Zjarri që shkrumboi disa barake të banuara nga komunitetit rom në zonën e Shkozës ka qenë i qëllimshëm. Ky është përfundimi i arritur nga ekspertiza e bëra në vendin e ngjarjes nga ekspertë të zjarrfikëses. Burime nga Policia e Mbrojtjes Nga Zjarri dhe të Shpëtimit të Tiranës bëjnë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara në vendngjarje ekzistojnë provat që tregojnë se zjarri i rënë ditën e djeshme në barakat e romëve në Shkozë nuk ka qenë aksidental.
Të njëjtat burime tregojnë se vatrat e zjarreve kanë qenë më shumë se një, gjë që tregon se në të njëjtën kohë djegia bëhej nga vende të ndryshme për të sjellë më pas shkrumbimin total të zonës. Ende nuk dihet se cilat janë qëllimet e këtij komuniteti dhe arsyet që kanë çuar në këto veprime.
Nga ana tjetër, përpilimi i raportit të plotë po kryhet nga PMNZSH e Tiranës që më pas t’i drejtohet organeve përkatëse për hetime të mëtejshme. Ndërsa në këtë zonë Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin dhe marrjen e masave për sistemin e komunitetit rom në disa struktura metalike që do të përshtaten për jetesën e tyre.