Bjorn Runa
Përfytyroni një qytet ku qysh në orët e para të mëngjesit, kur gjumi nuk ju ka dalë ende mirë, ju duhet të përballeni me rrëmujën e një trafiku të rënduar, zhurmën e borive të makinave, ndërsa thithni gjithë përtesë ajrin ku tymi dhe pluhuri enden si një vel i zymtë. Nuk është edhe aq e vështirë për ta imagjinuar apo jo? Kjo është Tirana në një ditë të zakonshme. Tani, përpiquni të parafytroni tufa mimozash, në fund të bishtit të të cilave gjenden fëmijë që përpiqen të depërtojnë mes hapësirave të ngushta midis makinave; njerëz me fytyra të ngërdheshura, ku nuk kuptohet nëse ka ngrirë një buzëqeshje apo një sharje e lënë përgjysmë, me flokët gjithë shkëlqim ku yndyra e disa ditëve pa larë përzihet me xhelin e tepruar. Kjo është Tirana në 14 shkurt.
Që ne shqiptarët perceptojmë në mënyrë të gabuar çdo lloj feste, kjo tashmë dihet pasi është diçka me të cilën përballemi thuajse çdo muaj. Megjithatë, shën Valentini është kulmi i shëmtisë estetike që mund të marrë një qytet, ku qytetaria ka nisur të japë shpirt prej kohësh. Makthi i kësaj dite nis kohë më përpara me pyetjet e tipit “Ku do e kalosh shën Valentinin,” “Ç’dhuratë do bësh,” “Çdhuratë do marrësh,” të shoqëruara nga një buzëqeshje pështjelluese nënkuptimi, a thua se është vërtet kaq e vështirë t’i biesh në të se ç’duan të thonë me ato pyetje. Dhe, nëse ja dilni mbanë t’i mbijetoni javës, mos u shqetësoni, “tmerri” i vërtetë nuk ka ardhur ende. Veç gjithë telasheve të tjera që sjell një mëngjes në Tiranë, mëngjesi i 14 shkurtit sigurisht që ka ruajtur surprizat më të veçanta për ju. Në të vetmen ditë të vitit kushtuar intimitetit fizik dhe shpirtëror mes dy personave, në rrugë do të përballeni me grupe, e në rastin më të keq me turma njerëzish që shëtisin bashkë. Familje, prindër e fëmijë që hiqen zvarrë sa nga një kafe në tjetrën (epo, është festë në fund të fundit dhe katër apo pesë kafet e zakonshme të mëngjesit nuk mjaftojnë), i heqin çdo lloj kuptimi, qoftë edhe klisheje kësaj dite.
Urime! Sapo ja dolët mbanë pjesës më të mundimshme të ditës. Pritja e gjatë në trafik pas asaj “BMW-së” së bardhë që ka vendosur të ndalet pikërisht në mes të kryqëzimit, pasi ai tipi që mban veshur tuta “adidas” dhe këmishë “Armani” të njollosur nga djersa nuk ka vendosur ende për lulet që do të blejë nga shitësja me shami në trotuar, duket se ja ka vlejtur. Më në fund, mbrëmja ka ardhur dhe, sado e vështirë që është, do të përpiqeni të largoni nga mendja “makthet” e përjetuara gjatë ditës. Një shëtitje e vetmuar nëpër rrugët e zbrazëta të Tiranës do të ndihmonte sikur të mos qe për kutitë e çokollatave e ambalazhet e buqetave të luleve të hedhura kudo, ndërsa dikujt i duhet të durojë në një shtrat moteli nën frymën frymën që kutërbon erë “Lanë,” vetëm e vetëm sepse dhurata që pati marrë për shën Valentin ka qenë tepër e shtrenjtë.
Megjithatë, këtë radhë gjërat shkuan paksa më ndryshe. Pas pritjes së ankthshme nëse aeroplani i John Kerry-t do të ulej apo do të ndërronte mendje e të kthehej pas duke i lënë shqiptarët në mjerimin e tyre, ne harruam për një çast shën Valentinin, dhuratat, Xhesikën dhe deputetin e “palestruar”, për të mos folur për zbluimin më të madh të shekullit, atë të valëve gravitacionale, të cilit veç pak sekondave në ndonjë kronikë të mërzitshme lajmesh, nuk ju kushtua kurrfarë rëndësie.
Më në fund, aeroplani vendosi të ulej pas mëdyshjes gjysmë-orëshe dhe sekretari Kerry zbriti. Takoi një president të lodhur që e priste qysh herët në mëngjes, a thua se do t’i vidhnin çastin e tij; kreu të gjitha ritualet formale të parashikaura e të stërthëna për mëse një javë në çdo ekran televizioni dhe në fund, pa shumë zhurmë u largua sërish, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve ende nuk e kishin kuptuar ç’po ndodhte.
John Kerry u largua pa thënë shumë, ose më saktë pa thënë asgjë nga ato çfarë shqiptarët prisnin të thoshte. Megjithatë, pas anglishtes së thyer të atyre pak njerëzve që përpiqeshin ta falënderonin e ta preknin si të ishte një ikonë e shenjtë a një gur fatsjellës, ne kemi më në fund një arsye të vërtetë për ta falënderuar e, jo thjesht sepse ai ekziston. Faleminderit, zoti Kerry sepse për herë të parë i kurseve shqiptarëve mëngjesin e tmerrshëm dhe makthin estetik të një feste si shën Valentini. Faleminderit edhe sepse sot për herë të parë, serbatorët e makinave të policisë që kishin nisur të zinin merimanga, ndjenë për herë të parë pas kaq kohësh shijen e vërtetë të karburantit. Faleminderit, sepse sot ndërsa kthehesha në shtëpi, nuk m’u desh të shihja atë policin e muduar (i vetmi i mbijetuar i lodhjes) nga dyshja që i duhet të patrullojë në këmbë, ndërsa i merret fryma duke ngjitur kodrën. Faleminderit, zoti Kerry sepse sot për herë të parë u ndjeva i sigurt në një qytet ku fjala “siguri” nuk ka patur kurrë kuptim. E deri ne festen e ardhshme, ndoshta do te dale dikush tjeter per t’u falenderuar, sepse duket se vetem “nje i zbritur nga lart,” mund te na jape qofte edhe per nje dite normalitetin e munguar. ( http://pasqyre.al/ )
Bravo Runa. Me pelqen kendveshtrimi nga e ke pare.E vecante
Bravo Runa.Me pelqen kendveshtrimi nga e ke pare.I.vrcante.