“Historia e PS-së në aparatin tim fotografik dhe si ruajtëm drejtuesit e PS-së nga atentatorët e Berishës"

27 Mars 2016, 17:00Dossier TEMA

Nga Kastriot Kotoni

Donika Lubonja është njëra nga anëtaret më të vjetra të PS-së. Për të tepër, ajo është pjesë e rëndësishme e kësaj partie. Ishte ndër të vetmet fotografe të Tiranës në kohën e rregjimit komunist dhe punoi edhe pas rrëzimit të tij, duke fiksuar në celuloid ngjarjet më të rëndësishme të PS-së në opozitë, por edhe më vonë.

Zonja Lubonja, si hytë në Partinë Socialiste, apo më mirë, si u gjendët në këtë parti?

Familja jonë shquhet për tradita atdhetare në mbështetje të çështjes kombëtare. Babai im, Bedriu, së bashku me vëllezërit e tij, po ashtu edhe halla ime, Bajame, u inkuadruan në luftën partizane për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Gjyshen time e burgosën në burgun e Korçës, në vitin 1943 si një antifashiste me veprimtari të gjerë në rrethin e Korçës. Pas çlirimit të vendit, të gjithë e ndjemë veten të nderuar e të respektuar për kontributet tona në çështjen e luftës kundër pushtuesit. U shkolluam në profesione të ndryshme dhe i hymë punës për ndërtimin e vendit. Unë pasi mbarova shkollën profesionale politeknikumin “7 Nëntori”, në degën elektrike, fillova punë në repartin e parë të artizanatit për argjendarinë. Më pas u hapën të parët laboratorë fotografikë si degë të artizanatit e kështu u profilizova si laborante fotografie dhe padyshim u specializova edhe si fotografe pranë Studio “Fatosi”.

Domethënë e keni lidhjen me fotografinë shumë herët?

Po, e them me keqardhje, se ai profesion ishte aq sa i kufizuar në materiale teknike si filma dhe solucione, po aq sa edhe për vendin ku do të fotografoje. Siç dihet e gjithë Shqipëria dilte në fotografi tek Skënderbeu dhe ish-lulishtja pranë tij. Femrat fotografe numëroheshin me gishtat e dorës, ndonëse ishin shumë të afta në profesion. Të bëje fotografen në atë kohë ishte paragjykim i jashtëzakonshëm nga klientët, por me kohë ata krijonin besim dhe na i besonin edhe neve fotografinë e jetës apo kujtimin më të shtrenjtë në Tiranë.

Cilin nga personalitet e vendit keni fotografuar në atë kohë?

Jo se vinin shumë nga ata që mendoni ju, sepse shumë prej tyre kishin fotografin personal, apo edhe njeriun që ishte caktuar nga institucionet. Por po e them se një nga njerzit më të rëndësishëm të kohës, të cilin e kam fotografuar më shpesh ka qenë Muho Asllani. Ai ishte një personalitet aq i thjeshtë dhe i durueshëm në komunikim e ma bënte punën më të lehtë mua si fotografe. Fotografi më të rëndësishme e më të lodhshme kanë qenë ato për njerëzit që hynë nëpër ambasada. Fotografi dhe stampime për pasaportat e tyre janë bërë në një kohë rekord në laboratorin tonë të Studio “Fatosit”, ku punuam natë e ditë për rreth katër ditë. Fotot e atyre njerëzve nuk më hiqen nga mendja edhe sot e kësaj dite. Kujtesa e njerëzve që kam fotografuar deri më tash më jep natyrisht kënaqësi kur më përshëndesin, por ata bija e bij nënash që lanë atdheun nuk e dinë fotografen, e cila qante me dënesë, stampuesen e fotografive të tyre, e cila, nëpër dhëmbë, bënte pyetjen pse po ikin vallë? Kush i pret?

Ju e vazhduat profesionin tuaj pas viteve 1990, apo ndryshuat profesion si shumica e shqiptarëve?

Jo, nuk e ndryshova profesionin e fotografes, por në kushtet kur forcat vandale të ashtuquajtura demokratike, gjoja nën petkun e grevistëve minatorë të Valiasit apo të Tiranës, e zaptuan me dhunë e dogjën çfarë t’u dilte përpara në laboratorin tonë, i cili ndodhej mu në qendër të kryeqytetit, pranë Postës Qendrore. Unë u kërcënova me armë nga banditët e pushtetit të ri, të cilët do të bëheshin kapitalistë brenda natës, a thua se ato ndërtesa ua kishte lënë trashëgimi i ati apo gjyshi. Kërkova të merrja pension të parakohshëm me 60% të rrogës. Por aparatin nuk ma merrnin dot e kështu fillova të fotografoja çdo ngjarje apo aktivitet të Partisë Socialiste.

Si një dëshmitare e gjallë e kësaj partie, cilat kanë qenë sipas jush momentet më tëveçanta, apo fotografia juaj më e goditur apo e arrirrë?

Sot nuk është kollaj ta krahasosh kohën kur ne ishim socialistë e socialiste me atë kohë. Ku ta fillosh historinë, sa emocionale, të fiksuar në celuloid, aq e dhimshme për ata njerëz që u përndoqën nga rregjimi i Berishës e kurrë nuk e ngritën zërin për të thënë se “unë i kam dhënë kaq e aq kësaj partie”. Po ja këto fotografi të mitingut te fusha “Ali Demi”, ku dhuna e policit berishist, nuk kursen edhe fëmijën e jo më prindin e tij. Po këtu, në një miting tjetër dallohen se sa mijëra protestues janë. Janë vite që nuk shlyen nga kujtesa kollaj. Unë kam shkuar në sa e sa mitingje në çdo qytet të Shqipërisë dhe kam fiksuar me aparatin tim edhe revoltën e socialistëve kundër padrejtësisë së regjimit berishian, por edhe gëzimin e fitores së tyre në zgjedhje vendore dhe kombëtare dhe e them pa më të voglën modesti, se jam e do jem krenare që jam anëtare e kësaj partie. Fotografitë e mia nuk janë personale, por janë të kësaj partie, qysh nga Fatos Nano e Edi Rama. Unë pasqyrova historinë e saj, jo thjesht si anëtare e përkushtuar së bashku me shoqet e shokët e mi, por mendoj se i kam bërë nder historisë së Shqipërisë me këto fotografi. Po a harrohen viktimat e 21 Janarit? Ja, shikoji fotografitë me rastin e heshtjes në kujtim të tyre. Drejtësia do vonojë, por një ditë do të jepet.

Si një anëtare e vjetër e kësaj partie, si i keni patur marrëdhëniet me krerët kryesorë të saj?

Ndihem e respektuar si nga Fatos Nano, Edi Rama e Ilir Meta, po ashtu dhe nga Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Pandeli Majko, Erion Braçe, Sajmir Tahiri, Arta Dade, Damjan Gjiknuri, apo Blendi Klosi e të gjithë figurat kryesore të partisë. Në kujtesën time ka ikur koha kur ne socialistët e thjeshtë i bënim mbledhjet e organizatës në fshehtësi, sepse përndiqeshim nga shik-asit e Berishës. Ja tek po ju tregoj, se ne gratë e Partisë Socialiste kemi ndenjur me netë pa fjetur në selinë e partisë për të ruajtur drejtuesit e PS-së nga atentatet që i kishin përgatitur kundështarët politikë të së djathtës në vitin 1992. Po ashtu, shkonim te Rexhina Nano një herë në javë për t’ju gjendur pranë mbas arrestimit të Fatos Nanos, kryetarit të Partisë Socialiste. Nuk harrohet kollaj kur njerëz me xhupa të zinj, të cilëve nuk u dihej çfarë gjuhe flisnin, na rrahën në oborrin e Partisë në vitin 1996. Socialistët e atëhershëm e të sotëm janë gjithmonë solidarë, kur bëhet fjalë për tu bërë bashkë në ndonjë ngjarje të hidhur të një anëtari të thjeshtë të partisë. Fotografitë e tregojnë qartë këtë solidaritet. Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe dimë të festojmë edhe përvjetorët e anëtarëve si edhe të njërzve me pushtet. Kjo duhet trashëguar edhe tek anëtarët më të rinj të partisë.

6 komente në ““Historia e PS-së në aparatin tim fotografik dhe si ruajtëm drejtuesit e PS-së nga atentatorët e Berishës””

  1. ilir says:

    Respekt dhe konsiderate per shqiptaren Dinika Lubonja!

    1. pilo lala says:

      Me te vertete njeri, nuk ka rendesi me ke eshte.
      Nuk besoj te kete ne PD ndonje te tille.
      Atje jane kafshe edhe burrat edhe grate.

  2. Shahisti says:

    Heronjte i kemi midis nesh, edhe pse te rrjedhur.

  3. Shahisti says:

    Edhe nje e rrjedhur tjeter!

    1. Rita says:

      Ajo eshte nje grua shembullore dhe e respektuar!

    2. Rita says:

      Ajo eshte nje grua shemnullore dhe respejtuar !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje