Policia ka dhënë disa detaje për arrestimin e 33-vjeçarit Denis Shtraza, që akuzohet si një nga autorët e rrëmbimit dhe vrasjes mafioze të Gazmend Çollakut.
Sipas policisë, ai është kapur ndërsa përpiqej të arratisej nga Shqipëria.
“Policia e Durrësit në bashkëpunim më Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë pas një hetimi intensiv, kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasit:
Ndalimi i 33-vjeçarit u krye pasi dyshohet si një nga autorët e rrëmbimit dhe më pas të vrasjes së shtetasit Gazment Çollaku.
Denis Shtraza u arrestua mbrëmë rreth orës 21:00, në Rinas duke tentuar të largohej nga Shqipëria.
Ai është person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshën në fushën e veprave penale kundër jetës, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Lushnjës dhe të Tiranës.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur
Në datë 06.01.2016, në lagjen Nr.1 në Durrës, 4 persona, 3 prej të cilëve me jelekë dhe mbishkrimin”Policia”, kanë marrë me forcë duke e futur në mjetin e tyre tip “Audi A6” me ngjyrë të zezë shtetasin Gazment Çollaku 34 vjeç, banues në Durrës.
Çollaku u gjet i vrarë me armë zjarri një ditë më pas në fshatin Murqin, Krujë, i hedhur në rrugë dhe me gjymtyrë të lidhura.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe dokumentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Vrasja, të kryera në bashkëpunim””, bën me dije policia.