Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se ende nuk po bëhet sa duhet për të krijuar modelet e duhura për edukimin e fëmijëve. Ai e lidhi keqedukimin me politikën, kur tha se “parlamenti është frymëzuesi dhe teatri më i keq i dhunës për fëmijët”.
Sipas ministrit të Brendshëm, brengë mbetet lypja nëpër rrugë e fëmijëve, që siç theksoi duke ua dhënë një lëmoshë, thjesht sa nxit një lloj trafikimi.
Në veprimtari ishin gjithashtu ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ministrja për Arsim dhe Sport, Lindita Nikolli dhe ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administrratën Publike, Milena Harito.
Të katër ministrat thanë se duhet bërë shumë më shumë për të mbrojtur fëmijët nga interneti, ndonëse pranuan se është e pashmangshme për t’ua ndaluar atë.
Fëmijët nën 18-vjeç janë të riskuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, nga dhuna, shfrytëzimi, abuzimi që vjen nga përdorimi i internetit në Shqipëri.
Institucionet, me këtë marrëveshje marrin angazhime konkrete për krijimin e Mekanizmit Kombëtar për Sigurinë Online të Fëmijëve.
Në funksion të këtij bashkëpunimi është prezantuar edhe platforma isigurt.al, e cila ka si mision kryesor bashkërendimin e përpjekjeve për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës seksuale në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet.
Kjo platformë vjen edhe në formën e një aplikacioni telefonik ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijeve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online.