Arrestohen tre vrasës me pagesë në Durrës, ishin nisur të ekzekutonin një person

19 Janar 2016, 17:07Politika TEMA

Një konflikt i armatosur mes grupeve rivale në trafikun e lëndëve narkotike është parandaluar mesditën e së martës. Këtë gjë e bën të ditur Policia e Durrësit, sipas së cilës, pas informacioneve të marra, është bërë i mundur arrestimi i 3 personave dhe sekuestrimi i një arsenali armësh.

Të arrestuarit janë Gazmend Dervishi (38 vjeç), banues në Shkozet, Dritan Nikolli (38 vjeç), banues në Sukth dhe Bruno Shehu (31 vjeç), banues në Durrës.

“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Shijakut ka evidentuar në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminas mjetin tip Benz, me xhama të zinj dhe targa gjermane, dhe është vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i mjetit, Gazmend Dervishi, nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi së bashku me Dritan Nikollën, i dënuar më parë për vrasje dhe Bruno Shehun, i cili ndodhej në mjet. Ndjekja ka vijuar për rreth gjysmë ore dhe në fund u bë e mundur kapja e tre shtetasve, të njohur si persona me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, bën të ditur Policia e Qarkut Durrës.

Ndërkaq, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Benz dhe në banesat e të arrestuarve në Durrës e Sukth u gjetën dhe sekuestruan një automatik model 56, një pistoletë me mulli, dy krehëra me 60 fishekë, dy kapuça-maskë, doreza, 2 shishe me benzinë dhe 2 celularë.

Drejtoria e Policisë Durrës deklaroi se të arrestuarit ishin nisur për të kryer një krim pas një konflikti të nisur midis dy grupeve kriminale për prishje të pazareve në fushën e lëndëve narkotike.

Të arrestuarit kishin planifikuar që pasi të kryenin aktin kriminal do të digjnin makinën me dy shishet e benzinës dhe do të largoheshin me një automjet tjetër. Për arsye hetimi, blutë e qytetit bregdetar nuk japin më shumë detaje mbi objektin e sulmit dhe personat e përfshirë, ndërkohë që ka nisur hetimi për vepren penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

2 komente në “Arrestohen tre vrasës me pagesë në Durrës, ishin nisur të ekzekutonin një person”

  1. dr says:

    Duhen kalbur ne burg kriminelet qe po shkatarrojne vendin me terroret e tyre .

    1. undefined says:

      Do gjejne ndonje gjyqtar qe plagoset vete me llamarina qe ti liroje per mangesi procedure.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje