Fjalori i mallkimit

16 Shkurt 2016, 09:36Blog TEMA

Nga Eleana Zhako

Njerëzit në Shqipëri janë specialistë të artit të mallkimit, pa shaka! Mallkim, e jo shaka! Qen bij e bija qenësh në shtatë breza! Që i zëntë veremi i(n)shalla(h)! U rëntë pika, mortja, dambllaja, thyefshin qafën, zverkun, brinjët, u shtrifshin në dhe, u daltë kanceri në grykë mundësisht (që ta mbyllin gojën), u bëfshin kurbanë, u bëfshin me hije e xhinde, i shplaftë panukla.*

Gjithashtu në Shqipëri dallohen edhe për një veti tjetër, për ndjenjën e lartë të kopanisjes dhe radhët e shumta të vullnetarëve, të gatshëm për të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Cfarë kopanësh! Refreni i tyre i dashur është “kush të rreh të do” dhe shquhen për një gamë të madhe druri, nga “olele veshi” deri tek “do të të vdes në dru”. Dru me pre, dru me pre. Druvarë sa të duash, për të gjitha shijet.

I bëjnë gropën njëri-tjetrit, kështu me një të shtënë fjale. Madje thuhet, që Mali me Gropa u formua nga një shkëmbim breshërish – mallkimesh që kishin fjalën “gropë”. Thuhet, që shqiptarët i bënë gropën Sadnës, se zbuluan që ajo e kishte fajin për marrosjen e tyre kolektive dhe identifikimin e tyre me indianët. Gjithashtu thuhet, që nëse Sadna do quhej Sandra dhe do ishte italiane, asgjë e keqe s’do i gjente shqiptarët, madje e kundërta, do ishin me afër integrimit të tyre në qytetërimin evropian.

Arti i mallkimit është tipar arkaik i shqiptarëve. I përket traditës së ligjërimit gojor, nuk ka formë të shkruar dhe bën pjesë në procesin mekanik të gjuhës, e mëson pa mësuar. Për më tepër, falë mallkimit shqiptarët kanë krijuar imunitet dhe mallkimet që i hedhin njëri – tjetrit shpien në vetëasgjësim mallkimesh. Si pasojë, forca mallkuese zbehet aq shumë, aq sa ndodh vetia e transformimit të tyre në urim apo përkedheli. Kështu, kur ndodh të dëgjosh “moj mortje e vogël”, tingëllon më tepër si një thirrje përkëdhelëse, si yshtje e mortjes, si thirrmë vitale, si eufemizëm.

Tipologjia e nënave dhe femrave shqiptare është ngushtësisht e lidhur me konceptin e mallkimit. Që nga Ajkuna e Bjeshkëve të Nëmuna, Balada e Konstandinit dhe Doruntinës dhe deri tek gruaja e sotshme, arti i mallkimit përbën një art kryesisht femëror. Janë një grup bashkëtingëlloresh [fsh], [ft], [ksh], që të bëjnë gjëmën. Ngjajnë me ato fshesat prej kashte me bisht të gjatë që të marrin zvarrë. Portreti i një nëne ndëshkuese mund të përfytyrohet si një pikë që të bie në kokë, e cila në variantin romantik mund të ngjajë me një pikë të pafajshme shiu që tretet mbi flokë, deri si metodë e torturës naziste “një pikë e ftohtë që bie pa ndalim mbi një kokë të zbathur”. Ndoshta ngaqë femrat kanë nevojë të bërtasin e të çirren më shumë, t’i japin një penel femëror dhe tragjik mallkimit duke e përngjasuar atë me figura fantazmagorike dhe elemente të së keqes.

Mallkimi në shqip ngjan me një fantazi të kobshme noir, ku kombinimi fjalë – neurone prodhon degëzime të llahtarshme surreale, personazhe horror dhe gjithfarësoj kancerianësh. Mallkimi lidhet me mallin që kemi për një katastrofë të mundshme, për një reverse të rendit të gjërave dhe njerëzve, me perceptimin mazokist që është fronësuar në kokat tona, por që shfaqet me një ngërdheshje sadiste, veteliminimin tonë mendor përmes asgjësimit fizik të tjetrit. Mallkimi është një anomali e brendshme që kërkon të tjetërsojë dhe të transformojë tjetrin në “zë që s’bëzan”, ta shndërrojë në gur ose në kafshë të parrezikshme, nga ato me trajta minimalistike të stampuara në jastëkë e çarçafë për efekt dekorimi.

Ndoshta përpilimi në shqip i Fjalorit të Mallkimit do ndihmonte shqiptarët të shikonin evoluimin e gjuhës shqipe si mjet mallkimi i stilistikës së tyre gjuhësore dhe sociale dhe të thelloheshin mbi humorin e mallkimit, duke e ruajtuar atë, por duke e zhveshur në të njëjtën kohë nga përmasa reale e artit të të mallkuarit. Mallkimi në një farë mënyre mund të paralelizohet me humorin, ose me atë që njihet si “black humor”. Ashtu sikurse dhe humori, duke perifrazuar një shprehje të lexuar diku, ku përshkruhej si pikëllimi i një shpirti të lartë, mallkimi mund të përshkruhet si humori i trishtuar i një pikëllimi të lartë. Tragjikomizmi nuk qëndron tek mallkonjësit fjalamanë, por tek mallkonjësit e realitetit të mallkuar, tek ata që çdo natë ngjyejnë perdet e zeza dhe ëndërrojnë një botë me gropa…

*Shprehjet e mësipërme janë përzgjedhur si pjesë e “fjalorit të mallkimit” të shqiptarëve dhe nuk kanë si qëllim stigmatizimin e shqiptarëve, por nxjerrjen në pah të aspektit gjuhësor të tyre dhe konotacionet që ato mbartin.

Peizazhe.com

4 komente në “Fjalori i mallkimit”

  1. Lexues says:

    Shkrim fantastik. Me ka pelqyer jashte mase (dhe me ka bere te qesh me lot). Urime.

  2. rasputini me xvcwxhini says:

    mallku kjoft kush m ka bo keq mue!
    ju kthefshin mrapsht mallkimet e tyre,si me pasqyr!
    u pallofshin prgjithnji me njeri tjetrin te kqinjt,si lepujt e gemushave!
    u shofshin si hijet e mngjezit!
    I ronshin t kqijat mbi kry si pikat e shiut n pellg!
    u rrenofshin si ndertesat e dobta nga termeti mizor
    u fundofshin n ferr te kqinjt si vaporr I prish n fortune
    shkofshin n vorr t kqinjt me deshir t vet,si hajdari n dafllak!
    ju kthefshin t kqijat atyne qe m kon bo keq mu sikurse kthehen netet permas cdo dite…………

  3. muxhahedini says:

    komb “dmokrat” na shqiptart
    respektojm “lirin e shprehjes” der ne perdorim infinitive
    nuk e mbajm fjalen Brenda or e nxjerrim nga barku plot mut

  4. tfgs1 says:

    flitet per sunite te mallkuar…………….hahahahaaha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje