Kryeministri Edi Rama ka qenë sot prezent në nisje të procesit të testimit të kandidatëve të rinj për policë.
Ai ndodhej krah ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që sipas Ramës, është njeriu më i sulmuar pas tij.
Kjo, pasi sipas Ramës, Tahiri shkatërroi parajsën e Lazaratit, që financonte politikanë dhe media.
“Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat, që ishte afirmimi i besimit të krijuar në Bruksel se ne mund të bëjmë shtet, në hapat e parë e forcoi puna e bërë nga ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Njeriu më i goditur i qeverisë sonë, besoj edhe në mjedisin politik mbas meje sigurisht që kam lindur për të qenë i goditur, është ministri i brendshëm ndaj të cilit vazhdon një ofensivë e organizuar dhe e përditshme që ka prodhuar në dy vjet e gjysmë mbi 1300 deklarata, konferenca, referenca, qëndrime agresive, kriminalizuese për ministrin e brendshëm. Nëse cilido prej jush do i lexonte pa filtër, nuk do ishte këtu sot, do t’i rrinte kilometra të tëra larg kësaj salle”, tha Rama.
“Lazarati ishte shumë më teper se sa ai bari magjik dhe se sa disa gangsterë lokal me automatik, ishte një bankë e parasë së zezë që qarkullonte miliarda dhe djegia e plantacioneve të barit magjik arrestimi i atyre gangove ishte pjesa e duksheme, ndërkohë ato flakë dogjen një bankë, paratë e së cilës nuk qarkullojnë më dhe ata që përfitonin këto para kanë humbur miliarda por s’kanë humbur fuqinë për të luftuar, me maskat e politikës, medias dhe me zërin që krimi ia merr politikës ia merr segmenteve të tjera për të folur në emrin e tij duke përbaltur. Kjo është domethënia më e madhe e suksesit të punës në reformimin e punës së Policisë së Shtetit”, vijoi ai.