Polici i cili ndihmoi në largimin e autorit të vrasjes së Gentian Beqirit është në detyrë.
Këtë skandal e zbuloi vetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në Kuvend në seancën e sotme parlamentare.
Gentian Beqiri, i cili ishte njëri prej të akuzuarve nga prokuroria për vrasjen e Sokol Çapjas, në dhjetor të 2005 u ekzekutua me pistoletë ‘silenciator’ në banesën e tij në katin e 8-të të pallatit në lagjen nr 10-të në Elbasan, ku ndodhej në arrest shtëpie. Krimi ndodhi më 15 gusht 2012.
Pikërisht me vrasjen e Sokol Çapjas mendohet se ka nisur zanafilla e masakrës së mbrëmjes së 3 shkurtit 2016, e cila deri tani ka marrë jetën e 8 personave, 2 tentativa vrasjeje dhe vetëm dy të dënuar. Flitet për një përplasje mes familjes Mema dhe Çapja.
Saimir Tahiri: Policia e ka ndjekur në vazhdimësi specifikisht këtë çështje që në thuajse një dekadë ka marrë jetën e 8 personave. Për shkak të konfliktit, në dhjetë vite janë 8 të vrarë dhe 2 tentativa për vrasje – dhe vetëm dy të dënuar! Një ndër vrasjet ka ndodhur në vitin 2012 dhe është bërë ndaj një personi që ishte me arrest shtëpie (me vendim Gjykate ruhej me detyrim me dy punonjës policie në derën e shtëpisë). Punonjësit e Policisë nuk u gjendën ku duhej të ishin, dhe vrasësit hynë në shtëpi dhe e vranë, bashkë me babanë. Dhe vrasësi i dyshuar kërkoi të dilte në kufi, e në kufi doli, pavarësisht se policit iu shfaq në ekran alarmi “person në kërkim”.
Polici është arrestuar e më pas është liruar, pavarësisht se la një kriminel (apo autorin e dyshuar) të dilte nga kufiri. Dhe unë sot e marr vesh që polici është ende në detyrë e u dënua atë kohë me ulje në gradë.”