Një diplomat dhe shumë njolla

17 Shkurt 2016, 09:33Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Çdokujt që në Ballkan i interesojnë zhvillimet politike, emri i Boutros Boutros-Ghali nuk është i panjohur. Emri i tij ndërlidhet me luftën në Bosnjë-Hercegovinë dhe me krizën e rëndë në Kosovë në vitet 90-të. Nga viti 1992 deri më 1996 Boutros-Ghali ishte sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ai ishte arabi i parë në krye të organizatës botërore. Në vitin 1996, kur i skadoi  mandati i parë në postin e sekretarit të OKB-së, egjiptiani Boutros-Ghali kishte një dëshirë: të merrte besimin për mandatin e dytë. Këtë besim nuk e mori, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën veton. Këtij qëndrimi të Washingtonit iu bashkua edhe Britania e Madhe. Amerikanët hodhën poshtë kandidaturën e Boutros-Ghalit për shkak se ai – gjithnjë sipas palës amerikane – kishte penguar sulmet e SHBA-ve kundër forcave serbe në Bosnjë.

Si të dërguar të OKB-së për Bosnjë Boutros-Ghali kishte emëruar japonezin Yasushi Akashi, një burokrat i OKB-së pa njohuri të mira të gjenezës së konfliktit në ish-Jugosllavi dhe sidomos në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërsa Akashi përpëlitej në takime me kriminelë lufte si Radovan Karagjiqi dhe Ratko Mlladiqi, i ngarkuari i OKB-së për të drejtat e njeriut, disidenti polak Tadeusz Mazowiecki, në fund të korrikut 1995, pas masakrës në Srebrenicë, dha dorëheqje.

Polaku që e kishte mbijetuar komunizmin e kishte kuptuar se kush ishte agresor në Bosnjë, Akashi dhe Boutros-Ghali jo, sepse ishin burokratë cinikë. «Në Bosnjë përqeshen të gjitha rregullat e rendit ndërkombëtar», i kishte thënë Mazowiecki revistës «New York Review of Books». Që këto rregulla u përqeshën është faj edhe i Boutros-Ghalit. Gjatë mandatit të tij forcat serbe kryen gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, Somalia u shndërrua në shtet të dështuar, në Ruandë u krye gjenocidi i radhës.

Boutros-Ghali, i lindur më 14 nëntor 1922 në një familje të krishterë në Kajro, ia lëshoi rrugën Kofi Annanit për t’u zgjedhur sekretar i OKB-së. Annan ishte i pari sekretar i OKB-së nga Afrika përtej Egjiptit. Gjatë sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë së Slobodan Millosheviqit Annan luajti rol pozitiv: ndonëse NATO nuk kishte marrë mandat nga OKB për të sulmuar Jugosllavinë, Annan e quajti politikën serbe në Kosovë përpjekje për gjenocid dhe gjeti fjalë të mençura për të justifikuar luftën e NATO-s për të mbrojtur shqiptarët.

Boutros Boutros-Ghali rridhte nga një familje e politizuar. Gjyshi i tij kishte qenë kryeministër i Egjiptit nga 1908 deri më 1910 – në kohën e Abaz Hilmiut të II-të, pinjoll i familjes shqiptare të Muhamed Ali Pashës. Boutros-Ghali studioi drejtësi në Universitetin e Kajros, pastaj në Paris, ku doktoroi më 1949. Më vonë bëri karrierë si profesor universitar, ministër shteti në ministrinë e Jashtme të Egjiptit dhe zëvendësministër i punëve të Jashtme të Egjiptit – deri në zgjedhjen e tij sekretar i OKB-së më 1991. Boutros-Ghali ishte i involvuar në lirimin nga burgu të liderit jugafrikan Nelson Mandela. Të martën ai vdiq në Kajro në moshën 93-vjeçare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje