Mediat belge, duke iu referuar policisë vendase, bëjnë me dije se dy kamikazët që hodhën veten në erë ditën e djeshme në aeroportin e Brukselit, janë dy vëllezërit Khalid e Ibrahim El Bakraoui.
Personi i tretë, që mendohet se është edhe organizatori i sulmeve, është Najim Laachraoui.
Ky i fundit është një emër i njohur, pasi është një nga të dyshuarit e sulmeve terroriste në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona.
Khalid e Ibrahim, respektivisht 27 dhe 30 vjeç, sipas mediave belge, ishin në kërkim nga policia.
Njëri akuzohej për terrorizëm, tjetri për veprimtari të tjera kriminale.
Ata mendohet se i shpëtuan kontrollit në një banesë një javë më parë.
Sipas mediave belge, policia ishte në ndjekje të tyre prej një jave.
Në vitin 2010, Ibraim ishte dënuar me 9 vjet burg pasi qëlloi me kallashnikov ndaj policisë, duke plagosur një agjent.
Por, çuditërisht pas disa vitesh u la i lirë.
I vëllai ndërkohë, Khaled u dënua në vitin 2011 me 5 vite burg, për vjedhje me dhunë të makinave.
Pavarësisht dosjeve të tyre kriminale, ata kishin arritur t’i shpëtonin vëzhgimit të policisë dhe dje kryen sulmin kamikaz.