Mazhoranca: Do presim rekomandimet e Venecias për Byronë e Hetimit

5 Shkurt 2016, 20:25Politika TEMA

Ka përfunduar rreth 30 minuta më parë mbledhja e përjavshme e partnerëve të koalicionit qeverisës.

Të pranishëm në këtë takim, nga PS kanë qenë: kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi.

Ndërsa nga LSI, kryetari Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, kreu i komisionit të sigurisë kombëtare Spartak Braho dhe ministri Edmond Panariti.

I pranishëm ka qenë gjithashtu nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, ndërkohë që rreth 1 orë nga nisja e bisedimeve, tryezës i është bashkuar kryetari i komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Takimi ka zgjatur rreth 2 orë dhe i vetmi që ka folur në përfundim të tij ka qenë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili ka bërë të ditur se janë diskutuar 2 çështje: takimi i FMN-së më 17 shkurt; dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Lidhur me këtë të fundit, Ahmetaj ka deklaruar se, “ne jemi rakorduar për të pritur rekomandimet e Komisionit të Venecias”.

I pyetur nëse në takim është diskutuar mbi vartësinë e BKH-së; në atë të kryeprokurorit, sipas modelit kroat; apo tërësisht e pavarur, sipas modelit rumun, Ahmetaj ka thënë: “Duhet të presim Venecian”.

Pra, mazhoranca qeverisëse ka vendosur të presë rekomandimet e Komisionit të Venecias për të vendosur mbi këtë çështje./ TCH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje