Tiranë, nusja i vjedh 80 mijë lekë vjehrrës dhe sajon rrëmbimin

29 Janar 2016, 10:39Kronika TEMA

Një 20-vjeçare ka denoncuar në polici se është rrëmbyer nga persona të panjohur, por gjithçka ishte një sajesë e saj.

Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se vajza me inicialet E. K., është vënë në pranga dy ditë më parë pasi u vërtetua se gjithçka ishte një sajesë e saj.

Po ashtu, e reja akuzohet se ka vjedhur edhe një shumë të konsiderueshme parash vjehrrës së saj, rast ky i denoncuar në polici nga kunata e të arrestuarës. Mbi 20-vjeçaren rëndon akuza e “Kallëzimit të rremë” dhe “Vjedhja”.

“Më datë 27.01.2016, u arrestua në flagrancë shtetasja E. K., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi ka bërë kallëzim të rremë, duke deklaruar se ishte rrëmbyrer më datë 19.01.2016, në banesën e saj dhe ishte mbajtuar në një bodrum në Tiranë. Gjithashtu në orën 13:00, shtetasja A. A., (kunata), 28 vjeçe, banuese në Tiranë, kallëzon se e arrestuara, i kishte vjedhur në banesë dhe një shumë prej 80.000 lekë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Vajza 20-vjeçare, mësohet se dy ditë më parë ishte paraqitur në Komisariatin numër tre në kryeqytet, duke bërë një denoncim për rrëmbim.

Burimet thonë se vajza pretendonte se ishte rrëmbyer më datë 19 të këtij muaji nga persona të panjohur, duke u mbajtur në një bodrum në Tiranë. Gjithashtu, mësohet se vajza ka thënë që ishte dhunuar nga “rrëmbyesit” , si dhe ishin të panjohur për të. “Më kanë dhunuar, keqtrajtuar. Gjatë-gjithë kohës nuk më kanë dhënë asgjë për të ngrënë. Ata që më morrën nuk i njoh”, është shprehur ajo gjatë deklarimeve të bëra në polici.

Më tej, burimet u shprehën se gjatë gjithë verifikimeve të kryera mbi këtë ngjarje që kishte denoncuar 20-vjeçarja E. K.,është bërë e mundur që të zbulohej e gjithë historia, e cila ishte vetëm një sajesë e të resë.

Po ashtu, mësohet se e reja e ka pranuar që gjithçka është sajesë e saja dhe se ishte larguar me dëshirë nga shtëpia. Burimet theksuan se e reja që prej datës 19, kur edhe deklaroi se ishte “rrëmbyer”, kishte shkuar për një disa ditë “pushime” në qytetin bregdetar të Vlorës, raporton shqiptarja.com.

Më tej, uniformat blu thanë se vajza në fjalë akuzohet edhe vjedhjen e 80 mijë lekëve, në shtëpinë e vjehrrës së saj. Mësohet se E. K., para se të largohej nga shtëpia dhe të sajonte rrëmbimin, kishte vjedhur në banesën e vjehrrës shumën me para, duke shkatërruar çdo gjë tjetër në shtëpi. 28-vjeçarja A. A., ka bërë denoncim dy ditë më parë në komisariat për paratë e vjedhura, ku përgjegjësinë e ka mbajtur vetë e reja. Kunata e E. K., është shprehur se vjedhja ka ndodhur ditën kur 20-vjeçarja është larguar nga shtëpia e tyre. Materialet në ngarkim të 20-vjeçares i kaluan për veprime të mëtejshme proveduriale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje