Ç’duhet bërë në Parkun e Liqenit Artificial

29 Shkurt 2016, 19:02Blog TEMA
Ç’duhet bërë në Parkun e Liqenit Artificial

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës u krijua në vitin 1958, me një sipërfaqe prej 250 ha. Më pas, rreth Parkut u ndërtuan objekte, si Kopshti Zoologjik, Rruga e 1000 selvive, Varrezat e Dëshmorëve e Fidanishtja, të cilat e rritën sipërfaqen e tij në 440 ha.

Parku i Madh i Liqenit Artificial është park urban. Park urban quhet:

Një copë toke që përdoret për qëllime publike, me pak ose aspak ndërtime pranë qytetit, që përdoret për qëllime rikrijuese dhe zbukuruese;

Një shesh peizazhistik i qytetit;

Një shesh i madh toke rurale, i ruajtur në gjendje natyrore dhe i rezervuar për vizita dhe rikrijim të vizitorëve.

Parku urban, që njihet edhe si park bashkiak, është një park i ngritur në qytet ose pranë tij, ku përfshihen edhe objekte të tjera, si: kënde lodrash për fëmijë, pista patinazhi me rrota, pista vrapimi etj., për t’u ofruar sipërfaqe të gjelbra dhe rikrijim rezidentëve dhe vizitorëve. Parqet kanë funksion të ofrojnë rikrijim pasiv ose aktiv, përfitime mjedisore, si dhe habitate për qeniet e gjalla.

Bazuar në sa më sipër, ja ç’duhet bërë aktualisht në Parkun e Liqenit Artificial:

1.  Bimët nuk janë të përjetshme, që do të thotë se ato duhet të asgjësohen nëse janë të vjetra, të sëmura, të shtrembëruara e, mbi të gjitha, nëse janë shëmtuar nga koha ose nga mospërkujdesjet për to. Kjo e fundit ka rëndësi tani, sepse, duke na u mësuar sytë kaq shumë me shëmtimin, një gjë e tillë nuk na bën më përshtypje.

2.  Mbjelljet  e reja duhet të bëhen nga specialistë që do të përcaktojnë llojet, format, përmasat dhe, mbi të gjitha, distancat e mbjelljes. Këto të fundit duhet të jenë sa diametri maksimal i pemës në gjendje të rritur, përndryshe mbulojnë njëra-tjetrën ose krijojnë boshllëqe. Gjithashtu, mënyra e mbjelljes bëhet në bazë të një protokolli të përcaktuar. Por dje u dëshpërova kur pashë në televizion qytetarë që po mbillnin në Parkun e Liqenit disa pisha “bebe”, të cilat nuk janë fare për atë qëllim. Ato janë lloje që nuk rekomandohen për parqe urbane, sepse trungu i tyre rritet në një kënd 45 gradë me tokën, që do të thotë se pengojnë lëvizjen dhe rrëzohen shpejt nga era. Nuk është e thënë të mbillen shumë pemë, por aq sa e lejon sipërfaqja. Lista e specieve duhet të miratohet nga specialistë, sepse duhet të zgjidhen, para së gjithash, lloje urbanofile dhe antropotolerante, që do të thotë se durojnë ndikimin urban dhe veprimin e njeriut. Ka studime dhe lista të tëra për këtë qëllim. Mirë është të përdoren lloje gjetherënëse, mundësisht nga flora shqiptare, si panja, frashëri, dushqe, gështenja e kalit, mështekna etj.

3.    Këndet e lodrave e kanë të domosdoshme praninë e pemëve. Edhe po të mos jenë, ato duhet të mbillen. Për këtë qëllim, duhet të zgjidhen drurë të drejtë, me kurorë që fillon lart nga toka, që formon hije dhe që është e përshtatshme për klimën dhe qëllimin e mbjelljes.

4.    Së fundi, për të rritur sipërfaqen e gjelbër ka shumë ide. Të tilla mund të jenë kopshtet e varura në trungun e pemëve të larta ose në instrumentet e përdorura për lodrat.

*Ish-drejtore e Kopshtit Botanik

4 komente në “Ç’duhet bërë në Parkun e Liqenit Artificial”

  1. sit .back. _and_ relaks says:

    mos u lodhni te vrisni mendjen per shpikje dhe rracionalizime, i ka mbaruar bota e perparuar me kohe e vakt perpara nesh. shikoni si i ka roma, parisi, new york-u, londra parqet e medha ne qytete dhe bejini. Beni nje Central Park edhe ne Tirane dhe mbaroi puna, bejeni dhe menaxhojeni sic e menaxhon bota qe eshte qindra vjet perpara nesh. Gjitheshka te menaxhohet nga bashkia me taksat e gjelberimit qe i merrni nga xhepat e qytetareve kaq sa vite dhe te ardhurat te shkojne prape investime per parkun. Nqs nuk e beni dot me te mire ath te pakten mos prishni ate qe eshte.

  2. Vasillaq Zoto says:

    Nje Grua e shquar, me shume se e ditur ne fushen e saj, qe edukoi studente e femije me dashurine dhe perkushtimin e saj.
    Ajo i kushtoi jeten e Saj asaj krijese qe kishte shpirtine Saj qe u quajt Kopshti Botanik, punoi me perulesi dhe pa kerkuar qe ta dallonin
    e ta veconin. E kam njohur ne nje kohe te veshtire kur po i sulmonin Kopeshtin,po e kafshonin kopshtin dhe Ajo me nje durim e trimeri
    te papare e mbrojti Ate.Pikerisht kjo grua e ditur, e urte dhe trime do marre si Keshillta e Kryetarit te Bashkise per problemet e parqeve
    te Bashkise.

  3. exact says:

    Une jetoje ne New York dhe ketu ne Central Park ka parqe me lodra per femije bile edhe ushqime te castit ( Fast food)’

  4. qytetari B says:

    PO çfare flisni o njerez te mire; gjithe ajo zallamahi nuk behet per parkun apo taksat, ajo behet qe reforma ne drejtesi te deshtoje. Kur ishim te vegjel, talleshimi me njeri tjetrin si femije dhe thoshnim: “ç’eshte nje qe tek dhjet, pellet” . Kur e mesuan te gjithe, nuk e perserisnim me. Ne fakt ajo ishte arma ose mortaja qe qellonte se leshon gezhojen dhe bertiste, pra krijonte zhurmen. Dhe keta qe bejne keto lloj protestash, bejne ate qe bente mortaja. Po une jam i sigurte qe kete e bejne vetem qe reforma ne drejtesi te mos miratohet se ajo pastaj do nxjerre shume gjera qe ne te vertete ato jane mbi toke dhe i shohin te gjithe, por ja , demokracia keshtu e paska, duhet nje ligj me i forte, ose frike qe te shkruhet e zeza mbi te bardhe. Diktatura s’te falte, demokracia flet, shkruan, por s’te degjon njeri. Liria eshte kthyer ne anarshi totale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje