesi i janarit 2015 Gjykata e Qarkut në Brugg të kantonit Aargau e liroi një pensionist të sëmurë nga demenca. Ai e kishte ngufatur gruan e tij me një shall – me kërkesë të gruas. Ngjarja ndodhi në një mal.

Po ashtu në janar Gjykata e Qarkut dënoi me tetë vjet e gjysmë burg Hasan Berishën për shkak të tentimit për vrasje dhe delikteve me drogë. Hasan Berisha është vëllai i Bashkim Berishës, një boksier i njohur në Zvicër, i cili pasi kishte vrarë një shqiptar nga Maqedonia dhe vuajtur dënimin disavjeçar me burg është dëbuar në Kosovë. Hasan Berisha u shpall fajtor për tregti me drogë në një bar të tijin në Winterthur afër Zürichut dhe për shkak të një zënke me një tregtar shqiptar të drogës, ndaj të cilit ai kishte hapur zjarr.

Në shkurt një lajm i Shoqatës Zvicerane për Mbrojtjen e Zogjve alarmoi ornitologët. Persona të panjohur me ndihmën e pëllumbave të helmuar kishin mbytur disa skifterë shtegtarë, të cilët klloçitnin në një oxhak të lartë në qytetin e Zürichut.

Në një aksident treni në shkurt afër Zürichut u lënduan lehtë gjashtë persona, njëri prej drejtuesve të lokomotivës rëndë. Aksidenti ndodhi për shkak se njëri nga drejtuesit e trenit nuk e kishte vërejtur sinjalin e kuq.

Në fillim të marsit në Zürich-Affoltern u vra një burrë 30-vjeçar nga Mali i Zi. Viktima merrej me sporte luftarake dhe ishte rojtar. Policia arriti të arrestojë të dyshuarin, në punëtor me shtetësi zvicerane dhe me origjinë nga Kosova. Malazezi Boris R. u vra nga kosovari Jeton G., i cili, sipas mediumeve zvicerane, është i lindur në Gjakovë. Jeton G. jetonte me gruan dhe dy fëmijë në Regensdorf, një lokalitet afër Zürichut, ku u kishte rënë në sy autoriteteve me sjellje të këqija. Brenda gjashtë viteve ai kishte marrë 200 mijë franga ndihma sociale. Për shkak të delikteve të ndryshme ai kishte qenë disa herë në burg.

Në mars Gjykata e Qarkut në Zürich dënoi një zvicerane 34-vjeçare me pesë vjet burg për shkak të vrasjes me paramendim. Ajo kishte shtënë kundër të dashurit të saj brazilian. Para gjyqit ajo tha se kishte hapur zjarr në vetëmbrojtje pasi i dashuri i saj kishte qenë nën ndikimin e kokainës. Në pyetjen e gjykatësit se përse kishte shkuar te i dashuri i saj me revole, ajo nuk dha një përgjigje të bindshme. Gjykata ishte e mendimit se vrasja kishte ndodhur për shkak se zvicerania ishte xheloze pasi më parë kishte marrë disa mesazhe telefonike nga braziliani, i cili e njoftonte se lidhja e tyre po merrte fund.

Një burrë me probleme mentale sulmoi në mars afër Zürichut humoristin dhe aktorin e njohur Beat Schlatter. Kalimtarët arritën ta bëjnë zap sulmuesin dhe ia dorëzuan policisë.

Në prill në Pfäffikon afër Zürichut një zviceran 19-vjeçar pas një zënke vrau babanë e tij 67-vjeçar. Viktima ishte një ish-redaktor i gazetës së njohur zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».

Në gusht dogana në Aeroportin e Zürichut zbuloi 40 dhëmbë (çatallë) elefanti. Bëhej fjalë për rastin më të madh të kontrabandës me fildish (lëndë kockore e dhëmbëve të elefantit). Fildishi me peshë prej 262 kilogramë kishte një vlerë prej 400 mijë franga. Mallin e kishin dorëzuar tre kinezë në Tanzani. Destinacion ishte Kina.

Në shtator policia e qytetit të Zürichut arriti të identifikojë 20 huliganë, të cilët në derbin e ekipeve të futbollit të Zürichut kishin ndezur mjete piroteknike. Katër huliganë u identifikuan në bazë të fotografive në internet.

Në një aksion të madh në tetor në lagjen e katërt të Zürichut policia arrestoi një pronar patundshmërish dhe kontrolloi disa banesa sociale. Multimilioneri nga një fshat afër Zürichut akuzohej se i kishte dhënë banesat me qira tepër të larta.

Në nëntor një gjykatë në Horgen afër Zürichut dënoi me 13 dhe me 10 vjet e gjysmë burg dy motra të një azili pleqsh për shkak të plaçkitjes. Ato ia kishin marrë mendtë një plake me një substancë dhe e kishin plaçkitur atë. Plaka me atë rast kishte vdekur.

Po në nëntor Gjykata e Qarkut në Winterthur dënoi me 13 vjet burg një iranian, i cili u gjet fajtor për vrasjen me paramendim të një tregtari të madh të mariuanës në Winterthur. (-lli)/Dialogplus.ch/

1 komente në “Këto krime tronditën Zürichun në vitin 2015”

  1. qytetari says:

    Ku e ke bere shkollen aman se na hoqe trurin! Tek artikulli tjeter vendos München ne vend te Mynihut, ketu Zürich e vend te Zyrihut!!!! A di te shkruash albanisch?????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje