Gracka më e fundit e politikës për të kapur RTSH-në

1 Mars 2016, 20:05Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

Kriza për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptarë pritet të thellohet edhe më shumë dhe kjo falë makinacioneve të maxhorancës qeverisëse e cila në vend ta rikthejë procesin në normalitet ka projektuar futjen e tij në qerthullin e militantizmit.

Projektimi i këtij skenari vjen nëpërmjet një draft-propozimi që qeveria i ka bërë Parlamentit, të cilit i kërkon të ndryshojLigjit 97/2013 për “Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 102, që parasheh procedurën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.

Sakaq, ditën e hënë, drafti e kaloi pragun e miratimit nga Komisioni parlamentar i Medias, vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, me “rekomandimin” që të futet me precedencë në seancën plenare të të enjtes. Gjë që, sikurse kanë deklaruar burime konfidenciale të Kuvendit pritet të ndodhë.

“Hapi i hedhur sot ne Komisionin e Medias, i hap rrugen jo vetem zgjidhjes se krizes disa vjecare te drejtimit te RTSH, por edhe fillimit te nje sërë reformash te reja e te thella transformuese. Hap shume i rendesishem ky, qe synon reformimin e te vetmit transmetues publik, ne lartesine e cilesise, profesionalizmit dhe shikueshmerise se merituar nga pronari i saj: Opinioni publik shqiptar!” Ishte koment-njoftimi që zvendëskryetari i Komisionit parlamentar të Medias i bëri në faqen e tij të rrjetit fcb ndryshimit të nenit 102, që është edhe sipërmarrja më të fundit e maxhorancës qeverisëse në emër të zgjidhjes së krizës disa vjeçare që sundon RTSH-në.

Ndryshim ligjor ky që, në fakt, jo vetëm nuk e garanton  zgjidhjen e krizës, por është një grackë nëpërmjet të cilës maxhoranca parlamentare ligjëron kapjen politike të RTSH-së.  Sepse, sikurse kanë konfirmuar burime konfidenciale të maxhorancës në Këshillin Drejtues të RTSH, por edhe ato opozitare të Komisionit parlamentar të Medias, e gjithë kjo procedurë ndryshimi ligjor është ndërmarrë nga maxhoranca për të sjellë në krye të institucionit më të madh mediatik të vendit sërish një militant partie: Thoma Gëllçin, ish këshilltarin e kryeministrit socialist Fatos Nano, ish kryeredaktorin e gazetë “Zëri i Popullit” pronë e ish Partisë Komuniste-Puniste, sot organ i PS-së.

I votuar nga Këshilli Drejtues i RTSH përgjatë periudhës nëntor-dhjetor 2015, pas skartimit më urdhër partiak të rreth 20 kandidaturave, Thoma Gëllçi dhe Petrit Malaj, një tjetër homolog bashkëpartiak ky, arritën të “dyluftonin” në Këshillin Drejtues, duke mos arritur, as njeri e as tjetri, të siguronin 7 votat e domosdoshme që parasheh ligji në fuqi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH.

Pas tre herë votimi, gara midis tyre u mbyll me marrjen e 6 votave nga Thoma Gëllçi, aq sa është edhe maksimumi i njerëzve që disponon maxhoranca në Këshillin Drejtues të RTSH. Të indinjuar nga makinacionet dhe qënia thellësisht politike e kandidaturave, 5 pjesëtarët e opozitës e braktisën Këshillin Drejtues, ndërkohë që e futur në ngërç edhe për shkak të ligjit që nuk definonte zgjidhjen e situatës për të tilla raste, Këshilli Drejtues vendosi të riçel konkurimin, me synim afrimin e kandidaturave të reja, që për njerën apo tjetrën arsye nuk ishin pjesëmarrë në garë.

Dhe ndodhi që pikërisht ditën kur Këshilli njoftoi zyrtarisht ofertën për pranimin  e konkurentëve të rinj ai u urdhërua ta prapsonte lajmërimin dhe të qendronte në pritje derisa maxhoranca të ndryshonte ligjin, për ta sjellë në versionin e draftit të kaluar nga Komisioni parlamentar i Medias ditën e hënë, e që pritet të votohet të enjten. Draft i cili në përmbajtje dikton që: nëse në 3 votimet e para Këshilli nuk arrin ta zgjidh Drejtorin e Përgjithshëm me 2/3 e votave, domethenë me 7 vota “pro”, në raundet e 4 dhe të 5 e zgjedh atë me shumicën e thjeshtë, domethënë me 6 vota.

E lexuar në atë çka serviret duket se drafti nuk ka asgjë anormale dhe ndryshimi i ligjit do ta zgjidh tërësisht jo vetëm krizën por edhe eliminimin e ardhjes në krye të RTSH të drejtuesve partiak të tipit Gëllçi apo Malaj. Gjë që do të ishte e vërtetë, nëse gara e deritashme midis Thoma Gëllçit e Petrit Malajt do të zerohej dhe procesi i konkurimit do të niste nga e para, duke ftuar pjesëmarrës të rinj në garë. Mirëpo kjo nuk ka për të ndodhur dhe këtë e ka pohuar si zvendëskryetari i Komisionit parlamentar të Medias ashtu edhe vetë Kryeministri.

“Do të vijoj aty ku ka mbet !”, I është përgjigjur zvendëskryetari Peza portalit “Arberia News”, kur është pyetur prej tij nëse, pas ndryshimit të ligjit 97/2013 gara do të nis nga fillimi apo do të vazhdohet atje ku ka mbetur. Dhe po të njejtën përgjigje i ka dhenë edhe kryeministri Edi Rama drejtuesit të emisionit “Shih Programin”, Enkel Demit.

Çka presupozon faktin se, duke qenë se në 3 votimet e para të Këshillit Drejtues të RTSH-së Thoma Gëllçi e ka konsumuar mosmarrjen e 7 votave, në këtë votim të 4 do ti mjaftonin vetëm 6 vota të përfaqësuesve të maxhorancës, aq sa ka siguruar deri më tani, për tu bërë drejtor i Përgjithshëm.

Pikërisht kjo është edhe arsyeja që pjesa opozitare e Komisionit parlamentar të Medias e braktisi tryezën e Komisionit parlamentar, ku diskutohej për ndryshimin e ligjit të RTSH-së. Ndryshim që i miratuar falë forcës së kartonave maxhorativë, dhe jo konsesusit midis palëve, as që bëhet fjalë ta zgjidh krizën disavjeçare. Aq më tepër ta çlirojë nga vargonjtë e politikës, ta rilindë e tja kthejnë RTSH-në publikut.

10 komente në “Gracka më e fundit e politikës për të kapur RTSH-në”

  1. katarakti says:

    Ja ke futur fare kot o Shyti. Edhe presidente po nuk mori 2/3 e votave ne parlament ne votimin e trete a te katert zgjidhet vetem me shumicen e thjeshte. Pra me 71 vota. Keshtu u zgjodh Nishani apo jo?! Atehere perse nuk duhet te zgjidhet edhe drejtori i RTSH-se ne te njejten menyre?! Dhe pse na çan derrasa me konsensusin e opozites. Per kete opozite qe eshte sot konsensus do te thote qe te behet si do ajo. Por sovrani ka vendosur qe te behet siç do shumica. Prandaj behen zgjedhjet qe shumica te vendose. Ndryshe nuk kishte nevoje per zgjedhje. I benim te gjitha si do opozita.

  2. ertufrul says:

    Kusur mos i ler batackinjve. Nuk kane turp dhe tallen me kete popull qe i besoi fjales se kryemashtruesit Rama qe i premtoi se do ja kthente radio televizionin publikut. Jazek dhe haram ju bofshin votat tona ju kompanise se mashtruesve qe e quani veten rilindje. Rilindje me Gellcin , o zot fali se e dine cfare bejne.

  3. Sulejmani mafherishem says:

    Katarakt lexoje mire shkrimin, Shyti nuk thote se ndryshimi i ligjit eshte i keq por te nise konkurimi nga fillimi, duke e hapur garen dhe jo te vazhdoje atje ku ka mbetur se kjo osh pa pike kuptimi. Gellçi dhe Malja jane votu tre here dhe skon fitu eshte e drejte te mos jene pjese vazhduese e konkurimit. Po dun drejtor qe ti na sherbej ne publikut duhet me mos qene militant partie dhe kjo osh shume e vertete. Mos ja fut kot Katarakt.

  4. Edisoni says:

    Ideja eshte qe nuk duhet te jete drejtori i RTSH-se, militant partie dhe ideja e shkrimit eshte mese e sakt.

  5. Gashi says:

    Katarakti, ta gezoje RTSH Thoma Gellcin. Gjithcka behet qe ai te jete ne krye te RTSH. Shoku i ngushti i Osi Rames dhe ish kryeredaktor i Zerit te Popullit. Me mire nuk behet.

  6. Enkeleidi says:

    Kush mund te me shpjegoj pse nuk e nisin nga e para konkurimin keta se nuk e kuptoj. shume mire qe e kane ndryshur ligjin por eshte pa kuptim qe ky ligj i ndryshr te vazhdoje me konkurimin e kandidaturave te vjeteruara. ?????!!!!!

  7. niku says:

    Po sikur ta shkrin fare RTSH . Edhe ne shpetojm nga politizimi dhe populli qe ka nja 15 vjet qe se sheh shpeton nga taksat . Ky Xhovani besoj ka hall per ndonje vend pune se me sa di un aty vegjetojne nja 1000 a me shum parazite me taksat tona . Provojeni punoni ne privat njehere e shikoni si fitohet paraja vete jo ne kurriz tone . Le te behet nje sondazh se sa perqind e popullsise e shikon RTSH e krahosojeni me tv publike te te gjitha vendeve te europes . Eshte turp per politiken e eshte fatkeqesi per popullin qe ka 20 vjet qe ushqen parazitizmin e ketyre delenxhive

  8. dani says:

    Koja nonen shqipe njejt jena si nkosove si nshiqpni.

  9. Shoku shpati says:

    Un them te mbyllet Rtsh
    Nuk e sheh njeri
    ATO para te shkojne per shtresat ne nevoje.

  10. skam says:

    Z.Shyti
    Nuk mund te kuptoj se c’fare i duhet 1 maxhorance nje tv qe nuk ka audience?
    Me vjen shume keq qe merreni me amballazhin e jo me produktin.
    Kushdoqofte “ai”qe ka ne dore tvsh, te vetemin ngacmim qe duhet te kemi ne si publik eshte PROGRAMI PUBLIK I TVSH.
    Per programet ke ndonje mendim???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje