35 mijë të pastrehë në të gjithë vendin

31 Mars 2016, 12:34Sociale TEMA

Numri i të pastrehëve deri vitin që kaloi, i ka arritur në mbi 35 mijë, pavarësisht statistikave problematike, por sakaq varfëria e tejskajshme në të cilën ndodhen këto familje nuk u mundëson atyre mundësinë e pajisjes me banesa sociale. Dokumenti i strategjisë së strehimit 2005 -2015 vë në dukje se, shumica e personave kanë bërë kërkesë në programin e banesave me kosto të ulët.

Konkretisht, 64,9 për qind ose mbi 22 mijë të interesuar kanë bërë kërkesë për banesa me kosto të ulët, 30,94 për qind kërkojnë të strehohen në banesa sociale me qira, 1,94 për qind dhe 1,13 për qind për truall të pajisur me infrastrukturë .

Numri i personave që kanë bërë kërkesë për banesa me kosto të ulët është 2,1 herë më i lartë se i atyre që kanë bërë kërkesë për banesa sociale me qira.

Sipas dokumentit qeveritar për strehimin, bashkitë me numrin më të madh të kërkuesve janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, Kuçova, Lezha dhe Saranda. Bashkitë me numrin më të vogël të kërkuesve janë Leskoviku, Roskoveci, Divjaka, Ura Vajgurore, Orikumi, Maliqi, Patosi, Burreli, Tepelena (po aty).

Ndërkohë, numri i përfituesve në programet e banesave sociale gjatë periudhës 2005-2014 është 5.0217 ose 14 për qind e nevojtarëve port strehim. Nga të akomoduarit 2,68 për qind kanë përfituar banesa sociale me qira dhe 17,6 për qind kanë përfituar banesa me kosto të ulët dhe 88,64 për qind e e përfituesve kanë përfituar subvencione për banesa.

Strategjia për strehimin vë në dukje se, programet e strehimit social tërheqin familjet me të ardhura mesatare 6 deri në 8 herë më të larta se kufiri i varfërisë. “Një prej programeve më të mëdha (programi me banesa me kosto të ulët) nuk është i përballueshëm për të varfrit; për këtë arsye, të varfrit nuk përfitojnë nga ky program” thuhet në dokument.

Gjithashtu, procedurat bankare janë tepër të gjata dhe të kushtueshme, nëpunësit e njësive vendore dhe punonjësit e bankave shpesh u japin përparësi miqve dhe nëpunësit e njësive vendore i nxisin individët të bëjnë kërkesë për strehim social edhe nëse këta nuk i përmbushin kriteret e vendosura me ligj, vënë në dukje ekspertët e qeverisë.

Nga ana tjetër programi i banesave sociale me qira ka më shumë gjasa të ketë në fokus familjet me të ardhura të ulëta. Por megjithatë, njerëzit që jetojnë afër ose nën kufirin e varfërisë nuk mund ta përballojnë këtë program. Përveç kësaj, programi i banesave sociale me qira nuk trajton nevojat e personave me aftësi të kufizuar. Programi më i vogël është ai i subvencioneve të strehimit. Subvencionet e strehimit shihen si zgjidhje e përkohshme e problemeve të strehimit dhe sakaq nuk ka ndonjë rregull për të dekurajuar varësinë ndaj programit.

Këto rezultate sugjerojnë se programet e strehimit social duhet të zgjerohen më tej për të përmbushur kërkesat e grupeve në nevojë. Njëkohësisht, programet e strehimit social duhet të riorientohen drejt shtresave në pozita të pafavorizuara. Deri tani, pjesa më e madhe e burimeve janë alokuar në përfitim të shtresës së mesme. Ndërkohë që mbështetja e kësaj shtrese është e rëndësishme, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe grupeve më të varfëra.

Një nga sfidat kryesore është riorientimi i programeve sociale drejt grupeve në pozita të pafavorizuara.
Një tjetër sfidë është vënia në funksion e programit të pajisjes së truallit me infrastrukturë, program i cili deri tani nuk është zbatuar./ Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje