Petrit Vasili: Konsensusi i nxituar për reformën në drejtësi do përsëriste 2008

19 Janar 2016, 09:10Politika TEMA

Sugjerimet e LSI dhe PD, paralelisht me draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, janë një vlerë e shtuar për proçesin.

Nga studio e lajmeve, në Ora News, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se konsensusi i nxituar do të përsëriste gabimet e kaluara, duke sjellë në vëmendje ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Vasili: Sigurisht për tavolinën e punës të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi të ketë sa më shumë opinione, sa më shumë qëndrime, të cilat afrohen gjithnjë e më shumë drejt një opinioni të qendërzuar siç është ai i Venecias, për të pasur një reformë në drejtësi, e cila është e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe jo një reformë që lind sot dhe vdes nesër, e cila prodhon tërësisht mosbesim dhe një pasiguri të madhe tek qytetarët për drejtësinë. Së dyti, është një reformë, e cila për shkak të këtij debati, diskutimi duhet të zhvillohet nën hullinë e një reforme transparente.Në rast se në një sekondë dhe menjëherë, të gjithë do të kishin një qëndrim të unifikuar, në çast, për një draft, i cili është i ekspertëve, nuk është i tryezës politike, do të thotë që do të kishim o një konsensus prematurë, pra të papjekur si duhet, i cili mund të na prodhonte ato sëmundje të konsensuseve të shpejta që i kemi pasur kohë më parë. Kushtetuta është ndryshuar për herë të fundit në vitin 2008 dhe konsensusi u arrit shumë shpejt, jashtë syve të publikut, pa transparencë. Dhe ja ku jemi sot, ja ku ndodhemi këtu, të obliguar, të detyruar të ndryshojmë Kushtetutën në mjaft pika të saj për ta bërë sistemin e drejtësisë të funksionojë.

Propozimet e LSI, sipas Vasilit janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Vasili: Kemi mobilizuar ekspertizën më të mirë profesionale. Edhe ne si LSI kemi konstucionalistë mjaft të zotë për ta pasuruar procesin e rishikimit. Unë e vlerësoj për gjithë punën e bërë draftin e ekspertëve. Asnjë nuk mund të pretendojë se ka një draft shterues, që shteronte gjithçka. Një problem i komplikuar kërkon edhe shkëmbimeve të gjera mendimesh dhe një debat të gjerë sepse bëhet fjalë për një problem shumë serioz siç është drejtësia, me tronditje të thellë brenda vetes, i cili kërkon zgjidhje të thella. Nuk mund ta ketë askush çelësin magjik për të pasur një draft që shteron gjithçka.

Ndërsa zërat për një afrim mes LSI dhe PD, Vasili i konsideron thashetheme të vitit të ri.

Vasili: Unë do të thosha që në një farë mënyre, unë kam pasur fatin të jem në studion tuaj edhe në kohën e verës kur janë ndërtuar ato që quhen dosjet e thashethemet e verës, tani kemi këto të Vitit të Ri. Praktikisht, ne jemi të bashkuar dhe jemi në një forcë politike si mazhorancë për të kryer reformën në drejtësi dhe është aksion i kësaj mazhorance reforma në drejtësi.

I pyetur për referendumin, Vasili tha se parlamenti ka të gjithë ekspertizën dhe besimin e qytetarëve për realizimin e reformës në drejtësi.

1 komente në “Petrit Vasili: Konsensusi i nxituar për reformën në drejtësi do përsëriste 2008”

  1. qytetarB says:

    Nuk duhet perseritur ajo e 2008-es por ama ta mbashe nje vend dhe nje popull zvarre keshtu, eshte pergjegjesia juaj qe edhe para varrit do pergjigji. KUsh e krijoi kete gjendje ne drejtesi dhe pse nuk u riparua kur ti zoti Vasili ishte ne pushtet bashke me Sali Berishen?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje