Janë 12, mbas pak mund të shkojë në 14 numri i lojtarëve të larguar nga Roberto Mancini në 14 muajt e tij si trajner i Inter-it. Andrea Ranocchia dhe Fredy Guarin janë dy futbollistët e fundit që janë larguar nga Appiano Gentile. Qendërmbrojtësi madje ka humbur edhe vendin si titullar pas rinovimit të kontratës deri në 2019-ën, me dyshen Miranda dhe Murillo që kanë qenë zgjedhja e parë e trajnerit nga Jesi. Për sa i takon kolumbianit, ishte i vetmi nga i cili mund të nxirreshin paratë e duhura në merkato për të arritur te Eder. Mancini ka dashur t’i ndërrojë fytyrën Inter-it që, tashmë, nuk ka më asnjë lidhje me ekipin e trashëguar nga Walter Mazzarri.
Sipas një analize të bërë nga e përditshmja italiane “Libero”, janë plot 14 lojtarët që janë “eliminuar” nga trajneri zikaltër. Përveç Ranocchias-s dhe Guarin të lartpërmendur, janë edhe Xherdan Shaqiri, Lukas Podolski, Nemanja Vidic, Mateo Kovacic, Pablo Osvaldo, Yann M’Vila, Jonathan, Joel Obi, Hugo Campagnaro dhe Zdravko Kuzmanovic. Dy të tjerët në rrezik janë Martin Montoya, i huazuar verën e kaluar nga Barcelona dhe Davide Santon, i kthyer në bazë vitin e kaluar, në janar, nga Newcastle dhe që tani shumë afër transferimit te Genoa ose rikthimit në Premier League. Presidenti Thohir është treguar shumë i gatshëm me Roberto Mancini-n, për sa i takon merkatos. Në janar të 2015-ës janë marrë Shaqiri, Podolski, Brozovic dhe Santon.
Këtë verë indoneziani ka përforcuar më tej skuadrën me Jovetic, Ljajic, Biabiany, Miranda, Murillo, Perisic, Montoya, Felipe Melo, Alex Telles, Kondogbia dhe, i fundit në listë, Eder. 15 lojtarë në total që do të bëhen 17 pasi Soriano dhe Banega janë prenotuar për verën e ardhshme. Tani nga skuadra e Mancini-t priten rezultatet. Derbi së dielës në mbrëmje do të jetë një udhëkryq i rëndësishëm për sezonin e zikaltërve. Presidenti ka treguar më shumë se një herë për të mbështetur financiarisht ekipin. Tani i takon skuadrës t’i bëjë një dhuratë: kualifikimi në Champions-in e ardhshëm./ Telesport